Nëntoka e lagjes 11 në qendër të Durrësit i ka befasuar përsëri arkeologët me një zbulim të ri, ndërsa bashkëjetesa e ndërtimeve të fundit në qytet me të kaluarën e tij mijëvjeçare sa vjen dhe vështirësohet.


Që prej 30 vitesh në qytetin antik nuk është ruajtur asnjë monument madhor i zbuluar, si amfiteatri apo mozaiku “Bukuroshja e Durrësit”.


Prof. Brikena Shkodra që nga viti 2015 ka kryer disa sondazhe në oborret e banesave të lagjes 11, por zbulimin e muajit të kaluar ajo e dallon nga të tjerët.


“Bëhet fjalë për lidhjen ende të pavërtetuar të një kompleksi të rëndësishëm termal me tubacionin – kanal mbitokësor që e furnizon me ujë atë,” tregon arkeologia Shkodra, për objektet e antikitetit të vonë që u gjetën në të dy anët e rrugës “Mustafa Varoshi”.

Sipas saj, zbulimet e fundit fillojnë të hedhin dritë mbi një periudhë pak të njohur të qytetit, në shekullin e 4-rt të erës sonë, kur Durrësi u caktua si kryeqendër e Epirit të Ri.

Njëlloj si më parë, Durrësi vijon ta marrë ujin e pijshëm me tubacione të instaluara mbi ura nga lumi Erzen, pranë fshatit Rromanat, por sistemi i shpërndarjes brenda qytetit nuk shfrytëzon më tubacionet nëntokësore prej plumbi të vulosura që i përkasin periudhës romake, pra shekujve të parë të erës sonë.

Zbulimi i fundit i Shkodrës ka vërtetuar se pas reformave të perandorëve Dioklecian dhe Kostantin, qyteti e ka ndryshuar standartin urbanistik të furnizimit me ujë nëpër lagjet e tij.

Strukturat prej murature me gjysmëharqet prej tulle dhe llaç hidroizolues që u zbuluan në oborrin e familjes Mima, vetëm 200 metra prapa teatrit “Aleksandër Moisiu”, mbanin mbi vete kanalin e dukshëm të ujit në një formë të re, të paaplikuar më parë.

Gjetjet në oborret e shtëpive dëshmojë se jeta në këtë lagje ka vijuar pa ndalim për shumë shekuj, megjithë vështirësitë që krijonte rrëshqitja e kodrës pranë saj. Prof. Brikena Shkodra thotë se banorët nuk donin ti largoheshin portit, por mbi të gjitha jetesa e tyre bëhej më e lehtë, kur shfrytëzoheshin elementët e mëparshëm të ndërtimit.

Familjet durrsake mbështesin ekspeditat

Brikena Shkodra Arkeologe Gjate Punes 1 533x400
Brikena Shkodra Arkeologe Gjate Punes 1 533×400

Brikena Shkodra flet me simpati për familjet durrsake Mima, Spiru dhe Dakoli, të cilat i kanë vënë në dispozicion oborret e shtëpive për sondazhet e saj arkeologjike. Sipas arkeologes të kesh punëtorë për një muaj radhazi në oborr, si në rastin e fundit, dhe në një sipërfaqe mjaft të vogël, përbën një sakrificë për familjarët.

“Unë e mirëkuptoj edhe shqetësimin që u krijohet pas zbulimit të objekteve me vlerë historike-thotë Brikena.

Shpesh herë ata nuk guxojnë t’i restaurojnë banesat e tyre, pasi nuk e dinë se si do të veprojë më vonë shteti me monumentet e zbuluara. Por trishtimi i tyre bëhet më i madh, kur vetëm pak metra pranë, nuk është respektuar Ligji për Trashëgiminë Kulturore dhe janë dhënë leje për ndërtimin e pallateve deri në 12 kate. Kjo lagje bën pjesë në zonën A të riskut arkeologjik dhe ndërtimet duhet të jenë të kufizuara tërësisht, por trajtimi nga institucionet është i ndryshëm.

Në këto kushte disa familje i kanë nxjerrë në shitje banesat ku kanë jetuar për afro një shekull. Brikena shprehet për BIRN, se ky është një rast i mirë për bashkinë e qytetit, e cila në bashkëpunim me dikasteret qendrore mund të bëhet pjesë e kompensimit të këtyre familjeve, pasi nëntoka e lagjes garanton për zbulime me shumë vlerë për qytetin.

Deri tani, specialistët kanë patur mbështetjen e Institutit të Arkeologjisë, ndërsa prania e pushtetit vendor është thuajse e padukshme-shton prof. Brikena Shkodra.

30 vjet kërkime, asnjë monument për publikun

Zbulimi Te Lulishtja 1 Maj 567x400
Zbulimi Te Lulishtja 1 Maj 567×400

Në qytetin antik të Durrësit zbulimi i fundit arkeologjik që është konservuar nga specialistët i përket fundviteve 1980, kur u bllokua projekti i ndërtimit të një grupi pallatesh pas godinës së teatrit “Aleksandër Moisiu”. Ekspedita e prof. Afrim Hotit në këtë zonë nxori në dritë Rotondën mesjetare, i njohur gjerësisht si Forumi Rrethor.

Zbulimet në pjesën veriore të lagjes 11 i takojnë periudhës pas viteve 1990. E njohur si Zona A arkeologjike – e rëndësisë së veçantë për nëntokën e Durrësit, ndërhyrjet ndërtimore në këtë territor para viteve ’90 kanë qenë shumë të kufizuara.

Megjithëse vazhdon të jetë pjesa më pak e prekur e qytetit nga ndërtimet, lagjia 11 në të gjitha rastet e gërmimeve me qëllime ndërtimi ka dhuruar mrekulli të çdo lloji, disa të shpallura dhe disa të tjera të fshehura e të betonuara nën tokë. Monumenti në mermer i Geas, perëndesha e tokës dhe pjellorisë ishte një prej tyre.

Në bodrumet e njërës prej godinave të banimit pranë rrugës “Aleksandër Goga” ruhen fragmente të një furre për prerjen e monedhave të qytetit në antikitet si dhe një mozaik me vlerë; një tjetër godinë pranë shkollës “Shaqe Mazreku” është ngritur pranë trakteve të fortifikimit verior të kalasë bizantine të Durrësit.

Mozaiku dyngjyrësh i Hipokampit, i njohur si mozaiku me kalë deti ndodhet i mbuluar në një kryqëzim rrugor, shumë pranë bulevardit të Dëshmorëve. Mozaiku bardhë e zi është  hapur dhe mbuluar tre herë që nga viti 1947, pasi sipas specialistëve ruhet më mirë nën tokë se sa nën veprimin e agjentëve atmosferikë. Një tjetër mozaik me rozetë dhe 12 petale shumëngjyrëshe ka mbetur pranë shkallares së një pallati të ri, ndërtuar pranë vendit ku ndodhet mozaiku me kalë.

Shumë pranë tyre, në ish-lulishten “1 maj” edhe një zbulim tjetër i mrekullueshëm, dy lagje mesjetare e antike mbi njëra-tjetrën, fati i të cilave duket se do të jetë ekspozimi pjesor në bodrumin e godinës së banimit që u ngrit mbi të.

“Që prej tre dekadash në Durrës nuk ka shpëtuar asnjë zbulim madhor dhe objektet arkeologjike ndonjëherë kanë përfunduar nën themelet e godinave shumëkatëshe,” shprehet prof. Brikena Shkodra.

Disa ditë më parë ajo ka mbuluar përsëri me dhe’ objektin e sondazhit të fundit, që dëshmon sistemin urban të furnizimit me ujë brenda qytetit në shekullin e 4-tërt të erës sonë.

“Nuk është e lehtë të bllokosh studimin deri në verën e vitit të ardhshëm, por në profesionin tonë dihet se strukturat e zbuluara i ruan më mirë nëntoka,” përfundoi arkeologia./ BIRN