Heshtja kaploi mbrëmë miliona njerëz, ndërsa ndiqnin drejtpërdrejtë djegien e katedrales së Notre Dame të Parisit. Rrallëherë fatkeqësia e një godine mund të prekë aq thellë në brendësinë e qenieve njerëzore. Të shtangur, me një vështrim të mpirë prej trishtimit, me dhimbjen për atë masë gurësh mbi 800-vjeçarë, njerëzimi përjetoi rrënimin e një pjese të historisë së tij. Dukej se në flakë nuk po kallej një ndërtesë, por një qenie e gjallë, që kish marrë jetë në shekuj në shpirtin e çdo francezi. Ndoshta e njëjta dhembje, mbase edhe më e madhe, nëse do të bëhej fjalë për një tragjedi me jetë njerëzore.

Ekzistenca e një ndërtese mund të marrë trajtën e një ekzistence njerëzore përsa kohë ajo është e lidhur me kujtimet e atyre që jetojnë me të. Ajo kthehet në pjesë të jetës së tyre jo thjesht si objekt, por si një dëshmitare e dashurive, vuajtjeve, gëzimeve, ngjarjeve të vogla apo ndodhive të përditshme. Bëhet pjesë e rrëfimeve dhe e memories njerëzore, mbartëse e kujtimeve qindravjeçare që brezat ua transmetojnë njëri-tjetrit. Ekzistenca e saj është diçka që njerëzit e zakonshëm e përcjellin edhe si dëshmi të ekzistencës së tyre. Duke e pasur të pranishme në rrëfimet e tyre, ata komunikojnë me të, krijojnë një raport të veçantë emocional, preken kur rikthehen pas një mungese të gjatë, u mungon kur largohen nga vendi i tyre, mjafton një foto që t’i përlotë, duke përzierë në shpirtra kujtime të largëta që ai objekt i mbart ndër gurët e tij.

Janë pikërisht këto ndërtesa, qofshin madhështore si Notre Dame apo të thjeshta si kinemaja e vjetër e një lagjeje, që lidhin rrënjët dhe shpirtrat e atyre që jetojnë bashkë me to. Ato përbëjnë “memorien e pafajshme”, që i bën njerëzit më të ndjeshëm, më të butë, më të dashur me njëri-tjetrin, që krijon historinë e vogël të përbashkët dhe kujdesin për ta përcjellë atë të padëmtuar tek ata që vijnë më pas. Kjo memorie mban gjallë emocionet, nostalgjinë, historinë dhe vetë rrëfimin e lashtë që i jep kuptimin jetës njerëzore. Godinat, pemët, rrugicat, madje edhe qentë apo macet e lagjes, që e përbëjnë këtë memorie, frymojnë bashkë me banorët e tyre. Ndaj, humbja e tyre dhemb po ashtu si një humbje njerëzore.

Shoqëritë njerëzore që nuk e kanë këtë dimension të ekzistencës së tyre, janë më të vrazhda, me mungesë thuajse të plotë të solidaritetit human. Ato motivohen nga materializmi, eksitimi për të fituar, individualizmi dhe papërgjegjshmëria ndaj të përbashkëtës. Për këto shoqëri, gjithçka fillon e mbaron brenda mureve të shtëpisë së tyre. Memoria e tyre regjistron vetëm vlerën e pasurisë që mund të mbledhin, si të vetmen vlerë që do të lenë pas. Rrëfimi i përbashkët që do t’i bënte qenie më sociale, më të ndjeshme e më të përgjegjshme, e ka humbur fillin dhe konflikti, si dominim i më të fortit, kthehet në ligjësi.

Ne të gjithë jemi dëshmitarë se si ndër dhjetëra vjet ranë të gjitha godinat, lagjet dhe hapësirat ku gjallonin kujtimet tona. Bashkë me to u fshi edhe ajo memorie e pafajësisë që kishte rritur disa breza. U zhduk Tirana historike, shtëpitë e vjetra, pastaj me radhë kinematë, fushat e sportit, dyqanet e vogla, parqet e lodrave. U shkatërrua lulishtja emblematike e sheshit “Skënderbej”, u shemb stadiumi, do të prishet Teatri Kombëtar, Durrësi antik e kështu me radhë. Më të fortët do ngrenë kulla, ndërtesa moderne, kryevepra të arkitekturës, të cilat do të prodhojnë memorien tonë të re, atë të asgjësimit të përkatësisë së përbashkët dhe lartësimit të etjes për të fituar, duke shkelur mbi gjithçka e mbi gjithkënd.

Prej shumë vitesh po ecim në këtë rrugë dhe habitemi pse jemi gjithnjë një shoqëri në konflikt permanent. Prekemi papritur vetëm nga një foto bardhezi, që dikush e hedh në “Facebook” e na provokon nostalgjinë për qytetet tona, që nuk i përfshiu flaka, por i fshiu kazma që i vumë vetë ne. Ku jetojnë kujtimet e gjyshërve, prindërve tanë? Po kujtimet tona, cilat janë? Nuk ka mbetur më asgjë. Edhe fotot ngacmojnë emocionet e atyre që i mbajnë mend dhe i kanë përjetuar lagjet e qyteteve tona të dikurshme e që do vazhdojnë të jetojnë edhe pak kohë pas tyre. Po fëmijëve tanë, çfarë memorie u kemi lënë nga jetët e mëparshme? A ndjejnë ata diçka kur shemben edhe shenjat e fundit të kujtesës sonë, për t’ua lënë vendin strukturave të xhamit e betonit?

Në sytë e tyre nuk do të gjendet kurrë ai trishtim sublim që rridhte tek miliona francezë ndërsa shihnin katedralen e Notre Dame të përpëlitej mes flakëve. “Sot po digjet një pjesë e jona – tha presidenti francez. – Ajo është historia jonë, letërsia jonë, imagjinarja e jonë. Ajo është epiqendra e jetës sonë”. Po epiqendra e jetës sonë, cila është? Atë ne e kemi djegur prej kohësh. Prandaj është e kotë, ne nuk do të përjetojmë kurrë të tilla ndjesi si ato që përjetuan mbrëmë miliona qenie njerëzore, ndërsa shihnin të digjej një pjesë e shpirtit, e jetës dhe e kujtimeve të tyre./Lapsi.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb