Manjatit të hip-hop-it Sean “Diddy” Combs iu refuzua sërish lirimi me kusht të mërkurën, pasi avokatët e tij argumentuan për herë të dytë se ai duhet të lirohej nga kushtet “e tmerrshme” të burgut, ndërsa priste gjykimin trafikim seksual.

Z. Combs, 54 vjeç, u arrestua këtë javë, i akuzuar për drejtimin e një sipërmarrjeje kriminale nga të paktën 2008, që mbështetej në drogë dhe dhunë, për të detyruar gratë “të përmbushnin dëshirat e tij seksuale”.

Gjykatësja Robyn Tarnofsky e mori vendimin të martën, pasi dëgjoi argumente të gjata nga prokurorët dhe avokatët e të pandehurit Combs.

Sean “Diddy” Combs ishte në krye të një perandorie krimesh seksuale, duke abuzuar me gratë prej vitesh, duke i kërcënuar ato për t’i mbajtur nën kontroll dhe duke përdorur ndihmesat e tij për t’i mbuluar këto veprime, thuhet në një padi të bërë publike të martën.

Manjati i muzikës “u angazhua në mënyrë të përsëritur dhe të gjithanshme në abuzimin e grave dhe të individëve të tjerë”, duke përdorur ndër të tjera edhe dhunën seksuale, me qëllim “përmbushjen e dëshirave të tij seksuale, mbrojtjen e reputacionit të tij dhe fshehjen e shkeljeve”, thuhet në akuzë.

Ai thuhet t’i ketë detyruar gratë viktima dhe persona të tjerë të merrnin pjesë në aktivitete seksuale që zgjasnin ndonjëherë edhe gjatë një dite të tërë. Padia përmend edhe sulmin e tij ndaj ish-të dashurës, këngëtares së muzikës R&B, Cassie, që u filmua nga kamerat.

Zoti Combs u arrestua mbrëmjen e së hënës në Manhatan, rreth gjashtë muaj pasi autoritetet federale bënë një hetim për trafikim seksual, duke bastisur edhe rezidencat e tij luksoze në Los Anxhelos dhe Majami. Ai u paraqit pasditen e së martës në gjykatë, ku kishin mbërritur për të ndjekur procesin gjyqësor edhe tre djemtë e tij.

Prokurorët kërkuan mbajtjen e tij në burg deri në zhvillimin e gjyqit. Avokati i tij, Marc Agnifilo, tha përpara ndërtesës së gjykatës të martën se do të luftonte që ai të lihej në gjendje të lirë dhe se zoti Combs është i pafajshëm dhe se do të vetëdeklarohet i tillë. Zoti Combs deklaroi në gjykatë se ishte i pafajshëm.

Akuza e cilëson zotin Combs, themeluesin 54-vjeçar të kompanisë “Bad Boy Records”, si drejtues të një organizate kriminale që angazhohej në trafikim seksual, punë të detyrueshme, transport ndërmjet shteteve të ndryshme për qëllime prostitucioni, shkelje me drogat, pengmarrje, zjarrvënie, dhënie ryshfeti dhe pengim të drejtësisë.

Ai akuzohet se i godiste, i qëllonte me grusht dhe i tërhiqte gratë zvarrë, se u hidhte objekte dhe i shkelmonte ato, dhe se detyronte ndihmesat e tij, personelin e sigurisë dhe të mirëmbajtjes së shtëpisë që ta ndihmonin për t’i mbajtur këto veprime të fshehta.

“Provat për këtë rast janë jashtëzakonisht të fuqishme”, shprehen prokurorët në një dokument, ku kërkojnë masën e sigurisë me burg. Ata thonë se kanë intervistuar mbi 50 viktima dhe dëshmitarë dhe se mendojnë se ky numër do të rritet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: