Kandidati i Partisë Demokratike për qarkun e Tiranës, Grigels Muçollari, ka publikuar një rast të një qytetari që jeton prej tre vitesh pa energji elektrike në zonën pranë Qytetit të Nxënësve në Tiranë.

Sipas denoncimit të bërë nga Muçollari, personi në fjalë, Eduarti nuk arrin të paguajë faturat e energjisë për shkak të vështirësive ekonomike.

Ai tregon se ka 3 vite pa energji elektrike dhe theksoi se pas ndarjes nga jeta të së shoqes ai nuk ka pasur mundësi të përballojë pagesat, ndërsa theksoi se nuk e merr pensionin e plotë pasi i është thënë se “i ka dalë vula false e minierës së Valiasit” ku ka punuar më herët.

Muçollari e ka cilësuar këtë rast si shembull të situatës së vështirë ekonomike me të cilën përballen disa qytetarë, pavarësisht viteve të punës dhe kontributit të tyre.

Ai ka argumentuar se situata të tilla tregojnë nevojën për zbatimin e programit të Partisë Demokratike, i cili parashikon vendosjen e një minimumi jetik për çdo qytetar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb