Nga Sven Aurén
Përkthyer nga Adil N.Biçaku
Pjesa e pesëmbëdhjetë
On thee, thou rugged nurse of savage men.
Lord Byron.
Në librin “Orienti i Evropës”, autori i veprës asht suedezi Sven Aurén. Janë përshtypje udhëtimi nga Shqipëria nga mezi i viteve ‘30. Përjetimet e tije direkte pa asnjë retushim.
Me një fjalë përkthimi i librit ka për të sjellë tek lexuesi shqiptar, vlera origjinale njohje të asaj historie që ne nuk e kemi njohur dhe jo pak vazhdojmë, ta njohim dhe tani të deformuar nga interesa të momentit.
Tani pak për atë që ju adreson këta rreshta: Quhem Adil Biçaku. Kam punuar dhe jetoj mbi 50 vjet në Suedi, pa e shkëputur për asnjë moment, mendimin dhe ndjenjën nga Shqipëria jonë.
Tani jam në pension dhe jetoj me gruan dhe fëmijët, këtu në Stokholm. Duke qenë një kohë e gjatë, nga evolucioni i gjuhës shqipe, që natyrshëm, ka ndodhur gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve, jam i vetëdijshëm për vështirësitë, jo të vogla me të cilat do të ndeshem, për t’i dhënë lexuesit shqiptar, përjetimet e origjinalit.
Prandaj do t`ju isha shumë mirënjohës, nëse së bashku do të gjenim një mënyrë praktike bashkëpunimi, për ta përkthyer këtë libër me vlera të shumanshme.
Moralisht do të ndihesha shumë i lehtësuar, duke shlyer një pjesë të borxhit, që kemi të gjithë ne shqiptaret, karshi Shqipërisë sonë, veçanërisht në këto kohë që vazhdojnë të jenë kaq të trazuara.
Me shumë respekt
Adil Biçaku
Vijon nga numri i kaluar
SHTATË FILXHANË KAFE NË “KURSAL”
Me flokë të kuqe si zjarri dhe me përdredhje të guximshme të vitheve, lundron përpara kamerierja greke, midis tavolinave të “Kursal”-it dhe u çon myshterinjve kafe të nxehtë dhe raki të fortë. “Kursal” ndodhet përballë ndërtesë së prefekturës së kuqe dykatëshe dhe përbëhet nga një shtëpi e vogël e stilit amerikan, me përkatësisht të një tarrace dhe një bahçe e futur si pykë, midis dy rrugësh. Pemët e zbukurimit janë të holla, palma dhe lule të djegura, të cilat përkulin gjethet e tyre, drejt rërës së ndritur për të kërkuar mbrojtje nga dielli. Publiku është Tirana, e cila do të thotë diçka. Këtu është oborri i takimit të parisë politike, me adhuruesit. Këtu mblidhen burra intrigantë e parazitë, mashtrues dhe të ndershëm. Është një shkuarje dhe ardhje, pëshpëritje e llomotitje, një kor i çuditshëm fërshëritje zërash dhe qeshje, të shpejta fshehtas. Njerëzit shikojnë tinës, sa majtas djathtas, dëgjojnë, përpiqen të pengojnë të tjerët të dëgjojnë.
Ajri dridhet nga politika reale dhe së bashku me politikanë diletantë. Kjo është sikur gjethet e palmave, të ishin veshë të mëdhenj, që të zgjateshin mbi tavolinat, për të kap sa më shumë nga këto vendime mistike dhe marrëveshje sekrete. Bile edhe tavolina ime, më duket se ka një pamje dinake dhe krejtësisht sekrete. Ata përkulen majtas, për të mund me kuptu se çfarë thonë ata tre oficerët, këtu pranë. Në këtë atmosferën e mbingarkuar, lëviz përreth kamerierja greke, si një mbretëreshë e pa kurorëzuar. Goja e saj violet e kuqe, qesh me jelekët e stolisur me zinxhir floriri dhe të uniformave të bukura. Jo kundrejt ndokujt. Ajo ka ardhë prej Athine, për të pas sukses në dashuri shqiptare dhe mendon të hapë një kafe, kur grumbulli me florinj të arrij mjaft lart.
Pjerrtas kundrejt meje, është ulur prefekti i Tiranës, Rexhep Jella. Shumica e të njohurve të mijë, titullohen “Monsinjor”, në rast se shkëlqesi, nuk është me vend. Rexhep Jella, preferon të titullohet “Mister”. Ai ka banuar një kohë në Oxford dhe adhuron gjithçka angleze. Ai vishet si anglez, tymos me llullë dhe ka ndërtuar shtëpinë e vet, në stilin anglez. Ai ka filluar konstruktimin e një qendre nën tokësore, të përshtatshme për nevoja personale të popullatës, nën Bulevardin “Musolini” sipas modelit të atij, që është nën Trefalgar Square. Për ndonjë muaj do të jetë e përfunduar. Si prefekt Mr. Jella, ka një pozicion të rëndësishëm, afërsisht në krahasim me të një kryetari rrethi suedez. Përveç saj, ai është censurues filmi në Shqipëri dhe ka një far të drejte gjyqtari. Ai siguronte zonjën time duke përsëritur disa herë:
-Nëse ndonjë kundër çdo supozimi, ju drejtohet juve në rrugë, atëherë më thuaj menjëherë mua. Unë kam të drejtë të ndëshkojë fajtorin, deri në një muaj burgim. Unë do të përdor të drejtën time.
Jo larg Mr. Jella, është ulur një bajraktar, i cili ka zbrit poshtë nga malet e veriut. Falenderime, zotëra atje lart, që keni lëshuar vend, për një burrë të tillë në Evropën e kapeleve republike dhe të kostumeve standarde! Ai është i gjatë dhe i pashëm dhe mustaqet e bardha, japin efekt të plotë kontrasti, me lëkurën zeshkane. Në kokë ka një qeleshe të bardhë dhe mbi rrobat e tij të bardha prej lesh dele, ka xhamadanin e zi, pa mëngë, të popullatës së malësisë, ku qëndisjet me gajtanë, duken si spaleta parakalimi festiv, mbi shpatullat e gjëra të tij. Rreth barkut, ka lidh shumë herësh një brez të kuq dhe në mes të brezit, dallohet një kondak i bardhë pistolete. Kondaku i bardhë, ka historinë e vet dhe domethënien e vet. Mbreti Zog u ka dhuruar, këto armë të bukura, me inicialet mbretërore, një numri të kufizuar miqsh të fortë, si dëshmi mirënjohje dhe interesi. Kjo është një llogaritje psikologjike, shumë e mirë shahu.
Një dekoratë shkëlqyese në këto rrobat e kohës vjetër të bajraktarit, do të jepte një përshtypje parodie. Me një pistoletë është punë tjetër. Kjo vë pikën mbi i, në veshjen e bajraktarit dhe përmbush me shumë krenari, pronarin luftarak se sa njëqind dekorata. Kjo thotë edhe më shumë për atë që e bart, se sa gjithë uniformat dhe gajtanët e adjutantëve, që shkëlqejnë kudo këtu midis tavolinave të “Kursal”-it. Pistoleta përbën vetvetiu një biletë hyrje, permanente në rezidencën e Mbretit.
Tavolina e bajraktarit është afër trotuarit. Në të shkojnë sa para mbrapa, katër tipa impresionues luftarakë, me revole në xhepa. Ata janë truprojat e bajraktarit të madh, që vëzhgojnë për gjakmarrës kundërshtar dhe që shoqërojnë bajraktarin kudo, që ai shkon dhe natën ruajnë përjashta derës tij.
Pranë tij është ulur i biri: një toger i ri, me një uniformë elegante dhe me çizme llustrafine. Ky oficeri i ri, është shkolluar në një akademi ushtarake franceze dhe në sajë të emrit të të atit, sheh një avenir të shkëlqyer, në karrierën ushtarake. Ai i njeh vajzat në lokalet e natës në Montmartens dhe Monptparnasses. Ky bajraktari i vjetër, nuk ka parë asgjë tjetër nga bota, përveç alpeve të krahinës tij dhe rrugët e Tiranës. Është një mospajtim i zakonshëm, në vend midis gjeneracionit të ri dhe atij të vjetrit.
Një veturë blu, vjen ngadalë dhe një zotëri i shëndetshëm më veshje evropiane, del prej sajë. Ai është Lala, miku më afërt i Ahmet Zogut, pas vdekjes së Nënës Mbretëreshë. Lala, ka banuar në familjen Zogu, qysh në rininë e tij dhe luan një rol të rëndësishëm. Gjuhët llafazane thonë, se ai është “veshi” i Familjes Mbretërore. Ai është çdo ditë në këtë kafe dhe pritet me shumë respekt. Kur ai hyn, ngrihen dhjetëra zotërinj nga tavolinat e ndryshme, nxitojnë përpara dhe i puthin dorën. Ky burri vjetër buzëqesh i kënaqur, shtynë fesin mbrapa dhe ulet në atë shoqëri, e cila atij për momentin, i duket më e dobishme në kuptimin politik. Aty rri ulur pa lëvizur ndonjë orë, pranon bileta, dëgjon dhe është fjalë pak. Kamerierja përkulet, kur ajo merr porosinë. Ai është i vetmi vizitor, që ajo i përkulet, po sepse edhe Lala, është përfaqësuesi më i fuqishmi jo zyrtar i Familjes Mbretërore.
Përveç kësaj, kafja është plot me oficerë, deputetë dhe ish- deputetë, nëpunësa shtetëror dhe intrigantë privatë. Herë herë vjen ndonjë ministër brenda, pi një filxhan kafe, vëzhgon terrenin dhe zhduket. Zor se ndonjë varfërohet, nga kjo lloj jete kafeje. Katër filxhanë kafe kushtojnë 1 koronë, disa gota raki, pa përfillje, pak më shumë.
Tani fillon dielli të ulet, por diskutimi politik vazhdon të gumëzhisë, në kopshtin e “Kursal”-it. Mundesh dhe me besue, se Shqipëria qeveriset prej këtu, sikur urdhrat nisen prej këtu dhe vendimet zbatohen. Por ky është një mendim mjaft i nxitueshëm. Vetëm nja njëqind metra larg prej këtu, ndodhet Mbreti Zog, në vilën e tij dhe vendos se çfarë do të bëhet. Në “Kursal” diskutohen vendimet, ngjallin entuziazëm dhe hidhërim, zgjedhin për krah ose kundra. Këtu tjerren intriga dhe zbulohen intriga. Si në gjithë shtetet e rinj, qeveria ka një grumbull gjysmë dhe krejt politikan profesionistë, për t’u përballuar. Nëse ata nuk skalisin kangjellat në burgjet e për plota shtetërore, i gjen sërish këta ankues profesionistë në oborrin e “Kursal”-it. Por Mbreti Zog, është burrë tepër i mençur, për me u lënë kundërshtarëve të tij, fushë veprimi të lirë. Për këtë arsye, takohen kaq shumë besimtar të qeverisë në këtë kafe, një numër politikanësh të ulët, por edhe burra të fortë, si me tru dhe zemër. Dhe prandaj edhe “Kursal”-i është pikënisja e sigurt për të, i cili do të informohet përsa i përket gjendjes së politikës së jashtme dhe të brendshme të vendit.
Nga tavolina në tavolinë, shkon monsinjor X dhe përshëndet.
Monsinjor X është një rrufjan i vogël neveritës, i ndytë, që asnjë nuk e di në të vërtetë, se si quhet por të gjithë e dinë se cili është ai: një shantazhist dhe vrasës i pabesë, i cili kundrejt një pagese të leverdisshme, merr përsipër pothuaj gjithçka. Ai është veshur me tepricën e një kostumi perëndimor, në të cilin janë shkurtuar pantallonat për gjatësinë e përshtatshme. Duart e tij janë të vogla, sa të një dymbëdhjetë vjeçari, por me deje dhe të forta, si të bëra për të kap për fyti.
Qeshja në fytyrën e shtrembër dhe pështirosëse, është e një engjëlli, e padjallëzuar dhe e këndshme. Ata sytë e vegjël lëshojnë shkëndija ligësie. Monsinjor X, ka një pamje ideale të vrasësit në pabesi dhe përshtatja e profesionit, nuk qëndron në paraqitjen e jashtme. Kjo duket jo pak nga mënyra se si ai pritet nga klientët e “Kursal”-it. Ai çapitet prej njërit te tjetri, e përkëdhelin në fytyrë dhe i thonë një fjalë të mirë secili. Monsinjor X është një faktor force dhe që duhet ta kesh mirë me të. Ndryshe duhet të jesh i kujdesshëm, me ushqimin dhe të ruhesh mos dalësh jashtë, pasi të errësohet.
Kamerierja greke lundron në drejtim të tavolinës time:
-Encore unë tasse de cafe?
Goja e kuqe violetë, hapet me një qeshje joshëse. Një i huaj, i cili vjen në Tiranë, po duhet të jetë një milioner ekscentrik. Si mundet me qenë ndryshe, t’i vijë ideja absurde si pikërisht e udhëtimit për në Tiranë?
Ndërsa hijet e bahçes bëhen të gjata e më të gjata, porosis prapë një filxhan kafe, e shtata gjatë një ore, besoj. Është një pamje e çuditshme, që unë kam përpara meje. Mbi këto palmat e ulëta dhe çatitë e sheshta të shtëpive unë shikoj ato malet bojë blu, me majën e bardhë. Rreth e qark ushtojnë intrigat si zhurmë, të një blete që ka dalë nga kosherja. Dhe përpara tavolinës sime çalamane, qëndron monsinjor X dhe më fikson mua me një shprehje kureshtare me sy jo simpatikë.
Është më mirë të shkoj dhe ta përkëdhel në faqe.
***
Eqrem Bej Vlora, është ulur pranë tavolinës sime dhe neve flasim mbi Shqipërinë e përparshme dhe Shqipërinë tani, mbi hapat e përparimit dhe përparimet e planifikuara, mbi situatën e komplikuar të vendit, në aspektin e politikës së jashtme. Vlora, është në moshën pesëdhjetëvjeçare, i shkurtër në trup dhe ka një fytyrë të bukur, me tipare të dukshme rinore. Ai është nga ata njerëz, që gjithmonë duken dhjetë vjet më të rij, se sa janë në realitet. Mund të jetë shumë e këndshme, kur njeriu hynë në moshën mesatare, por në ditët e reja, është një pengesë e vështirë.
Vlora siç thash e ka kaluar kufirin e gjysmë shekullit, por që në moshën 27 vjeç, ai pati një arsye fare të veçantë, të mallkojë fizionominë fëmijërore. Ishte viti 1912, viti i shumë rëndësishëm, kur u shpall pavarësia e parë e Shqipërisë, nën udhëheqjen e Ismail Qemalit. Së bashku me të atin, Syrja Beu, punoi i riu Eqrem, me duar dhe këmbë, për të realizuar ëndrrën e shqiptarëve për pavarësi. Si anëtarë i familjes më të pasur të Shqipërisë, pallati i të cilit në Vlorë, është akoma një nga objektet e vendit që i a vlen për të parë, ai pati mundësi të mëdha për t’u pyetur.
Ai kishte marrë një edukatë të shkëlqyer në universitetet e huaja. Ai e njihte Shqipërinë më mirë se shumica e bashkëvendësve të tij, pasi ai me një grup të devotshëm përqark vetes, ka ndërmarrë një rrugë hulumtimi në kalë, prej jugut të vendit, deri në veri. Arsimi i tij i lartë dhe lidhjet e mira, bëri që ai të dërgohej në misione shumë të rëndësishme, që për llogari të synimit të Shqipërisë për liri, të krijojë kontakte me fuqitë e huaja. Ai luftoi me sukses kundër atyre grekëve, të cilët në fillim të vitit 1912, hynë në Himarë.
Shqiptarët nuk kursyen fjalë lavdëruese, përsa i përket aftësisë së tij, shpirtin përparimtar dhe inteligjencë, por kur më në fund u duk se liria u bë realitet, nuk donin me e marrë atë me të vërtetë seriozisht. Eqrem Vlora dukej i ri. Nuk kishte dhe mjekër! Veçanërisht kjo e fundit, peshonte shumë në disfavor te Eqremit. Sipas mendimit naiv të orientalistëve, dijenia shkon paralel me mjekrën, një rezultat i idesë, se është një turp i madh, që një burrë i moshuar të vihet nën vartësinë e një të riu. Për arsye të këtij paragjykimi orienti, ka pas dhe ka gjithnjë mbi vete, në një farë mase një farë pleqërie dhe ngathtësie. Forca e freskët e rinisë, nuk ç’frytëzohet në mënyrë të drejtë.
Pra në qoftë se kjo fytyra e lezetshme e rrumbullakët e pengoi atëherë Eqrem Vlorën, të marrë pozitën në qeverisjen e vendit, që meritat e të cilit dhe parakushtet, duhet t’i jepnin të drejtë, tani ai pra në moshën më të pjekur, ka rimarrë rikompensimin e dëmit të shkaktuar. Ai ka mbuluar një numër postesh ministrore dhe tani është një nga emrat e mëdhenj, të Shqipërisë. Ai është gjithashtu shtetasi më i evropianizuar i Monarkisë. Kjo ka sjellë përparësinë e madhe, se ai nuk lejon të përdoret, si përndryshe në Shqipëri, zakonisht kanë prirje të zbukurojnë gjendjen politike, zbukurime, të cilat herë herës, japin një paraqitje aq drastike fëmijërore, sa që direkt kundër ndikon në qëllimin e lartë patriotik.
Tani pra, jemi ulur këtu dhe flasim mbi Shqipërinë. Për çfarë tjetër më mirë do të bashkëbisedonte Vlora, kur “ai kishte privilegjin të takonte një të huajë, i cili ka bërë këtë rrugën e mundimshme dhe të gjatë, për të kërkuar njohuri mbi një vend të harruar”?
-Nëse juve do të më njihnit pak më mirë, do ta dinit se mua nuk më pëlqejnë lavdërimet, thotë ai. Unë kam qenë goxha shumë jashtë shtetit, për të mbajt proporcionet në kujtesë, kur unë flas për situatën shqiptare me të huaj, shumë të civilizuar. Por prapë se prapë, a nuk është mjaft e çuditshme, se sa është arritur gjatë tetë vjetëve të Monarkisë Shqiptare? Për ta filluar, ne kemi pacifikuar vendin. Me disa përjashtime të vogla, gati kemi ndaluar popullin të mbajë armë dhe çdo të thotë kjo, që t’i marrish shqiptarit pushkën, nuk më duhet ta sqaroj më mirë. Megjithatë neve e kemi bërë. Në mbrojtje të popullatës dhe mbajtjes së rendit, kemi organizuar një forcë policore të fortë dhe me ndihmë angleze, një xhandarmëri shumë efektive. Mbretëron siguri e plotë në rrugët e vendit. Ju mundeni të udhëtoni ku të doni dhe asnjë nuk do t´u ngacmoj.
Natyrisht ka mundësi që bashkëqytetarët e mi ndonjëherë, mund të kenë një pjesë hesapesh me njëri tjetrin, por i huaji gjithnjë lihet i qetë. Tani unë dua të ve edhe në dukje se, ato sulme kundër të huajve që ndodhnin përpara, në fakt inspiroheshin nga vobekësia dhe uria. Ne, kurrë nuk kemi pasur atë lloj kriminaliteti, sikurse shumë vende të mëdhenj dhe të respektuar, që akoma edhe sot vazhdojnë ta kenë. Ne e respektojmë të huajin, sepse ai është mik i joni, pra dhe është nën mbrojtjen e mikpritjes. Ato ligje, që trajtojnë mikpritjen, janë po aq rigoroze, sa ato që aplikohen për gjakmarrjen. Sot nuk ndodhin në përgjithësi fare mësymje. Nuk gjendet një i huaj, i cili ka udhëtuar në Shqipëri në këto vitet e fundit, që nuk është i gatshëm të firmosë për këtë gjë./ Memorie.al