Një gjë jashtëzakonisht e rëndë ndodhi sot me shtetin e të drejtës në Shqipëri përtej kërcënimeve të mazhorancës ndaj SPAK-ut. Me një lloj bamirësie të shtirur, mazhoranca zgjohet sot për të dhënë atë që Opozita dhe Diaspora kërkonin prej muajsh e muajsh: Mundësia për votim për çdo shqiptar edhe kur i ka skaduar dokumenti i identitetit.

Por kjo krijon dy probleme: Së pari është tepër vonë, diaspora s’do ketë kohë të informohet për këtë mundësi të re. Së dyti, diskriminohen shtetasit në Shqipëri të cilët pa asnjë shpjegim privohen nga e drejta që u jepet shtetasve shqiptarë jashtë për të votuar me dokumenta të skaduar.

Më mirë “kurrë se vonë”
Pasi luajti me nervat tona prej muajsh, mazhoranca “dorëzohet” në mënyrë oportuniste vetëm pak ditë përpara se të mbyllet regjistrimi në platformë për votime, a thua sikur e bën kastile për të sabotuar procesin.

Pasi, si mund të imagjinohet që në këto pak ditë që kanë mbetur për t’u regjistruar nga jashtë për votime, lajmi se mund të votohet me dokumenta të skaduara të fluturoje si sihariq me shpejtesinë e dritës deri në çdo vatër ku ka shqiptarë në botë, nga Bostoni në Melburn apo nga Buenos Aires në Tokyo? Çfarë skifo! Janë qindra mijëra syresh që e kishin fjetur mendjen që s’mund ta votojnë për shkak të dokumentave të skaduara kështu që s’e kanë marrë mundimin të regjistrohen kur afati është deri në fillim marsi.

T’u thuash sot shkoni me vrap regjistrohuni kur s’kanë mbetur tani vetëm fare pak ditë është tallje pasi nuk ka kohë më t’i informosh. Mazhoranca e dinte që kjo është tallje. Ajo i kishte prej kohësh statistikat ekzakte të shqiptarëve jashtë me dokumenta të skaduara sepse i ka të gjithë në sistem: janë 600 mijë! Por mazhoranca në vend ta shpallte këtë mundësi që në verën apo të paktën vjeshtën e kaluar, po vepron në mënyrë po aq burracake sa ç’bëri edhe kur “lejoi” votën e diasporës më 2024, pra jep lëmoshë në çastin e fundit kur s’ka më thuajse vlerë, ndërkohë që ka 12 vjet në pushtet dhe këto gjëra mund t’i kishte bërë me kohë.

Kjo lëmoshe e kësaj mazhorance, ngjan me atë mjekun shpirtlig i cili pasi refuzoi kimio-terapinë për një periudhë të gjatë, e lejon kur është tepër vonë, vetëm sa për të thënë që bëri githçka që kishte në dorë për ta shpëtuar pacientin! Vërtetë zhgënjyese, madje revoltuese! E vërteta është se kjo mazhorancë ka një synim dhe vetëm një: të votojnë sa më pak shqiptarë sepse kush thotë shumë vota, kjo do të thotë për mazhorancën më shumë punë e përpjekje për manipulim.

Nëse në Shqipëri nuk do të ekzistonte rreziku i manipulimit në zgjedhje siç mbrohet mazhoranca, pse gjithë ajo nevojë e SPAK-ut të dalë më një platformë speciale kundra krimit zgjedhor, një procedurë e paparë për çdo vend tjetër europian.

Në Shqipëri rreziku që shteti vë dorë në votën tënde, është po aq i madh dhe banal sa rreziku që të të vënë dorën në çantë në një metro të Parisit apo të Londrës.

Provën reale dhe uluritëse se kjo mazhorancë në menyrë të pandërprerë kërkon gjithmonë të krijojë kleçka në zgjedhje për interes të saj, siç e bëri dhe në Himarë në mës të gushtit të kaluar, e gjen në sa vijon:

Dy kategori shqiptarësh
Si ne kohën e ligjeve raciste gjermane dhe italiane të një periudhe të errët për Europën, kjo mazhorancë, pa piken e llogjikës, ose me një logjikë sa të ftohtë aq dhe të mbrapshtë po i ndan shqiptarët në dy kategori. Gjysma e tyre, ata që banojnë jashtë mund të votojnë tani me dokumenta identifikimi të skaduara, ndërsa ata që jetojnë brenda territorit kombëtar jo! A janë të ndërgjegjshëm për atentatin që bëjnë ndaj kushtetutës së vendit të tyre zonjat dhe zoterinjtë deputetë të kësaj mazhorance? Teksti ynë themeltar ashtu si çdo kushtetutë e një vendi demokratik, e ndalon rreptësisht diskriminimin midis shtetasve në cfarë do lloj forme. Nëse një shqiptari që banon në Madrid apo Duseldorf i lejohet tani të votojë me pashaportë apo kartë identiteti të skaduar, pse këtë të drejtë legjitime mos ta gëzojë edhe ai shqiptari që jeton në Yzberisht apo Rrogozhinë? Sepse e vërteta është që kjo mazharoncë synon të mënjanojë sa më shumë shqiptarë nga zgjedhjet dhe ato pak vota që mbeten t’i kontrollojë sa më mirë.

Është fiks fare skenari në Himarë në zgjedhjet bashkiake të 4 gushtit të kaluar. Aty, pasi mazhoranca la të shpresohej se të gjithë shqiptarët himarjotë mund të dilnin në votime, vetëm pak ditë para zgjedhjeve, kur konstatoi sa gjysma e tyre i kishte të skaduara dokumentet, mazhoranca u tha: “Ju, të njërkës dhe jo të kombit shqiptar se keni skaduar, s’do votoni!”. Me një të rënë të lapsit dhe me regji të lehtësuar nga “datat base” elektronike që i ka nën kontroll të rreptë, mazhoranca dëboi 6 mijë himarjotë nga zgjedhjet. Thuajse gjysma e elektoratit. Ky skenar po përgatitet prapë për zgjedhjet legjislative të 11 majit 2025. Ndryshe s’ka si shpjegohet që shqiptarëve jashtë u thuhet tani që është tepër vonë se mund të votoni dhe me dokumente të skaduara, kur për shqiptarët vendas që nuk është fare vonë, ligji i ri ua ndalon një lehtësi të tillë.

Të shkohet deri në Strasburg
Nisur nga ky fakt i rëndë që cenon barazinë midis shtetasve, opozita, cilado qoftë ajo, duhet të depozitojë pa humbur kohë një ankimim në Gjykatë kushtetuese. Pyetja : a mundet që për të njëjtat palë zgjedhje, një pjesë e shtetasve të votojë me dokumenta identifikimi të skaduara dhe një pjesë tjetër jo? Ankesa të bëhet qofte edhe nga një shtetas i vetëm , në menyrë që më pas t’i hapet rruga për procedurë në Gjykatën e të drejtave të njeriut në Strasburg. Dhe nëse ankesa pranohet e ndërkohë mMazhoranca i ka fituar zgjedhjet falë manovrës së saj, fitorja do t’i anullohet! Ironia e fatit është se po kërkohet që mos të diskriminohen kësaj here shqiptarët “vendas” në raport me ata “jashtë”. Por me Edi Ramën po mësohemi që asnjë çudi qoftë dhe më e habitshmja, të mos na çudisë më.

Ky është problemi themelor i Shqipërisë aktuale: ligji buron nga vetëm një njeri që është njëkohësisht Kryetar qeverie, shteti, bashkie, partie në pushtet, parlamenti, dhe tani kërkon biles të marrë dhe atributet e kryetarit të drejtësisë meqënëse e kam krijuar vetë thotë, si te ajo shprehja “të gjitha topat janë të mitë, do t’i gjuaj vetë”.

Zgjidhja?
Do të duhet që Opozita në programin e saj të propozonte dhe një reforme institucionale për të kufizuar me ligj mandatet e një kryeministri nga buron gjithë “Gjithëpushteti” në Shqipëri. Një mandat i vetëm do të ishte më e mira, dy, maksimumi po aq sa i kanë demokracitë më me përvoje në botë në ato vende ku Presidenti është njëkohësisht dhe ekzekutivi, si në SHBA dhe Francë.

Shqipëria sytë i mban nga Perëndimi, por praktikat frymëzohen nga Lindja.

Në Rusi është e mundur që një shef ekzekutivi si Putini mund të qëndrojë për jetë në pushtet. E përbashkëta midis Ramës dhe vëllait të Putinit në Ballkan? Si Rama dhe Vuçiç janë të vetmit që kanë thyer rekordin e qenies në pushtet që prej më shumë se një dekade dhe janë në garë bashkë të mbyllin dhe një dekadë të dytë në pushtet. Çelësi i fitoreve të balozëve në Shqipëri, Serbi, Rusi? Pikërisht kjo që u pa më sipër, makinacionet e ulta elektorale, që në Shqipëri përkthehet “ti do votosh, por ti s’do votosh”…

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb