TIRANE

Dalin në dritë detaje të reja rreth largimit nga Shqipëria të vëllezërve indianë Nitin dhe Chetankumar Sandesara, të shpallur në kërkim në Indi për krijimin e një skeme gjigande mashtrimi financiar. Në 20 mars, vëllezërit indianë janë larguar me një avion charter nga aeroporti i Rinasit dhe kanë kaluar kontrollet pa asnjë problem, pasi ndaj tyre nuk ishte lëshuar asnjë urdher arresti ndërkombetar. Të njëjtën mënyrë për t’u larguar nga Shqipëria, ka ndjekur edhe kunati i tyre 59 vjecari Hiteshkumar Patel. Më 22 mars, teksa në aeroport e priste një charter i linjës Tiranë-Dubai, ai u arrestua në bazë të urdhërit të arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet gjyqësore indiane, si dhe me kërkesë të Interpol India për ekstradimin e tij. Gjykata e Tiranës e ka cilësuar të ligjshëm arrestimin e 59 vjecarit dhe ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg me afat 40 ditë.

Indiani Hiteshkumar Patel pretendon se përndiqet nga shteti indian për shkak të bindjeve të tij fetare dhe politike, duke iu referuar lidhjeve të tij familjare me familjen Sandesara, dhe sepse është i afërm i kryetarit të opozitës indiane. 59-vjeçari pretendon se ky fakt është njohur edhe nga gjykata e lartë në Nigeri, vendi ku ai aktualisht është rezident sipas mbrojtësve të tij, autoritetet në Nigeri nuk kanë lejuar arrestimin dhe ekstradimin e Hiteshkumar Patel. Avokatët kërkuan një masë më të butë sigurie, nisur edhe nga gjendja e tij jo e mirë. Por në arsyetimin e gjykates së Tiranes theksohet se Patel akuzohet për pastrim parash në shuma të medha, një veper penale me rrezikshmëri shoqërore të lartë për të cilin sipas ligjit Indian parashikohet një denim deri në shtatë vjet burgim. Gjithashtu sipas gjykatës, Patel është në moshë relativisht të madhe, por nuk u provua se vuan nga ndonjë sëmundje vecanërisht e rëndë. Sa më sipër gjykata caktoi masën e sigurimit arrest me burg 40 ditë.

Sipas mediave indiane, vëllezerit Nitin dhe Chetankumar Sandesara ishin truri i skemës së mashtrimit me kreditë e marra nga banka shtetërore. Ata zhduken përmes kompanive offshore, një shumë prej 725 milionë dollarësh amerikanë, por i vetmi urdhër arresti ndërkombëtar që u ka mbërritur autoriteteve shqiptare ishte ai që mbante emrin e kunatit të tyre, i akuzuar si bashkëpunëtor në mashtrim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb