Drejtori i Inspekcionit në komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri u ka bërë thirrje subjekteve politike që të mos shpërndajnë fletushka nëpër objekte kolektive. Ai ka paralajmëruar gjoba nga 90 euro për secilin subjekt politik, që ndot mjedisin me shpërndarjen e këtyre fletushkave.

Tahiri në shkrimin e bërë në Facebook, ka thënë se nuk do të ketë tolerime për askënd dhe secila gjobë e shqiptuar do të publikohet.

“Megjithëse jozyrtarisht, tashmë jemi në kohë fushate. Kohë për takime e tubime nëpër lagje e fshatra të secilit qytet, edhe të Prishtinës. Drejtoria e Inspekcionit qysh sot ka pranuar një varg ankesash nga qytetarët, për shpërndarje të fletushkave të subjekteve politike, nëpër objektet kolektive. Shpërndarja e fletushkave nëpër makina, shtëpi, hyrje kolektive, e gjetiu, është e ndaluar dhe cilësohet si ndotje e mjedisit.
Subjektet që tashmë e kanë bërë këtë veprim, obligohen që brenda ditës t’i pastrojnë të gjitha lokacionet. Në të kundërtën, nga nesër (18 shtator), kudo që hasim në fletushka të tilla, do ta zbatojmë Udhëzimin Administrativ për Gjobat Mandatore, njësoj sikur për fletushkat e bizneseve. Pra, nga 90 euro gjobë për secilin lokacion (veturë; shtëpi; kat banese).
Të gjitha gjobat do të publikohen, ashtu që të shihet hipokrizia e atyre që nëpër debate zgjedhore flasin për ruajtjen e mjedisit, e në praktikë e ndotin mjedisin.
Nuk do të ketë tolerime për askënd, as për subjektin që unë i përkas, nëse e bën të njëjtën shkelje. Ekipet e Inspekcionit, në bashkëpunim me qytetarët e Prishtinës, do të angazhohen maksimalisht për mjedis sa më të pastër edhe gjatë fushatës”, shkruan Tahiri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb