Në qershor të vitit 1917, Komanda Austro-Hungareze dhe Drejtoria e Pergjithshme e Arsimit me qëndër në Shkodër vëndosën hapjen e shkollës së parë shqipe në Gjonpepaj. Kjo ngjarje historike për Nikaj Merturin dhe gjithë Malësinë e Gjakovës, ishte rezultat i kërkesave të malësorëve arsimdashës, krerëve të tyre dhe përkushtimit kombëtar të klerit katolik dhe Drejtorit të Përgjithëshëm të Arsimit, Luigj Gurakuqit.

Në dokumentet e kohës lexojmë:
– Nga raporti i bezirkomandës në Shkodër, 19 qershor 1917:
“Në shkollën e Gjonpepajt mësimi mund të fillohet qysh tash në kishë, një tabelë asht tue mbarue e gati për t`u nisun, mësues asht emnue Padër Nikollë Kolaj, me një shpërblim muejor 80 korona, që i fillon qysh me 1 qershor 1917”.

Në vitin 1917, dokumentet tregojnë së Padër Nikolla shërbënte në kishën e Nikajt, ku hapi shkollën e parë shqipe.

Ajo ishte shkollë laike, ku jepej shkrim, këndim dhe arithmetikë, dhe varej nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit në Shkodër, ku drejtor ishte Luigj Gurakuqi.

Në Gjonpepaj vitin e parë kanë mësuar 25 nxënës të Gjonpepajt, Peraj, Lekbibaj dhe Curraj të Poshtëm.
Gazeta “Posta e Shqypnisë”, në Shkodër,29 maj 1918, me titull: “ BEKIM E TË ÇELUN SHKOLLE NË GJONPEPAJ”, shkruan:
“… kje çelë në Gjonpepaj ma e para shkollë shqipe, që mbahet mend në Nikaj e Mertur.

Populli i Nikaj Merturit asht tuj diftue interesë të madhe për ndërtim të shkollës e për të çuem të fëmive për me u dhanë mësim, shëja këto të gjitha që na napin uzdajë se ai popull, i vojtun vetëm prej pa mësimit, mbas tashit ka me mujtë me shti në punë për dobi të vet e t`atdheut njato veti të jashtëzakonëshme që e stolisi.

Në Nikaj – Mertur e në Malësi të Gjakovës kanë me u çilë shpejt edhe disa shkolla të tjera”. Kjo ditë e shënuar për atë krahinë u festua me interes e madhështi në këtë trevë arsimdashëse.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: