BURREL– Romario i vogël, është një foshnjë që lindi dy ditë më parë në Rrugën e Kombit, teksa nëna e tij ishte nisur me autoambulancë drejt Tiranës. Koha nuk priti aq gjatë dhe foshnja erdhi në jetë në mes të rrugës. Nëna e Romarios druhet të flasë para kamerave, por falënderon një prej infermiereve të spitalit të Burrelit që fatmirësisht e shoqëroi atë ditë dhe e ndihmoi të sillte në jetë foshnjën e sa.

Materniteti i Matit, një rreth me një numër të madh banorësh nuk ka prej vitesh asnjë mjek obstetër-gjinekolog. Mjeku që vinte nga Lezha, prej dy muajsh nuk është më. Gjatë një vëzhgimi në këtë maternitet, kryeinfermierja dhe mamitë janë prezentë, dhe në ambientet e jashtme ndodhet dhe një autoambulancë për çdo rast emergjence.

Jashtë kamerës, drejtori i spitalit “Xhavit Mara”, Dritan Neli, tregon se pak ditë më parë i ka bërë shkrese Ministrisë së Shëndetësisë, që edhe materniteti i Burrelit të ketë një mjek obstetër- gjinekolog. Sipas tij, janë në negociata me Ministrinë, por se kur do vijë mjeku nuk dihet. Kjo kërkesë ka vijuar prej vitesh, por deri tani asgjë nuk është bërë. Në këto kushte një tjetër fëmijë mund të ketë fatin e Romarios, e të lindë në rrugë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb