TIRANE

Gjykata e Tiranës ka liruar nga masa e arrestit Geldo Hotin, i dyshuar si një nga autorët e masakrës së ndodhur mbrëmjen e 4 tetorit në zonën e ish-bllokut, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj dhe Eljon Hate.

Gjykata e Tiranës ka liruar në 22 nëntor 37-vjeçarin Geldo Hotin, por lajmi është bërë publik sot. Geldo Hoti u arrestua në pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë në 5 tetor dhe mohoi para gjykatës se tentoi të arratisej nga Shqipëria.

Gjykata e Tiranës kishte caktuar masën e arrestit me burg me afat 45 ditor ndaj Geldo Hotit.

Sipas prokurorisë, Hoti gjendej në shoqërinë e grupit të Ervin Matës, kur ndodhi ngjarja dhe dyshohet për akuzën e “vrasjes ndaj dy dhe më shumë personave mbetur në tentativë”.

Në seancën me dyer të mbyllura të zhvilluar më herët, i dyshuari, që është vëllai i një DJ të njohur në Tiranë pranoi se është gjendur në shoqërinë e biznesmenit Ervin Mata dhe komandos Meviol Bilo, por se nuk kishte asnjë rol në krimin e rëndë.

“Në lokal “Monopol” kam shkuar bashkë me Ervin Matën, Meviol Bilon dhe një person tjetër. Pronari na hapi një shishe verë. Nuk kaloi shumë dhe erdhën 3 persona. Ervin Mata u ngrit dhe takoi njërin  prej tyre. Papritur në derë hynë dy persona të tjerë. Njëri prej tyre filloi të debatonte me Meviol Bilon dhe u zunë. Njëri nxori armën. Pati shkëmbim zjarri”- ka thënë para trupit gjykues Geldo Hoti.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb