Donald Trump nuk ka ndërmend të nisë negociatat me Europën për heqjen apo rinegocimin e tarifave. Presidenti amerikan, duke folur para gazetarëve në bordin e Air Force One, akuzoi Evropën duke thënë se “ata na trajtojnë shumë, shumë keq” dhe e bëri të qartë se do të ketë bisedime “vetëm nëse na paguajnë shumë para çdo vit”.
“Evropa ka bërë pasuri me ne”, tha Trump, duke shtuar se evropianët kanë një suficit tregtar kundër SHBA-së pasi nuk importojnë produkte amerikane.
“Ata nuk na i marrin makinat, nuk na i marrin prodhimet bujqësore, nuk marrin asgjë. Ne marrim Mercedes, Volkswagen, BMW, miliona makina. Ata nuk marrin asnjë nga tonat. Europa na ka trajtuar shumë keq”, tha ai.
Trump përsëriti se nuk do të ulet në tryezën e bisedimeve nëse nuk ka dëmshpërblime financiare si për të tashmen ashtu edhe për të kaluarën. “Ata duan të flasin, por nuk ka bisedime nëse nuk na paguajnë çdo vit një shumë të madhe – edhe tani edhe në të kaluarën, sepse na kanë marrë një pjesë të madhe të pasurisë sonë dhe ne nuk do ta lejojmë më”, tha ai.
Në të njëjtën kohë, ai riktheu kritikat e tij të njohura për kontributin evropian në NATO , duke deklaruar se situata nuk është e qëndrueshme. “SHBA nuk mund të humbasë 1.9 trilion dollarë në tregti dhe në të njëjtën kohë t’i paguajë NATO-s shuma të mëdha për të mbrojtur vendet evropiane. Ne i mbulojmë ato ushtarakisht dhe pastaj humbasim para nga tregtia. Kjo është e gjitha çmenduri ,” tha ai.
Trump vazhdoi duke thënë se pikërisht kjo qasje ishte një pikë kyçe e fushatës së tij zgjedhore. “Unë u zgjodha për këtë arsye. Ne e shpjeguam. Populli amerikan e kupton këtë shumë më mirë se sa media”.
(BalkanWeb)