Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e kabinetit të tij po përdorin fondet publike dhe një rrjet të gjerë nëpunësish të marrëdhënieve publike për të avantazhuar llogaritë e tyre private në rrjetet sociale në dëm të faqeve zyrtare të institucioneve.
Kryeministri Edi Rama e nis ditën çdo mëngjes rreth orës 8:00 në faqen e tij në Facebook me postim fotosh ose videosh optimiste, kryesisht copëza projektesh infrastrukturore nga çdo cep i Shqipërisë.
Faqja private e Ramës është kthyer në mediumin kryesor të komunikimit të qeverisë me publikun; ajo ka 1.6 milionë ndjekës, bën 6-7 postime në ditë dhe merr qindra komente e mijëra pëlqime në secilin prej tyre.
Në të njëjtën platformë funksionon prej vitit 2013 edhe faqja zyrtare e qeverisë shqiptare, Kryeministria, por ajo vuan mungesën e popullaritetit. Me vetëm 3500 ndjekës, Kryeministria ka ndërveprime minimale dhe ndikim të papërfillshëm në publik.
Rama nuk është i vetmi anëtar i kabinetit që e ka përqendruar komunikimin qeveritar me publikun në kanalet e tij private dixhitale. Shumica e ministrave të tij ndjekin gjithashtu të njëjtin model; ata kanë më shumë ndjekës dhe përmbajtje në faqet e tyre personale se sa në ato të institucioneve që drejtojnë.
Mediat sociale janë një avantazh i fuqishëm politik në zgjedhje dhe në qeverisje, por për të qenë vërtet të tilla, ato kanë nevojë për përmbajtje të vazhdueshme.
Të dhënat e siguruara përmes një kërkese për të drejtë informimi tregojnë se kryeministri Rama dhe ministrat e tij po përdorin fondet publike dhe një rrjet të gjerë nëpunësish të marrëdhënieve me publikun për të prodhuar përmbajtje dhe avancuar mediat e tyre sociale në dëm të kanaleve zyrtare të institucioneve që ata drejtojnë.
Duke analizuar të dhënat e mbledhura nga Crowdtangle, një aplikacion i gjigantit të medias sociale, Facebook, BIRN zbuloi gjithashtu se faqet personale të Ramës dhe ministrave të tij ushqehen me shumë më tepër postime, video dhe transmetime live sesa faqet e institucioneve, duke arritur një raport 98 me 2 për qind të ndërveprimeve totale në favor të tyre.
Menaxhimi i kanaleve dixhitale të komunikimit të kryeministrit, ministrave, kryeministrisë dhe ministrive është përgjegjësi e Agjencisë për Media dhe Informim, MIA – një institucion i ri i ngritur një vit më parë nga kryeministri Edi Rama dhe i drejtuar nga zëdhënësi i tij, Endri Fuga.
Edhe pse komunikimi i qeverisë përmes rrjeteve sociale nuk është i rregulluar ligjërisht, përfaqësues të shoqërisë civile thonë se strategjia e PR-it të anëtarëve të kabinetit “Rama” është duke i përdorur fondet publike për avantazhe politike.
“Profilet politike të ministrave suportohen me para reklamash nga buxheti i shtetit në funksion të detyrave shtetërore dhe më pas i përdorin si arsenal në fushatë zgjedhore për të mbështetur forcën e tyre politike,” tha Rigerls Xhemollari nga “Qëndresa Qytetare”.
Drejtori i Agjencisë për Media dhe Informim, Endri Fuga i tha BIRN se menaxhimi i përmbajtjes për mediat sociale të Ramës dhe ministrave i shërben informimit të publikut dhe mohoi që në këtë rast të kishte abuzim me funksionin publik.
“Nëpunësit e Agjencisë për Media dhe Informim, përfshirë zëdhënësit e Ministrive, janë të angazhuar për prodhimin e përmbajtjes online që lidhet vetëm me angazhimet dhe detyrimet qeveritare të Kryeministrit dhe anëtarëve të Kabinetit qeveritar,” tha Fuga.
“Puna e tyre i shërben informimit të publikut dhe qytetarëve përmes rrjeteve sociale lidhur me aktivitetin qeveritar, e jo atë personal apo politik/partiak të Ministrave…,” shtoi ai.
Suksesi i llogarive private
Agjencia për Media dhe Informim, MIA, u krijua në shtator të vitit të kaluar dhe sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, është institucioni përgjegjës për të siguruar transparencë në lidhje me politikat dhe aktivitetet e Këshillit të Ministrave, ministrave dhe çdo institucioni të administratës shtetërore.
Agjencia është gjithashtu e angazhuar në prodhimin e propagandës qeveritare si dhe mban përgjegjësinë e menaxhimit të përmbajtjes për rrjetet sociale të kryeministrit Rama, Kryeministrisë, ministrave dhe ministrive përkatëse.
MIA i tha BIRN në përgjigje të një kërkese për të drejtë informimi se përmbajtja për rrjetet sociale të kryeministrit Rama dhe Kryeministrisë ishte përgjegjësi e 4 punonjësve të sektorit të Informimit të Qytetarëve, të mbështetur edhe nga sektori i Dizajnit dhe Produktit Kreativ, pa vënë në dispozicion numrin e punonjësve të sektorit të Dizajnit.
Ndërsa faqet në rrjetet sociale të anëtarëve të kabinetit dhe ministrive përkatëse menaxhohen nga zëdhënësit, të cilët mbështeten gjithashtu nga “strukturat përgjegjëse në secilën ministri’.
Në faqet personale të Ramës dhe ministrave publikohen edhe qëndrime personale apo aktivitete politike, por MIA tha se këto nuk ishin përgjegjësi e saj.
“Publikimi i postimeve me karakter personal, si opinione apo qëndrime… është përgjegjësi e vetë kryeministrit apo ministrave, ndërsa publikimi i aktiviteteve apo materialeve me karakter politik dhe publikimi i tyre në rrjetet sociale të kryeministrit dhe ministrave përgatiten dhe menaxhohen nga stafi i tyre politik pranë Partisë Socialiste,” tha MIA.
Numri i plotë i nëpunësve të PR-it që punojnë për kryeministrin Rama, ministrat dhe institucionet respektive është ende i paqartë, por sipas një ish-këshilltari që foli me BIRN në kushtet e anonimatit, është shumë më i lartë nga sa rezulton zyrtarisht.
“Përveç zëdhënësit, çdo ministër ka edhe këshilltar për median si dhe 3-4 specialistë të tjerë që merren me përmbajtjen për rrjetet sociale,” tha ai, ndërsa shtoi se një pjesë e stafit të PR-it paguhet për pozicione të tjera pune “në letra”.
Në botën virtuale të Facebook-ut, rrjetit social më popullor në Shqipëri, suksesi i një profili matet me numrin e postimeve, ndarjeve apo pëlqimeve – që përbëjnë edhe numrin total të ndërveprimeve.
Duke përdorur të dhënat e mbledhura me aplikacionin Crowdtangle, BIRN zbuloi se faqet private të Ramës dhe ministrave të marra së së bashku kanë shumë herë më tepër përmbajtje dhe ndërveprime sesa faqet zyrtare të institucioneve të drejtuara prej tyre. Në këtë analizë nuk përfshihet profili privat i zv.kryeministres Belinda Balluku dhe ministritë e shtetit, të cilat nuk kanë llogari në rrjetin social Facebook.
Përgjatë një viti, faqet personale të Ramës dhe ministrave postuan së bashku në total 8801 postime, ndërsa faqet zyrtare të institucioneve 5342 postime; në një raport 62 me 38 për qind.
Faqet private kryesojnë gjithashtu me 53% të videove të postuara në Facebook dhe 69% të transmetimeve live kundrejt faqeve zyrtare në të njëjtin rrjet social.
Hendeku është shumëfish më i thellë për shikueshmërinë e videove organike dhe numrin total të ndëveprimeve mes të dy kategorive.
Të dhënat e mbledhura nga Crowdtange tregojnë se faqet private të Ramës dhe ministrave kanë siguruar së bashku përgjatë një viti 15.2 milionë ndërveprime në Facebook, ndërsa faqet zyrtare qeveritare vetëm 292 mijë – në një raport 98 për qind me 2 për qind.
Nuk ka ligj
Praktika e përdorur nga liderët perëndimorë në komunikimin nëpërmjet rrjeteve sociale ka një ndarje të qartë mes faqeve personale të presidentëve apo kryeministrave dhe faqeve zyrtare të institucioneve publike, të cilat mbajnë peshën e komunikimit me publikun.
Por në Shqipëri, strategjia e komunikimit virtual me publikun ndjek sipas ekspertëve të njëjtën linjë me qeverisjen dhe favorizon individët përmbi institucionet.
Afrim Krasniqi, drejtor ekzekutiv i Institutit për Studime Politike kritikoi praktikën e publikimit të akteve zyrtare nëpërmjet rrjeteve sociale dhe shtoi se kjo e ka personalizuar shtetin. Krasniqi shprehet gjithashtu i shqetësuar për dëmtimin e traditës së arkivimit historik.
“Memoria historike përfundon në telefonat celularë ose emailet private të zyrtarëve,” tha Krasniqi, ndërsa përmendi raste konkrete të mungesës së dokumentimit të akteve zyrtare me përjashtim të faqeve të kryeministrit në rrjetet sociale.
“Në aspektin ligjor kjo është shkelje e ligjit, në aspektin administrativ është shkelje e rregullave administrative, në aspektin politik është abuzim me funksionin publik dhe në aspektin historik është investim kundër memories shtetërore dhe arkivore,” tha Krasniqi.
Xhemollari nga “Qendresa qytetare” i tha BIRN se kanalizimi i komunikimit publik zyrtar në profilet personale në Facebook i përgjigjet filozofisë së qeverisjes në përgjithësi, të bazuar tek individi që drejton dhe jo tek institucioni.
“Kjo filozofi komunikimi krijon një shtet parti, individë më të fortë se institucionet, por njëkohësisht cënon legjislacionin zgjedhor, kodet etike në komunikim dhe sidomos shtetformimin bazuar në një qeverisje transparente,” tha ai.
Por jo të gjithë mendojnë se komunikimi publik do të duhej të ndahej me thikë mes zyrtarëve dhe institucioneve.
Erla Mëhilli, gazetare dhe ish-zëdhënëse e ish-kryeministrit Sali Berisha i tha BIRN se rrjetet sociale nuk mund të zëvendësojnë kanalet zyrtare që përdor shteti për të komunikuar me publikun, por për të ndarë edhe momente informale.
Mëhilli mendon se zyrtarët nuk mund të pengohen që të përdorin mediat e tyre sociale për komunikime zyrtare, ndonëse mbështet rregullimin e kësaj fushe me ligj.
“Nuk e ndan dot kaq thjeshtë njeriun nga funksioni. Nuk di të ketë një ligj që të pengojë një zyrtar, që krahas formave zyrtare të ketë dhe të përdorë edhe rrjetet sociale për të komunikuar, qoftë edhe për komunikime zyrtare,” tha ajo.
MIA nuk dha përgjigje për pyetjen se çfarë ndodh me faqet personale të ministrave kur ata largohen nga detyra dhe e përdorin rrjetin e ndërtuar me para publike si një aset për karrierën e tyre të ardhshme politike.
Ndërsa Fuga tha se përmbajtja nuk ndryshon dhe nuk fshihet nga këto faqe, pavarësisht rotacionit me emrat e kabinetit qeveritar.
“Përmbajtja vijon të mbetet e aksesueshme nga publiku në këto faqe, përtej kohës së ushtrimit të detyrës nga një ministër i caktuar,” përfundoi Fuga./reporter.al/