Deputeti i PD, Ervin Salianji tha gjatë seancës që po zhvillohet në Gjykatën e Apelit se denoncimet e bëra prej tij lidhur me çështjen “Babale”, janë të provuara me fakte.
Ligjvënësi demokrat solli në vëmendje denoncimin e bërë prej tij për Geron Xhafën, vëllanë e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i dënuar në Itali me burg për trafik droge.
Gjithashtu, Salianji theksoi se ka fituar në gjykatë të gjitha çështjet me personazhet që ai ka denoncuar.
“Geron Xhafa ishte i dënuar në Itali për drogë dhe ishte i lirë në Shqipëri dhe kishte vëllain ministër të Brendshëm. Ne nxorëm dokumentin dhe e denoncuam por nuk pati asnjë reagim.
Në funksionin tim si deputet dhe sekretar kam bërë denoncime të ndryshme në lidhje me funksionarë te lartë, për Arben Ndoka, Agron Cara, Flamur Bibe, Damian Gjiknuri, Erion Veliaj, Saimir Tahiri, Geron Xhafa, Artur Bushi, Ervin Rroshi, Vangjush Dako, Safet Gjici, Pjerin Ndreu dhe kështu me radhë.
Të gjitha këto çështjet kanë qenë të denoncuara prej meje dhe të çuara në gjykatë. Të gjitha çështjet që kanë pasur në çdo gjykatë janë fituar.
Në vitin 2017 kemi nisur një denoncim për ish-ministrin e Brendshëm dhe deputetin e PS, që kishte favorizuar vëllain e tij me këto dy emra, i dënuar për trafik lëndësh narkotike, dhe i qënka dëmtuar reputacioni.
Ne kemi nxjerrë dokumentin gjyqësor të gjykatës italiane ku kemi thënë ky njeri ka dënim, ndërkohë vëllai është ministër i Brendshëm”, tha Salianji.
(BalkanWeb)