Deputetja e Partisë Demokratike dhe kandidatja për zgjedhjet e 11 majit në listën e hapur të Tiranës, Dhurata Çupi, ka treguar ritmin intensiv të angazhimit të saj elektoral dhe theksuar përkushtimin për të qenë zë i qytetarëve që e kanë mbështetur gjatë viteve të karrierës së saj politike.
E ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë në News24, Çupi tha: “Takimin e parë e kam çdo ditë në orën 8 të mëngjesit. Më pas me strukturat dhe vijoj me qytetarë deri në 9 apo 10 të darkës. Kam edhe komunikime me mediat. Jam fokusuar në target-grupe të ndryshme, sidomos në kontaktet që kam krijuar gjatë karrierës sime.”
Ajo e konsideroi Tiranën si një vend ku ka rrënjë të thella, por nuk harroi të theksonte edhe origjinën dhe përfaqësimin e saj të gjatë nga Qarku Dibër: “Në Tiranë kam edukimin, karrierën profesionale dhe politike. Kam shumë mbështetës këtu. Vij nga Qarku Dibër ku kam qenë deputete për 9 vite. Komuniteti dibran është i dyti më i madh në Tiranë, sipas Census-it. Më karakterizon ekuilibri politik dhe qëndrueshmëria në politikëbërje.”
Duke folur për sfidën në garën e 11 majit, Çupi e pranoi se është një betejë e vështirë, por theksoi qasjen e saj konstruktive dhe të përkushtuar për çështjet sociale dhe ekonomike: “Qasja ime ka qenë nëpërmjet denoncimeve dhe ngritjes së problematikave. Kam përfaqësuar komunitetin që më ka votuar. Kam ngritur çështje si ajo për Skavicën, statusin e minatorëve, varfërinë ekstreme në Dibër, kushtet e punës, mungesën e infrastrukturës, largimin e të rinjve, mbylljen e shkollave, mungesën e investimeve.”
Ajo veçoi iniciativën për minimumin jetik si një nga kauzat që e dallon: “Kam qenë deputetja e parë që kam ngritur çështjen e minimumit jetik dhe kam kërkuar interpelancë me ministren për korrupsionin. E njoh mirë administratën, ndaj e kam denoncuar korrupsionin si një fenomen vrastar që ka mbërthyer vendin”.
(BalkanWeb)