NGA FATMIRA NIKOLLI
Ne nuk jemi Unë (“We are not I”) është shfaqja e parë e festivalit “Albania Dance Meeting”, që mbahet prej 11 vitesh nga Gjergj Prevazi në Shqipëri. Me koreografi të Katarzyna Gdaniec dhe Marco Cantalupos dhe me bashkëpunim të kërcimtarëve Ai Koyama (me Michalis Theophanous), ndriçim nga “Marco CantalupoMusic: diferent mix”, kostume të Katarzyna Gdaniec, për 30 minuta bashkëproduksioni i “Compagnie Linga” e “L’OctogoneThéâtre de Pully” është vënë dje në mbrëmje në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Shfaqja ka si temë misterin e gjestit si të papërsëritshëm, moment i pariprodhueshëm, një moment i së vërtetës kur koha qëndron ende. “Është ajo që ende frymëzon hulumtimet tona koreografike. Gjesti si diçka unike ka mbajtur peng të gjithë vëmendjen tonë. Kur ai performon, asgjë s’është më e vërtetë se ajo që duket. Ajo e trajton gjestin si një lëvizje të ndjeshme, si diçka të vërtetë, një ngjarje që pezullon kohën. Një moment kur koha qëndron ende dhe vëmendja jonë është mbajtur rob tërësisht, po ashtu edhe shqisat përmes lëvizjes, prekur direkt, duke folur përmes lëkurës, pa filtër, pa ekran, pa kamera. Duke i dhëne trupit njëqind emocione. Trupi i kërcimtares duket si një simbol i lexueshëm, ku organet ende kanë shumë gjëra për të thënë”, shkruhet në materialin për shfaqjen.

Ndërkaq, Gjergj Prevazi tha dje për “GSH” se festivali sjell shfaqje të reja dhe vështirësia e tij qëndron në përzgjedhjen e tipologjisë së shfaqjeve që ne ofrojmë. “Një nga sekretet e ndërtimit të programit është sjellja e shfaqjeve me kolorite të ndryshme nga kompani, vende, kultura të ndryshme. Prej 11 vitesh strategjia jonë ka qenë të ndërtonim një program jo vetëm me shfaqje, por edhe me uorkshope ku koreografët ndiqen nga të rinjtë shqiptarë”. Prevazi, pedagog në Universitetin e Arteve thotë se synim është që të rinjtë të mësojnë teknikat e dancit bashkëkohor jo vetëm për ta bërë dancin të njohur për territorin shqiptar, por edhe për të lënë diçka në pikëpamjet, mënyrat dhe format e aplikimit të dancit përmes uorkshopeve.

PSE DANC
“Danci bashkëkohor sot në Europë e Amerikë është shumë herë më i pranishëm se sa baleti klasik”, – thotë Prevazi. Në këndvështrimin e tij, ai jep energjinë e kohës kur jetojmë dhe diversitetin e saj, filozofinë e njeriut të sotëm, që është ndryshe nga ai i 100 viteve më parë. “Çdo ndryshim financiar, historik e shoqëror arrin të përcillet në një mënyrë të mirë nga arti i kohës kur ne jetojmë. Kështu, ai është gjithnjë e më shumë i pranishëm, sepse ka tematika të kohës sonë, sjellje tonat, filozofinë e njeriut bashkëkohor”.

Parë nga kjo pikëpamje, Prevazi thekson se ndër vite, edhe qasja ndaj dancit bashkëkohor ka gjetur më shumë mbështetje dhe më shumë publik. “Krahasimisht me 11 vite më parë, institucionet shqiptare kanë reaguar pozitivisht. Sot në teatrot tanë gjen pjesë bashkëkohore, ndërsa Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit ka disa tituj në repertor nga danci bashkëkohor. Tanimë ne kemi një brez me 30-40 kërcimtarë, që ndër vite janë trajnuar në teknikat e dancit bashkëkohor dhe punojnë edhe jashtë në këtë zhanër”.

DANCI SI KËRKIM
Prevazi vëren se shfaqjet i përkasin një kërkimi të vërtetë artistik, ndaj pretendimi nuk është thjesht të kënaqë shijet e publikut, por të edukojë e formojë publikun me mendjen e shpirtin e tij, përmes një cilësie, forme e mënyre, përmes një qasjeje të re artistike. “Natyrisht ka njerëz që mbeten të befasuar dhe ka që nuk u pëlqen, por ne kemi krijuar një audiencë, jo një audiencë që shpërthen xhamat e teatrove, por një audiencë kualitative, që e shijon e absorbon idenë”, – thotë Prevazi i pyetur se sa kapet ideja e dancit kontemporan nga publiku. Sipas tij, brezat e sotëm duhen edukuar me atë që ndodh sot në Europë, jo të ndjekim gradualisht procesin që Europa ka kaluar. “Kjo qasje i shërben edhe shkollës së Universitetit të Arteve, ndaj ne kemi edhe uorkshope nga të ftuarit në festival”.

FESTIVALI
Festivali ka ngritur siparin me shfaqjen “Vote” në Teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe mbahet në datat 2 tetor deri më 22 nëntor. Ndërkaq, “Albania Dance Meeting” ka një shtrirje të gjerë në skena të ndryshme: nga Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, te Galeria Kombëtare e Arteve; nga Teatri e Fëmijëve, te teatri “Skampa” dhe ai “Faruk Begolli” në Kosovë.

“Ne synojmë thithjen e audiencave të ndryshme dhe në fakt, nga Teatri i fëmijëve në Galerinë Kombëtare të Arteve ne shkojmë te dy audienca krejt të ndryshme, ashtu si në TKEKS kemi tjetër publik nga këto të parët. Tematikat e secilës shfaqje janë të ndryshme, ndërsa ne kemi sjellë produksione të 2015-ës dhe të 2016-ës”.

I pyetur se sa vështirë është realizimi i këtyre shfaqjeve të veçanta në teatrot shqiptarë, Prevazi thotë se mundësitë teknike të teatrove tanë dihen. “Sistemi i ndriçimit është problematik, por do ia dalim, edhe pse danci e ka të rëndësishëm ndriçimin”. Në fund, ai kujton se një natë e festivalit i kushtohet vetëm koreografëve shqiptarë. “Këtë vit kemi ftuar Glend Çaçi, që është një artist, i cili e ka zhvilluar karrierën e tij në Itali. Ai ka qenë fituesi i çmimit ‘Koreografi më i mirë’ i 2014-ës”.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: