Rreth 6,000 njerëz nga fshati Nezuk, në verilindje të Bosnjës, nisën të hënën marshimin drejt Srebrenicës. Ata planifikojnë të arrijnë atje pas tre ditësh, për të kujtuar 24-vjetorin e masakrës së Srebrenicës.

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë hyrë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara. Në ditët që kanë pasuar, ato kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i kanë hedhur në gropa në pyjet përreth.

Derisa vrasjet kanë ndodhur për pak ditë, procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite dhe identifikimi dhe varrimi i tyre vazhdojnë ende. Të enjten, më 11 korrik, në qendrën përkujtimore Potoçari në Srebrenicë do të bëhet varrimi kolektiv i viktimave të identifikuara gjatë vitit të fundit.

Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si gjenocid. Ish-udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë, për masakrën në Srebrenicë dhe mizoritë e tjera gjatë luftës në Bosnje.

Edhe ish-komandanti i forcave serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, është dënuar me burgim të përjetshëm për krime të luftës, përfshirë gjenocid.

Marshimi drejt Srebrenicës, që njihet edhe si Marshimi i Paqes, bëhet çdo vit, në kujtim të njerëzve që në vitin 1995 kanë përshkuar të njëjtën rrugë, në përpjekje për të gjetur shpëtim.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb