Kryetari i opozitës kërkoi pardje ndihmën e ndërkombëtarëve për të zgjidhur krizën. Dy vjet më parë, në maj 2017, tuneli i krizës politike tek ne dukej më i shkurtër dhe më pak i thellë se ky i sotmi. Pavarësisht se atëherë opozita, e mbyllur në një çadër të madhe në bulevard kërcënonte të bojkotonte zgjedhjet e përgjithshme. Tani, edhe pse janë vetëm zgjedhjet vendore, hapësira për një rënie dakord duket gati zero. Opozita ka braktisur përfundimisht parlamentin. Ka përshkallëzuar dhunën dhe gjuha e saj është bërë e drunjtë, gati një fjalor ushtarak. Pozita qëndron e vetëkënaqur me vetëpërmbajtjen e policisë, që deri tani, për fat, nuk ka shkaktuar viktima në njerëz në përballjen me protestuesit e revoltuar. Pozita dhe qeveria nuk duken të gatshme të lëshojnë asnjë metër terren. Ndërkohë, apeli i kryetarit të opozitës ka rënë në vesh të shurdhër në kancelaritë perëndimore.

Asnjë reagim nga partnerët ndërkombëtarë për dërgim misionesh. Dy vjet më parë, situata ishte krejt ndryshe. Kjo, për shkak se Ballkani dukej me të vërtetë një fuçi baruti, sikurse e ka nofkën historike. Maqedonia më e pasigurt se kurrë, me rezultatet e paqarta të zgjedhjeve të përgjithshme. Kosova në një krizë identiteti të palëve antagoniste në politikë dhe Shqipëria, me opozitën e mbyllur për mbi tre muaj në çadër. Në misione të shkurtra të njëpasnjëshme erdhi në rajon në gjysmën e parë të majit “Buldozeri”, Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-ve për Evropën dhe Euro-Azinë, Hoyt Brian Yee. Ia kishin ngjitur nofkën “Buldozeri”, ngaqë tregohej mjeshtër për të sheshuar mosmarrëveshje politike.

Në Tiranë Yee erdhi më 15 maj 2017. Dy vjet më vonë, ndoshta kryetari i opozitës sonë e kujton me nostalgji një personazh të tillë. Yee po që dinte se si të bindte politikanët e Ballkanit Jugperëndimor. Brenda 24 orësh zgjidhi situatën e komplikuar në Maqedoni, gjendjen në Kosovë me zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe përgatiti terrenin për marrëveshjen e 18 majit në Shqipëri. Kurse tani në horizont nuk duket asnjë emisar apo bisedues nga Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian e, aq më pak, nga SHBA-të. Asnjë propozim për ndonjë paketë bisedimi e rënie dakord jo e jo, por as edhe ndonjë zhurmë apo lajme për përpjekje, për organizime misionesh nga aleatët tanë të mëdhenj e të patjetërsueshëm perëndimorë. Po pse? Sepse situata në Maqedoni është qetësuar mjaft, me emrin e ri që ky vend ka marrë si Maqedoni e Veriut dhe marrëveshjen me Greqinë.

Sepse situata në Kosovë paraqitet e qëndrueshme, pavarësisht mosmarrëveshjeve me Serbinë. Në këtë këndvështrim, si për Brukselin, edhe për Uashingtonin, “pranvera” e protestave në Ballkanin Jugperëndimor ka përfunduar si koncept. Protestat e opozitës sonë janë, si të thuash, jetime në gjeopolitikën e rajonit. As veprimi i saj ekstrem i braktisjes masive të mandateve të përfaqësimit në parlament nuk bëri të lëvizte asnjë muskul në damarët e ndjeshmërisë së aleatëve tanë perëndimorë. Shqipëria atyre u duhet me reformë drejtësie të plotësuar dhe asnjë veprim që nuk çon ujë drejt realizimit të kësaj reforme nuk ka vëmendjen e tyre.

Atëherë, kush do t’i vendosë në një tavolinë bisedimi qeverinë tonë të patronditur dhe të mikluar nga dënimi i njëzëshëm prej aleatëve i dhunës në protestat e opozitës dhe këtë opozitë tonën, të lodhur dhe çmotivuar nga qëndrimi tre muaj nëpër rrugë? Që bën revolucionaren dhe guerrilasen, ngaqë nuk i ka ngelur asnjë taktikë tjetër për të gënjyer veten dhe militantët? Artikuj kritikues apo edhe denoncues nëpër gazeta e revista perëndimore mund shumë-shumë të karikojnë dhe motivojnë militantët e lodhur, por jo të ndryshojnë gjë në skakierën bosh të bisedimeve pozitë-opozitë në Shqipëri. Ndoshta e vetmja mundësi do të ishte për qeverinë të shikonte precedentin e shtyrjeve të zgjedhjeve vendore të vitit 2007. Nga qorrsokaku ku është futur, opozita ka nevojë të dëshpërueshme për kohë dhe shtyrja e zgjedhjeve vendore për muajin shtator ose tetor mund të krijonte hapësirën kohore të mjaftueshme për të gjetur ndonjë shteg rënieje dakord. Qeveria duhet të kuptojë se vendit më pak se çdo gjë tjetër i nevojiten protesta të stërzgjatura dhe të dhunshme deri në fund të qershorit, kur vjen data e zgjedhjeve. Deri tani kosto e protestave tremujore shkurt-maj 2019 ka shkuar mbi 90 milionë euro.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb