Deri tani ka ndjekur gjurmët e Lionel Messi. Ashtu si “Pleshti”, edhe ai debutoi në moshën 16-vjeçare me skuadrën e parë të Barcelonës, duke lënë menjëherë shenjë. Bëhet fjalët për Ansu Fati, i cili shfrytëzoi mungesat e shumta te skuadra katalunjase. Besimin e trajnerit Ernesto Valverde e shpërbleu me dy gola, kundër Osasuna dhe Vanencias, ndërsa tregoi edhe të gjithë talentin e tij.
I lindur në Guinea-Bissau, sulmuesi ka tërhequr vëmendjen e gjithë Europës, ndërsa ka vënë në lëvizje klubin “blaugrana”, që kërkon ta blindojë për të ardhmen. Aktualisht, Ansu Fati ka një kontratë me Barcelonën deri në vitin 2022, ku përfshihet edhe një klauzolë 100 milion euro, e denjë për yjet e afirmuar të futbollit botëror. Por sipas mediave katalunjase, kampionët e La Liga do t’i ofrojnë rinovimin 16-vjeçarit, sigurisht duke rritur ndjeshëm edhe të ardhurat e tij.
Për të qëndruar te financat, me kalimin te skuadra e parë dhe aktivizimi i tij në kampionat, Ansu Fati do të fitojë në këtë sezon 1 milion euro, ndësa paga e tij do të rritet deri në 1.5 milion euro në vitin e tretë. Por me rinovimin e kontratës, këto shifra do të zëvendësohen, duke u rritur ndjeshëm për të larguar futbollistin nga çdo tundim në merkato.
(balkanweb)