Ministria për Punë të Jashtme e Kosovës ka miratuar kërkesën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç që të vizitojë Kosovën këtë fundjavë.

Lajmin për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar Jetlir Zyberaj, këshilltar i lartë i ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Zyberaj tha se leja për vizitë të Vuçiçit është lëshuar konform marrëveshjes së arritur në Bruksel, mes Kosovës dhe Serbisë, për lëvizje të lirë.

Presidenti serb, Vuçiç pritet të qëndrojë në Kosovë më 8 dhe 9 shtator, ku pritet të takohet me banorët serbë në veri të vendit.

Vizita e tij në Kosovë do të vijë vetëm një ditë, pasi të takohet në Bruksel me homologun e tij kosovar, Hashim Thaçi, në kuadër të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb