Policia në Fier ka arrestuar dy persona, të cilët ishin shpallur në kërkim për mashtrim dhe shkaktim aksidenti me pasojë vdekjen.
Ilmi Saliaj raporton për Balkanweb se u ndaluan shtetasit e shpallur në kërkim Jetmir Hysaj për veprën penale “Mashtrimi”, dhe “Falsifikimi i dokumentave” e Alban Genica për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Fier, kapën dhe ndaluan shtetasin J. H., 32 vjeç, banues në fshatin Fermë Çlirim. Për këtë shtetas, Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, pasi në vitin 2021, dyshohet se duke u prezantuar si administrator i një kompanie ndërtimi, ka falsifikuar dokumentet për legalizimin e disa apartamenteve, në këmbim të shumave të ndryshme monetare.
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Fier ndaluan shtetasin A. G., 22 vjeç, banues në fshatin Dërmenas, Fier, i cili ishte shpallur në kërkim, pasi dyshohet se më datë 10.12.2024, në aksin rrugor “Fier-Seman”, duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar me pasojë vdekjen shtetasin K. S., 50 vjeç, që lëvizte me motomjet, dhe më pas është larguar nga vendi i aksidentit”, njofton policia.
(Balkanweb)