Nuk ishte aspak një verë e thjeshtë ajo që përjetuan italianët e sidomos tekniku i “azzurrëve”, Luciano Spalletti, pas dështimit në Euro 2024. Kombëtarja italiane edhe pse arriti të kualifikohej në grup, u eleminua menjëherë në fazën tjetër nga Zvicra. Por më shumë se sa për eliminimin, italianët ishin zhgënjyes me nivelin e futbollit që treguan në Gjermani. Megjithatë drejtuesit më të lartë të futbollit në Itali, besojnë ende tek Spalletti aq sa e konfirmuan në krye të stolit. Tashmë ka ardhur momenti që “azzurrët” të ndryshojnë kapitull e të hedhin pas krahëve atë se ç’ka ndodhi në europian. Në Coverciano shikohen fytyra të reja, duke nisur që nga Tonali, Moise Kean, apo Brescianini, emra të rinjë, që mund t’i japin freskinë “azzurrëve”, freski e cila mungoi në ndeshjet e evropianit ndaj për Spalletin rigjenerimi i grupit është një element kyë, për ta rikthyer skuadrën e tij në shinat e duhura.

Sfida e parë është ndaj Francës, menjëherë një përballje e fortë, ku në Paris do të ndeshen dy ish finalistët e Kupës së Botës në 2006.

Përpara kësaj sfide, foli edhe Spalletti, ai vlerësoi kundërshtarin, si dhe shpalosi objektivat e “azzurrëve” në këtë Nations League.

“Personalisht ndjehem përgjegjës për mënyrën se si shkuan gjërat në Euro 2024. Lojtarët nuk kanë asnjë faj. Ndaj Zvicrës ishte një ndeshje shumë e shëmtuar. Kam 30 vite që e bëj këtë profesion dhe mund t’ju them se kurrë një skuadër e drejtuar nga unë, të ketë luajtur në atë mënyrë.

Megjithatë jemi gati për kthyer faqe. Kemi një skuadër me kualitet, sigurisht është vetëm nisja e sezonit dhe gjendja fizike e lojtrëve nuk është optimalja”, theksoi ndër të tjera tekniku “azzurr”.

Spalletti nuk do të ketë të gatshëm për sfidën ndaj Francës, Chiesën, Tonalin, Locatellin dhe Jorginhon për shkak dëmtimesh. Kujtojmë që sfida Francë-Itali do të luhet në Paris të premten në mbrëmje. Italia është pjesë e Ligës A, së bashku me Francën, Belgjikën dhe Israelin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: