Nuk ka mënyrë më të mirë për të kuptuar frikën e shkaktuar nga “bombat” që përgatitet të plasë opozita, sesa të vëzhgosh se si reagon pala që mund të preket nga to.

Ne të gjithë mund të qeshim më ato që kumton “qytetari dixhital” i Berishës – dhe ai vetë, na ka dhënë mëse një rast për këtë-; ne si shumëkush mund të jemi skajshmërisht mosbesues ndaj Bashës – pasi ai më shumë sesa një herë e ka përqeshur të vërtetën-; por në asnjë mënyrë, ne nuk mund të mos mbajmë shënim mënyrën se si po sillet Edi Rama në këtë situatë të re.

Dhe këtu nuk e kam fjalën për momentet e aktrimit prej kllouni, në të cilat ai shkëlqen si askush tjetër, as për fabulat që tregon se gjithçka është një farsë e përgatitur në Kinostudion e ShQUP-it, as për promovimin televiziv të modeleve idioteske të “Xhuxhit”, që tentojnë ti mbysin faktet duke i qesharakizuar.

Aspak. Mënyra për të kuptuar është të përpiqesh të lexosh aktet institucionale që po ndërmer Rilindja. Dhe ato janë lehtësisht të lexueshme.

Sot, agjensia investigative BIRN zbuloi një dokument skandaloz të miratuar nga kuvendi, i cili mëton t’u japë një korracë më të fortë imuniteti deputetëve. Sipas tekstit të bërë publik edhe nga Lapsi.al (shiko këtu poshtë), në këtë dokument aludohet se rilindasit duhen mbrojtur nga arrestimet, pasi duke kërkuar ato, prokuroria mund të dojë të bëjë një komplot për të krijuar destabilitet.

Kjo, logjikë haluçinante që të kujton, si lajthitjet e çartura të Berishës pas 21 janarit, po ashtu edhe ato të Edi Ramës pas denoncimeve të nënkomisar Nuhut, është e qartë se kërkon të mbrojë pjestarët e organizatës kriminale të Rilindjes, nga denoncimet e ardhshme.

Edhe më e fortë bëhet kjo hipotezë kur kujtojmë se Qeveria ka ndërrmarrë një nismë për forcimin e ligjt kundër shpifjes, me shpresën se do të pengojë opozitën dhe mediat të publikojnë materialet që kanë nëpër dosje.

Edhe më e besueshme bëhet ajo, po ti shtosh faktin se tentativa e parë u bë duke vënë në krye të institucionit të akuzës, një kryeprokurore kamikaze, për të cilën fillimisht u tha se do të qëndronte dy-tre muaj, se nuk do të bënte zëvëndësime të varësve dhe nuk do të ndërhynte në çështje konkrete.

Por, me sa duket tani zullumi është aq i madh, sa atë nuk mund ta mbulojë një militante e mangët si Arta Marku.

Prandaj, Rama ka kaluar në shtimin e masave të tjera që tregojnë se ai po vepron duke improvizuar në panik.

Eshtë pikërisht kjo zemërdridhje dhe frikë, që pjell absurditete të tilla, si dokumenti i zbuluar sot, i cili tenton të forcojë imunitetin e deputetëve ndaj arrestimeve.

Dhe janë këto masa që na tregojnë qartë peshën e bombave që parathotë opozita, sado mosbesues që ne të jemi ndaj saj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb