TIRANE

Dëshmitar i ngjarjeve të 2 korrikut 1990, kur shqiptarët u dyndën në dyert e ambasadave, skulptori Agim Rada ka përjetësuar në një vepër të tij në Rrugën e Ambasadave. Në fjalën e tij në ceremoninë përkujtimore të eksodit të ambasadave, Rada kujtoi edhe bisedën me kryeministrin Rama.

“Flas si dëshmitar okular, kam përjetuar cdo sekondë. Edhe kur u përplas makina aty në ambasadën gjermane kam qenë aty. Ne këtu  përjetuam një valle absurde valle vdekjeje, njerëz të masakruar, të uritur, të shëmtuar fizikisht, të pistë, të palarë, njerëz që një monstër i kishte mbyllur në një konservë e nuk i linte të dilnin, qoftë edhe një tingull muzike që i ndalonin apo na burgosnin për dy fije floku që na burgosnin. Ne jetuam një absurd që nuk ka qenë i ngjashëm me asnjë në botë. Ne ëndërronim lirinë.

Erioni përmendi kryeministrin këtu, unë kam punuar me të atin e tij kur kam qenë i ri dhe deri ditën kur ndërroi jetë, përpos respektit si njeri i mrekullueshëm, njihem me Edin se ishte i biri i profesorit. Ja te kjo rrugë këtu i thosha “Edi dalim jashtë shtetit?”, ai qeshte, se unë e shihja si jashtë shtetit kur shëtisnim këtu dhe flisnin e flisnim rreth regjimit që na çmendi të gjithëve, por filluam të kurohemi, të kapim jetën dhe me shpresë të zotit, kjo plaga e zezë, si goja e gjarprit helmues do jetë një plagë ku do rrjedhin dhimbjet tona. I ftoj dhe i lus si skulptor dhe si artist, meqë këtu janë ambasadorët, bëni pak më shumë për Shqipërinë, bëni pak më shumë që edhe ne të jemi krah jush. Loboni në vendet tuaja dhe ne do ju jemi mirënjohës siç ju jemi deri më sot” u shpreh Rada.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb