Gazetarja Klodiana Lala foli këtë mbrëmje në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, për debatin mes institucioneve për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Lala tha se Kushtetuta nuk i cakton afat Presidentit për përzgjedhjen e anëtarëve të tij për në Kushtetuese, por ajo shtoi se fakti që vendi është prej kohësh pa këtë gjykatë, e bënte më emergjente përzgjedhjen e anëtarëve.

“Në momentin që vajtën listat te Presidenti dhe Kuvendi, ligjit thotë që i takon radha Presidentit së pari, pastaj parlamentit dhe së fundi Gjykatës së Lartë, që nuk është ngritur ende. Në lexim germë për germë të ligjit, Presidentit nuk i jepet afat. Referuar disa vendimeve të mëparshme të Gjykatës, Presidenti nuk mund ta shtyjë pafund çështjen. Në kushtet kur vendi është pa Gjykatë Kushtetuese, kjo e bënte më emergjente përzgjedhjen e anëtarëve, pasi janë një sërë çështje që duhet t’i shqyrtojë kjo gjykatë. Në tentativë për të kapur Gjykatën Kushtetuese dhe për të pasur sa më shumë anëtarë, filluan lojën”, tha Lala.

Më tej, gazetarja kritikoi Presidentin për përzgjedhjen e anëtarit të parë për Gjykatën Kushtetuese, prokurorin Besnik Muçi, pasi ai nuk e ka kaluar akoma Ligjin e Vettingut.

“Zgjedhja e Presidentit për Besnik Muçin ishte e gabuar, pasi ai nuk e ka kaluar Vettingun. Nuk ka një vendim të formës së prerë për të. Por, për ta tejkaluar këtë, ishte radha e Kuvendit. Kanë hyrë në lojë kungulleshkash, por më problematik është KED. Ata çuan dy lista, që në thelb ishin katër emra te njëra dhe tre te tjetra, që jepte mundësi të zgjidhnin një anëtar të dy institucionet”, u shpreh gazetarja.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb