Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla  ka reaguar gjatë një aktiviteti në Cërrik lidhur me vendimin e Këshillit Europian për të mos çelur negociatat me BE.


“Në të gjithë Shqipërinë ka një keqardhje nga mungesa e një vendimi nga ana e Këshillit Europian. Është një proces shumë i rëndësishëm. Por nëse e krahasojmë është si një nxënës që ka mbaruar shkëlqyeshëm shkollën e mesme dhe për arsye që vetëm Franca i di, i refuzohet e drejta për të shkuar në universitet. Është si historia e regjimit të kaluar që nxënësit të mirë, nëse kishte biografi të keqe, si jepej e drejta e shkollimit.”- u shpreh Balla.

Deklarata e plotë:


“Jemi sot në fillimin e këtij projekti teksa në Bruksel Këshilli Europian diskutoi lidhur me vendimin për të filluar procesin e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.


Është një proces shumë i rëndësishëm. Por nëse e krahasojmë është si një nxënës që ka mbaruar shkëlqyeshëm shkollën e mesme dhe për arsye që vetëm Franca i di, i refuzohet e drejta për të shkuar në universitet. Është si historia e regjimit të kaluar që nxënësit të mirë, nëse kishte biografi të keqe, si jepej e drejta e shkollimit.

Unë dua ta falenderoj qeverinë gjermane edhe për atë që bëri në Bruksel edhe për këtë projekt këtu në Cerrik. Natyrshëm, në të gjithë Shqipërinë ka një keqardhje nga mungesa e një vendimi nga ana e Këshillit Europian, por ne si shqiptarë duhet të jemi krenarë që arsyet e refuzimit nuk lidhen me diçka që Shqipëria nuk ka arritur ta bëjë.

Bashkimi Europian në strukturën e vet përbëhet nga tre institucione bazë, Këshilli, Parlamenti dhe Komisioni. Komisioni Europian rekomandoi në qershor të këtij viti që Shqipërisë t’i hapen bisedimet për anëtarësim, bazuar në një analizë faktike dhe shumë të detajuar lidhur me atë që Shqipëria ka realizuar në 5 prioritetet bazë, ndër të cilat padyshim guri i themelit mbetet reforma në drejtësi.

Po kështu edhe Parlamenti Europian, 11 muaj më parë miratoi një rezolutë që vlerëson se Shqipëria i ka përmbushur kriteret.

Tani po brenda BE-së, Këshilli nuk bie dakord, ose thënë qartë, refuzon vendimin e institucioneve të veta. Mendoj që kjo më shumë është një çështje e kredibilitetit të vetë BE-së sesa e procesit që lidhet me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë.

Maqedonisë së Veriut ju desh të bënte diçka, që rrallë popuj e bëjnë, siç është të pranosh të ndryshosh emrin për të hyrë në BE. Shqipëria ndërkohë ka ndryshuar Kushtetutën për të ndryshuar tërësisht sistemin e drejtësisë në vend, për të pastruar këtë sistem nga gjyqtarë e prokurorë të korruptuar. Majde, jemi i vetmi vend në Europë që kemi pranuar të fusin në Kushtetutë parashikimet për një operacion ndërkombëtar monitorimi i cili të verifikojë gjithë këtë proces të implementimit të Reformës në Drejtësi.

Këto janë reforma që ne i kemi bërë me bindjen që edhe BE do t’i qëndrojë, le të themi, angazhimit të vet. Para dy vitesh na u tha që, sapo procesi i vettingut të fillojë të japë rezultate, negociatat do të hapen. Tani, nga procesi i vettingut kanë kaluar rreth 200 gjyqtarë e prokurorë, e për fatin e mirë të shqiptarëve, gati gjysma nuk e kanë kaluar këtë proces Vettingu.

Edhe përsa i përket një argumenti që u përdor nga Presidenti francez, lidhur me numrin e azilkërkuesve shqiptarë në Francë, numri i azilkërkuesve shqiptarë në Francë është i pakonsiderueshëm në krahasim me numrin e azilkërkuesve të Rumanisë apo Bullgarisë, apo Kroacisë. Raporti mund të jetë 1 me 100. Pra pretendimi i azilkërkuesve nuk qëndron.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb