Mëngjesin e sotëm, persona ende të paidentifikuar kanë dhunuar Shtëpinë e Alfabetit Shqip në Manastir të Maqedonisë, pikërisht në ditën kur shqiptarët festojnë 22 nëntorin (Ditën e Alfabetit).

“BalkanWeb” ka siguruar disa foto dhe një video të xhiruar brenda objektit, ku shihet qartë thyerja e xhamave dhe e derës, pllakat e gurit që janë përdorur për dhunën dhe aktet e tjera të vandalizmit brenda shtëpisë-muze. Por çfarë rezulton më e rëndë është ngjitja në objekt edhe e një posteri ku shkruhet “Vdekje për shqiptarët” (Smrt za shiptari). Ndërkohë që në muret jashtë godinës është pikturuar zvstika, kryqi nazist.

I pari që ka dënuar ashpër ngjarjen ka qenë kandidati shqiptar për deputet në Maqedoni, Muhamed Zekiri, që është shprehur: “Ja si na uruan diten e Alfabetit partneret e DUI-t – VMRO DPMNE. Kjo ka ndodhur sot në Manastir në Muzeun e Alfabetit”. Është e dyta herë brenda 3 vitesh që persona ende të paidentifikuar nga policia maqedonase dhunojnë një nga shtëpitë simbol të historisë së kombit shqiptar, duke shkaktuar provokime jo vetëm brenda Maqedonisë.

KONGRESI I MANASTIRIT 

Sot shqiptarët festojnë 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit Shqip, që u unifikua 108 vjet më parë në Kongresin e Manastirit. Kjo festë është paralajmëruar të jetë tradicionale dhe sa më shumë të marrë jehonë në mbarë trevat shqiptare. Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit të vitit 1908. Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe. Në Manastir, në atë kohë, kanë marrë pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, pasi qyteti ka qenë qendër e konsujve dhe ishte më i sigurt për mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm kombëtar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb