Nga: DENION NDRENIKA *
I dashur ambasadori Helmut Hofman! Unë e kuptoj sinqeritetin Tuaj për habinë mbi dyshimet se ‘Bunk’Arti’ shihet si frikë për rehabilitimin e Enver Hoxhës. Por, në Gjermaninë Tuaj nuk i hapi dosjet as nipi i Gëbelsit, as i Geringut, as i Honekerit”.
Këto fjalë i vendosa në një status në profilin tim në rrjetin shoqëror “Feisbuk” (“Facebook”) mesditën e së martës.
Më duhet të them në këtë fillimshkrimi se nuk është ndonjë replikë me ambasadorin.
Mund të duken si dy çështje të ndryshme, pra dosjet dhe Enver Hoxha, mirëpo jo, përderisa ishin të të njëjtit regjim.
Mora shkas për këto dy a tri rreshta nga fjala e ambasadorit të Gjermanisë, Helmur Hofman në tryezën këshillimore apo “konsultuese”, siç e quajnë gjuhëshqiphumburit, mbi Parimet e Trajtimit të Trashëgimisë së ish-Sigurimit të Shtetit në Shqipëri gjatë periudhës 1944-1991.
Domosdo që kënaqësia është e madhe kur sheh një shqetësim dhe veçanërisht, kur parashtrohet prej një titullari, praktikisht vetë qeverisë së një vendi me histori të rënduar në të shkuarën e 100 vjetëve të fundit, domethënë Gjermanisë.
Zakonisht nuk shkruaj shkëputurazi, veçanërisht kur janë fjalë të dikujt tjetër. Andaj, po ruaj një kërkim ndjese nëse ka diçka të ndryshme në fjalën e ambasadorit Hofman:
“Kur isha në hapjen e ‘Bunk’Art’-it, dëgjova fjalimin e kryeministrit Rama; ai ishte mjaft mbresëlënës. Hapja e tij u interpretua si rehabilitim i regjimit të Enver Hoxhës, por është ndryshe. Hapja e ekspozitës ishte mjaft pozitive. Ka qenë përvojë e hidhur të lexoja në disa gazeta që ambasadori gjerman ka thënë se “ky është proces i vështirë, mos u angazhoni” (“BalkanWeb”).
U përqendrova tek ato radhë të hapjes së shkrimit, sepse në të vërtetë nuk besoj hiç që zoti Hofman të ketë harruar vërtetë se në vendin e tij të madh hapjen e dosjeve të “GESTAPO”-s (formuar nga shkronjat e para të emërtesës “Geheim Staat Polizei” apo “Policia e Brendshme e Shtetit”) në kohën e diktaturës tmerruese brenda dhe jashtë Gjermanisë ta kenë bërë familjarë, fëmijë, nipër, mbesa, farefis apo krushqi të Hajnrih Himlerit (shefi i “SS”-ve), Herman Gëringut (Hermann Wilhelm Göring (themelues dhe shefi i “GESTAPO”-s), as të Ernest Rëmit (Ernst Julius Günther Röhm, shefi i “SA”-ve paraardhëse të “SS”-ve”).
Natyrisht që hapjen e dosjeve të “STASI”-it apo “Sigurimit të Shtetit”, “Shtatziherhajt” (formuar nga shkronjat e para të emërtesës “Staatssicherheit”) në Gjermani ambasadori Hofman besoj e di (nëse nuk ka ndonjë fshehtësi në këtë proces), ta kenë bërë gjithashtu bërë familjarë, fëmijë, nipër, mbesa, farefis apo krushqi të Erih Honekerit (Erich Honecker, udhëheqësi komunist i Gjermanisë Lindore), as të Egon Krencit (Krenz, udhëheqës i partisë), as të Erih Milkes (Erich Mielke) shefi i “STASI”-it) dhe madje as të Lotar de Meise (Lothar de Maizière), kryeministri i fundit “i moderuar” i RDGJ-së.
Nëse do të përfshiheshim në diskutimin e hapjes së dosjeve apo jo, patjetër që më e mira do të ishte të bëhej, pra të hapeshin.
Qeveria mendon që për hapjen e dosjeve të veprojë si Gjermania me ndoshta 85 milionë banorë, ku farefisnitë, tarafllëqet, hatërllëqet, thuajse shpërfillen shërbimin lindor “STAS” apo “Shtatziherhajt”, “Staatsi-cherheit”.
Ambasadori Hofman thotë se “nuk është diçka e thjeshtë” dhe se “do të jetë mjaft e hidhur, por ka një përfitim të jashtëzakonshëm”.
“Proces i vështirë, por sidoqoftë i shëndetshëm për t’u angazhuar në të. Komisioni për ‘STASI’-n t’ju shërbejë si model. Megjithatë, ne nuk jemi këtu për t’u thënë se si ta bëni, por jemi këtu për t’ju ofruar këshillim. Ky është një debat që duhet të zhvillohet mes shqiptarëve”, – tha zoti Hofman.
Në Gjermaninë me ndoshta 85 milionë banorë, farefisnitë, tarafllëqet, hatërllëqet, thuajse shpërfillen (padyshim, duke mos përjashtuar rastet e mundshme të përdorimit të të dhënave).
Shoqëria gjermane e ka bërë dy herë vetëpastrimin pas Rajhut të Tretë të Adolf Hitlerit dhe Republikës Demokratike Gjermane, që me “STASI”-n kishte mundur të hynte deri në sekretarinë e kancelarit Vili Brand.
Shqipëria është vend i vogël dhe fatkeqësisht në bashkëudhëtim farefisnor dhe keqpërdorues të të dhënave. Atëherë, duhet të shqetësohemi për ata që mund të dalin bashkëpunëtorë apo për veten tonë që do të na i japin të dhënat familjarët, fëmijë, nipër, mbesa, farefis apo krushqi të njerëzve të Sigurimit të Shtetit apo të Byrosë Politike?
Sepse, i dashur ambasadori Hofman, në Gjermani as kanë qenë dhe as janë pasues të njëri-tjetrit në pushtet apo opozitë familjarë, fëmijë, nipër, mbesa, farefis apo krushqi të nazizmit apo komunizmit. Shumë nazistë dhe komunistë, si edhe Honekeri në Kili vdiqën në arrati, kurse në Shqipëri ata, domethënë komunistët, nderohen me medalje, u jepen pensione dhe dëmshpërblim të viteve të burgut “modern” pas disa proceseve qesharakë të viteve ‘90.
Kurse, në Shqipëri jashtëzakonisht fatkeqësisht janë në pushtet ose në opozitë familjarë, fëmijë, nipër, mbesa, fare fis apo krushqi të Enver Hoxhës, punonjës të diktaturës, sot të devotshëm partiakë apo institucionalë në çdo nivel.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: