Policia e Shtetit sjell detaje nga arrestimi i të riut Bledar Ibrahimi 28 vjeç, i cili konsiderohet si një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Operacioni për kapjen e tij u zhvillua nga Drejtoria e Antiterrorit në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe DVP Elbasan.
“Në vijim të punës për parandalimin e terrorizmit, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar për terrorizëm, strukturat e Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit, si rezultat i informacioneve të marra dhe punës investigative, organizuan dhe finalizuan në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, operacionin për kapjen e një personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Si rezultat i operacionit, nga agjentët e Antiterroit u bë e mundur kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimin e shtetasit shqiptar B. I., 28 vjeç, banues në Elbasan”, sqaron policia.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë për arsye se Interpol Roma në datë 15.04.2019 e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar, mbi bazën e vendimit të arrestit të lëshuar nga Prokuroria e Republikës Italiane në mars 2019, për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë terroriste, parashikuar nga neni 270 i Kodit Penal italian.
Ky person më parë është deportuar nga Italia si person i rrezikshëm për rendin dhe sigurinë publike në Itali, pasi dyshohet të jetë i përfshirë me organizata terroriste në Itali dhe Egjipt.
Materialet në ngarkim të këtij shtetasi, i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
(m.a/BalkanWeb)