TIRANË- Gjykata e Apelit ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për Ervis Martinajn. Ky i fundit ishte prezent në vrasjen e 4 tetorit në zonën e Ish-Bllokut.

Trupa gjykuese duke shqyrtuar të gjithë dinamikën e ngjarjes, nuk ka pranuar kërkesën për liri të bërë nga Martinaj. Pas vendimit, ka folur për mediat edhe avokati, i cili deklaroi se nuk ka prova që e implikojnë Martinajn në vrasjen e Bllokut.

Ai shtoi se klienti i tij nuk është i përfshirë në këtë vrasje dhe pretendimet se Redi Poposku ka fshehur armën e Martinajt, i ka quajtur thjesht aludime.

“Nuk rezulton të këtë ndonjë provë sado të vogël, që mund ta lidh të mbrojturin prej meje me ngjarjen e 4 tetorit. Ndalimi ishte në pjesën për ti dhënë prokurorisë kohë për të bërë ca prova. Në hetimet e Gjykatës përkatësisht definicioni dhe konkluzioni i disa akteve të ekspertimit kompjuterike  dhe balistike. Nëse Prokuroria nuk bënë kërkesë tjetër për një masë  arresti, natyrisht që do të lirohet automatikisht.  Nuk ka mundësi që të provohet fakti që mund të kishte armë, sepse nuk ekziston  ky fakt, sepse nuk ka patur armë në lokal”, tha avokati i Ervisit, Mirash Martini.

Avokati i të plagosurit tjetër, Elion Hato tha para mediave se kërkesat e parashtruara prej tij nuk janë pranuar nga Gjykata e Apelit.

“Ata që kërkuam ne nuk e pranuan. Nuk janë kushtet dhe rrethanat për shkak të rëndësisë së ngjarjes dhe nuk është e përshtatshme kërkesa që bëmë ne në lidhje me ndryshimin e masës së sigurimit  të Gjykatës së Rrethi Gjyqësor Tiranë”, u shpreh, Zeni Qinani, i cili është avokati i Elion Haton.

Pas ngjarjes së rëndë  të ndodhur në zonën e Ish-Bllokut, Gjykata e Tiranës dha masën e sigurisë  “arrest me burg” për 30 ditë ndaj tij.

Vrasja që tronditi opinionin publik ndodhi në mbrëmjen e 4 tetorit në një nga zonat më të frekuentuara të Tiranës, përkatësisht në Bllok.  Në këtë ngjarje mbeti i vrarë Fabiol Gaxha, ndërsa Martinaj së bashku me Elion Hato mbetën të plagosur.

Ndërkohë, të përfshirë në këtë ngjarje ishin edhe Redi Poposku, pronar i lokalit ku ndodhi vrasja, komandoja Mervjol Bilo, Ervin Mata, Fabjol Alushin si dhe këngëtarja e njohur Elvana Gjata.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb