TIRANË

Një 51-vjeçar  nga Fieri, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia italiane është arrestuar dhe autoritetet po vijojnë procedurat për ekstradimin e tij drejt vendit fqinj. Gazetarja e “BalkanWeb”, Dorjana Bezat raporton se bëhet fjalë për 51-vjeçarin i idetifikuar si Ardjan Nexhipi alias Ardian Alliaj. Sipas policisë, arrestimi i 51-vjeçarit është finalizuar në kryeqytet, konkretisht në “Rrugën e Dibrës”.


Njoftimi i policisë:

Operacion policor i koduar “Muzgu”, për kapjen e një shtetasi shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Lokalizohet, kapet dhe arrestohet përkohësisht, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, një 51-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia italiane për “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Emigracion i paligjshëm”.


Seksioni i Kërkimit pranë Sektorit të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale në DVP Tiranë, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, në bashkëpunim me Interpol Tirana, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Muzgu”, për kapjen e një shtetasi shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia Italiane.


Si rezultat i operacionit, në rrugën e Dibrës, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit:

A.N., alias A. A., 51 vjeç, lindur në Cakran, Fier dhe banues në Tiranë. Ndaj këtij shtetasi, autoritetet gjyqësore italiane kanë lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar, për veprat penale “Shfrytëzim i prostitucionit” dhe “Emigracion i paligjshëm”. Veprimet e mëtejshme për ekstradimin e këtij shtetasi drejt shtetit italian do të kryhen nga Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: