Historia mund të komentohet, por nuk mund të ndryshohet. Faktet mund të interpretohen, por përmbajtja e tyre është shkruar me gjakun dhe sakrificat e luftëtarëve dhe dëshmorëve të lirisë.

Ky ishte mesazhi i ministrit të Brendshëm, deputet e drejtues politik në qarkun Fier, në ceremoninë e mbajtur në Poçem të Mallakastrës, në nderim të 14 korrikut, ku përkujtohet Besëlidhja e Mallakastrës dhe 80 Vjetori i Çlirimit të Atdheut.

“Kalemxhinj dhe të ashtuquajtur historianë modernë, mos e përdhosni historinë dhe mos i rivrisni të rënët!”, apeloi Taulant Balla.

“Nё tё tre kёto evenimente tё mёdha, Mallakastra nuk ka qenё vetёm, që përkujtohen në 14 korrik, Mallakastra ka patur nё krah Vlorёn, Tepelenёn, Beratin, Skraparin dhe Myzeqenё. Historikisht janё treva tё unifikuara nё doke, zakone, tradita dhe nё interesa shpirtёrore, materiale e atdhetare. Janё krahina qё janё mirёkuptuar nё qёllime dhe nё veprime dhe u janë gjetur njëra-tjetrёs nё çaste kur vendosej pёr fatet e atdheut”, tha Ministri.

Ai shtoi se shqiptarët gjithmonë kanë luftuar për liri e kurrë nuk kanë qenë pushtues.

“Faktet flasin se Lufta Nacional-çlirimtare nuk ishte një konflikt idesh, por një betejë ushtrish të pabarabarta; nuk ishte një ndeshje e zakonshme, por një luftë e përgjakshme në malet, luginat, qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, ku partizanët luftuan, u plagosën, u ringritën, u vranë dhe mbetën të skalitur në historinë, këngët dhe kujtesën e të gjithë shqiptarëve”, u shpreh Balla.

“Lexoni çfarë ka shkruar që në vitin 1943 Uiston Çërçill, Kryeministri i Britanisë se Madhe në Luftën e Dyte Botërore dhe një antikomunist i denjë e i respektuar dhe jo qesharak si antikomunistët e sotëm shqiptarë: “Partizanët shqiptarë po luftojnë në malet e tyre për pavarësinë e vendit të vetë. Oficerët britanikë te ndërlidhjes janë pranë këtyre partizaneve dhe i kanë çmuar lart cilësitë e tyre luftarake ne zhvillimin e ardhshëm në teatrin e luftës për Mesdheun”. Ndërsa një vit më vonë, kur në malet e Ballkanit po frynte era e çlirimit dhe e lirisë, Çërçill, do të shkruante: “Në malet e thepisura të Jugosllavisë, Shqipërisë dhe Greqisë rezistenca e fuqishme kundër Gjermanisë ka mbërritur në kulmin e ashpërsisë”, citon ministri Balla.

Më poshtë fjala e ministrit Balla:

Tre herё brenda njё shekulli, Mallakastra ёshtё mbledhur nё Poçemin historik. Pёr t’i kujtuar dhe nderuar tё tri kёto evenimente tё shёnuara e tё zhvilluara nё muajt qershor – korrik. Ështё pranuar si dita e pёrbashkët pёr kremtimin e tyre, data 14 korrik. Nё tё tre kёto evenimente tё mёdha, Mallakastra nuk ka qenё vetёm.

Ajo ka patur nё krahë Vlorёn, Tepelenёn, Beratin, Skraparin dhe Myzeqenё. Historikisht janё treva tё unifikuara nё doke, zakone, tradita dhe nё interesa shpirtёrore, materiale e atdhetare. Janё krahina qё janё mirёkuptuar nё qёllime dhe nё veprime dhe u janë gjetur njëra-tjetrёs nё çaste kur vendosej pёr fatet e atdheut.

Nё tё gjitha evenimentet e historisё ato janё gjetur bashkё, kanё luftuar bashkё dhe e kanё derdhur gjakun bashkё pёr idealet e pёrbashkёta atdhetare. Pёr kёtё flasin varret e lebёrve mbetur nё truallin mallakastriot nё kryengritjen e prirё nga Rrapo Hekali, flasin eshtrat e mallakastriotёve qё ranё pёr tё marrё Kalanё e Beratit, flet gjaku i dёshmorёve tё rёnё nё Luftёn e Vlorёs mё 1920, flet heroizmi partizan dhe gjaku i derdhur pёr liri nё luftёn e dytё botёrore pёr çlirimin e Shqipёrisё.

Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare e vendosi Shqipërinë tonë të vogël, në një aleate të madhe të koalicionit antifashist. E madhe për nga çmimi i jashtëzakonshëm i gjakut që pagoi dhe sakrificave të panumërta njerëzore.

Nderimi i këtyre sakrificave është në dinjitetin e çdo gjenerate shqiptarësh. Prandaj nderimi i Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, i dëshmorëve dhe heronjve të lavdishëm të kësaj lufte, nderimi i çdo faqeje të kësaj lufte, i ditës së Çlirimit të çdo qyteti, dhe i vetë datës së Çlirimit të vendit tonë, në 29 nëntor 1944, është nderi i çdo shqiptari.

Në këto 30 vite nuk kanë munguar përpjekjet për të mohuar, errësuar apo relativizuar Luftën Antifashiste Nacional-çlirimtare.

Historia mund të komentohet, por nuk mund të ndryshohet. Faktet mund të interpretohen, por përmbajtja e tyre është shkruar me gjakun dhe sakrificat e luftëtarëve dhe dëshmorëve të lirisë.

Prandaj, kalemxhinj dhe të ashtuquajtur historianë modernë, mos e përdhosni historinë dhe mos i rivrisni të rënët!

Shqiptarët gjithmonë kanë luftuar për liri, kurrë nuk kanë qenë pushtues.

Faktet flasin se Lufta Nacional-çlirimtare nuk ishte një konflikt idesh, por një betejë ushtrish të pabarabarta; nuk ishte një ndeshje e zakonshme, por një luftë e përgjakshme në malet, luginat, qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, ku partizanët luftuan, u plagosën, u ringritën, u vranë dhe mbetën të skalitur në historinë, këngët dhe kujtesën e të gjithë shqiptarëve.

Në Luftën e Dytë Botërore, ne shqiptarët, ashtu si edhe popujt e tjerë të Europës dhe më gjerë, me luftën heroike partizane, u angazhuam në një përpjekje të madhe, luftarake dhe të përgjakshme, si aleatë në krah të koalicionit të madh antifashist.

Nëse sot jemi krenarë që Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore u vendos në anën e antifashistëve, fitimtarëve, dhe frontit të madh të lirisë,  kjo është meritë e partizanëve shqiptarë, këtyre kalorësve të çlirimit dhe të lirisë.

Ka patur gjithmonë përpjekje në këto 33 vite për të hedhur baltë ndaj Luftës Antifashiste, ndaj dëshmorëve.

Sakrifica e mijëra djemve dhe vajzave të Shqipërisë që ranë me një idealizëm të pashoq në luftën për çlirim nuk mund të mohohet, e padyshim meriton më tepër. Meriton shumë më tepër sesa fjalët, edhe sesa përveç fjalëve është mundur të bëhet e tregohet gjithë këto vite. Nuk duhet dhe nuk mund të ngatërrohet epopeja e Luftës Antifashiste Nacional-çllirimtare me atë që pasoi pas vitit1945.

Prandaj, nderimi që i bëhet çdo dëshmori që dha jetën për Çlirimin e Atdheut, çdo nderim që bëhet në familjet e dëshmorëve është një vlerë që shoqëria jonë duhet ta përçojë në brezat e ardhshëm. Dhe nëse për këto të vërteta nuk ju bindim ne socialistët shqiptarë, që e kemi për nder të kemi mes nesh pasardhësit e partizanëve, çlirimtarëve dhe veteranëve të kësaj lufte epike, bëni durim, lexoni e rilexoni çfarë thonë aleatët e mëdhenj të partizanëve shqiptarë.

Lexoni çfarë ka shkruar që në vitin 1943 Uiston Çërçill, Kryeministri i Britanisë se Madhe në Luftën e Dyte Botërore dhe një antikomunist i denjë e i respektuar dhe jo qesharak si antikomunistët e sotëm shqiptarë: “Partizanët shqiptarë po luftojnë në malet e tyre për pavarësinë e vendit të vetë. Oficerët britanikë te ndërlidhjes janë pranë këtyre partizaneve dhe i kanë çmuar lart cilësitë e tyre luftarake ne zhvillimin e ardhshëm në teatrin e luftës për Mesdheun”.

Ndërsa një vit më vonë, kur në malet e Ballkanit po frynte era e çlirimit dhe e lirisë, Çërçill, do të shkruante: “Në malet e thepisura të Jugosllavisë, Shqipërisë dhe Greqisë rezistenca e fuqishme kundër Gjermanisë ka mbërritur në kulmin e ashpërsisë”.

Partizanët shqiptarë luftuan kundër okupatorëve të egër, të cilët nuk erdhën në Shqipëri si kalimtarë, por me një qëllim të qartë dhe të deklaruar: pushtimin e vendit.

Këtë nuk e themi vetëm ne, nuk e thonë as vetëm historianët seriozë dhe patriotë shqiptarë, por edhe studiues prestigjiozë të huaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb