TIRANE – Gjykata e Tiranës caktoi masën e arrestit me burg me afat 45 ditor, ndaj Geldo Hotit, i dyshuar si një nga autorët e masakrës së ndodhur mbrëmjen e 4 tetorit në zonën e ish-bllokut, ku një persona mbeti i vrarë dhe dy të tjerë u plagosën. Sipas prokurorisë, Hoti gjendej në shoqërinë e grupit të Ervin Matës, kur ndodhi ngjarja dhe dyshohet për akuzën e “vrasjes ndaj dy dhe më shumë personave mbetur në tentativë”. Në seancën me dyer të mbyllura, i dyshuari, që është vëllai i një DJ të njohur në Tiranë pranoi se është gjendur në shoqërinë e biznesmenit Ervin Mata dhe komandos Meviol Bilo, por se nuk kishte asnjë rol në krimin e rëndë.

“Në lokal “Monopol” kam shkuar bashkë me Ervin Matën, Meviol Bilon dhe një person tjetër. Pronari na hapi një shishe verë. Nuk kaloi shumë dhe erdhën 3 persona. Ervin Mata u ngrit dhe takoi njërin  prej tyre. Papritur në derë hynë dy persona të tjerë. Njëri prej tyre filloi të debatonte me Meviol Bilon dhe u zunë. Njëri nxori armën. Pati shkëmbim zjarri”.

Geldo Hoti Licaj, i cili u arrestua në pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë, mohoi në gjykatë se tentoi të arratisej nga Shqipëria.

“Po shkoja drejt Greqisë, për të marrë një pajisje për radion. E kisha të planifikuar udhëtimin”.

Të dielën gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 30 ditor për Ervis Martinaj ndërsa burg pa afat për Eljon Haten, të dy të plagosur në ngjarje. Në zonën e ish-bllokut, mbeti i vrarë Fabian Gaxha, pjesë e grupit të Martinajt, ky i fundit njw personazh i njohur i botws sw krimit dhe pronar i disa pikash bastesh. Në kërkim janë shpallur biznesmeni Ervin Mata, partneri i këngëtares, Elvana Gjata, komando Meviol Bilo dhe Fabio Allushi.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb