TIRANE

Në një kohë kur sot pritej që të jepej masa e sigurisë nga Gjykata e Tiranës për Ervis Martinajn, një nga protagonistët e përfshirë në masakrën e 4 tetorit në ish-Bllok, ku një person mbeti i vrarë, dhënia e vendimit është shtyrë.

Mësohet se vendimi për Martinajn, i cili po ashtu mbeti i plagosur në ngjarjen në fjalë, do të jepet ditën e nesërme, pas provave të reja të paraqitura sot nga prokuroria. Kujtojmë se nesër Martinajt i mbaron afati për masën e sigurisë prej 30 ditësh qëndrimi në burg.

Prokuroria siguroi prova të reja për vrasjen në ish-Bllok, të cilat rëndojnë pozitën e Ervis Martinaj, aktualisht në burg.

Prokuroria ka zbuluar biseda në aplikacionet Whatsapp dhe Telegram të Martinajt me miqtë e tij pak minuta para ngjarjes ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha. E pikërisht me viktimën por edhe disa miq të tjerë duket se ka komunikuar 36-vjeçari Martinaj. Gazetarja Lala duke cituar burime nga prokuroria, raportoi se kur Martinaj është paraqitur në lokalin Monopol iu ka kërkuar miqve të afroheshin dhe të paraqiten aty të pajisur me armë.

Pra, sipas prokurorisë nuk ka qenë takim i rastësishëm siç ka thënë Martinaj në dëshminë e tij dhe sherri nuk ka pasur si shkak ngacmimet e këngëtares Elvana Gjata por konflikte të mëparshme. Kjo është një provë e re por ekspertiza e telefonit mund të nxjerrë të tjera detaje. Ndërkohë në bazë të provave balistike, rezulton se Martinaj nuk ka qëlluar me armë mbrëmjen kur ndodhi ngjarja.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb