TIRANE
Gjykata e Apelit të Tiranës pranoi kërkesën e prokurorisë duke ashpërsuar masën për Ervis Martinajn, i dyshuar për përfshirje në masakrën e 4 tetorit në zonën e ish –bllokut, ku në lokal Monopol një person mbeti i vrarë ndërsa vetë biznesmeni dhe një tjetër u plagosën.
Treshja gjykuese e kryesuar nga Hysni Demiraj, caktoi masën e arrestit me burg ndaj biznesmenit të lojërave të fatit, ndryshe nga shkalla e parë që kishte vendosur arrest me afat 30 ditor. Në seancën me dyer të mbyllura, burimet thanë se prokurori citoi disa prova të reja të siguruara nga kqyrja e celularit të të dyshuarit, e cila është realizuar nga ekspertët izraelitë.Flitet për dhjetra faqe materiale, që janë duke u analizuar nga grupi i hetimit, me qëllim hedhjen dritë mbi motivet e krimit në ish bllok, për të cilin deri më tani thuhet se si shkak shërbeu një ngacmim që iu bë këngëtares Elvana Gjata, partneres së biznesmenit në kërkim, Ervin Mata.
Avokati i biznesmenit i ka kundërshtuar argumentat e Prokurorisë, madje ka evidentuar faktin se telefoni prej ku pretendohet se janë grumbulluar provat e reja, nuk i përket të mbrojturit prej tij. Sipas mbrojtësit ligjor, telefoni i Martinajt mund të zhbllokohej vetëm me gjurmë gishti dhe ai ka shfaqur gatishmëri për ta bërë një gjë të tillë, por për arsye të paqartë kjo nuk është bërë e mundur. Pasi dëgjoi pretendimet e palëve, trupa gjykuese firmosi në favor të prokurorisë.
Ndaj biznesmenit Martinaj rëndojnë dyshimet për akuzën e vrasjes ndaj dy ose me shumë personave mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, ndërsa pas krimit në ish bllok, mbi të ngrihen dyshime edhe për akuza të tjera, si ajo e pastrimit të parave, fshehjes se pasurisë, apo falsifikimit të dokumentave. Martinaj, i cili mbeti edhe i plagosur në ngjarje, është një prej tre të arrestuarve për krimin e rëndë.
Në pranga ndodhet edhe Elio Hato i plagosuri i dytë në lokal dhe Geldo Hoti. Në kërkim nga policia është Ervin Mata dhe miqtë e tij, Ajaks Boshnjaku, Fabio Allushi dhe komando Meviol Bilo, që dyshohet të jetë dhe autor i vrasjes së Fabian Gaxhës.
(BalkanWeb)