Sulmuesi i kombëtares tonë Rey Manaj nuk po kalon një sezon pozitiv në Superligën turke me skuadrën e Sivasspor. Episodi që shkaktoi shumë zhurmë, në sfidën ndaj Gallatasarayt, por mbi të gjitha rendimenti jo konsistent i tij, me vetëm 4 realizime në 12 ndeshje, kanë bërë që të flitet pse jo për një ndryshim ambjenti për sulmuesin lushnjar.

Ai mund t’i japë lamtumirën Sivasporit pas një viti e gjysmë me këtë klub. Futbollisti kishte bërë të qartë se do të largohej gjithsesi në fund të sezonit kur i mbaron kontrata dhe në klub tashmë duan të përfitojnë nga një shitje  e mundshme e tij.

Kështu dyert për Manajn janë të hapura me një ofertë bindëse dhe mediat turke kanë bërë të ditur se një nga klubet e mëdha të Turqisë, Trabzonspori, pritet të plotësojë kërkesat ekonomike për palët e përfshira. Senjol Gynesh, trajneri i njohur turk i cili drejton aktualisht Trabzonsporin, raportohet se ka kërkuar me çdo kusht Manajn, pasi e pëlqen mes të gjithë sulmuesve të tjerë në kampionatin turk. Kujtojmë që skuadra nga Trabzoni e dëshironte Manajn në skuadër edhe në verën e shkuar, në prag të nisjes së sezonit të ri.

Skuadra e Trabzonspor aktualisht nuk po bën mirë dhe ndodhet larg zonës së Europës, ndaj po kërkohen përforcime të rëndësishme për ringritjen e saj në pjesën ë dytë të edicionit, me Manajn që shihet si nja nga emrat që do ta ndihmojë për të bërë kthesën.

Vetë lojtari kishte deklaruar pak javë më parë se shihte veten gati për të dhënë kontributin në një nga katër klubet kryesore turke: Gallatasaraj, Fenerbahçe, Beshiktash dhe Trabzonspor. Të shohim nëse dëshira e sulmuesit kuqezi, për të provuar një aventurë të re do të realizohet në këtë session merkatoje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: