TIRANË
Një ndër themeluesit e PD dhe ish-ministri i Bujqësisë, Rexhep Uka, ka dhënë një mesazh ndryshe dhe të goditur në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, të thirrur nga kryedemokrati Lulzim Basha.
Në fjalën e tij, ish-ministri Uka ka kujtuar mënyrën si u ngrit PD në vitet e errëta ’90 për të rrëzuar komunizmin.
Fjalimi i plotë:
I nderuar Zoti kryetar, Lulzim BASHA!
Të nderuar Zonja e zotrinj!
Të nderuar demokratë, të pranishëm e kudo qofshi!
Pavarësisht motivit të këtij kuvendi, duke e parë vetëm pozitivisht, mendoj se do të jetë një hap, një stacion më i lartë për të çuar më tej demokracinë tonë të brishtë. Shqiponja me dy krena mendoj se nuk na e ka fajin, sepse edhe ne, po dukemi sikur jemi dy krena të nji trupi. Boll me qenë të fortë si ajo e të mirat vijnë pas. Të thuash se sot jemi për analizë… Pak e besueshme! Por do ta cekim. Se do bëjmë histori? Fare! Po kur kemi shkelur bosh, a kemi shkuar hava? Edhe ktë do t’ia themi njeri-tjetrit. Se do zgjidhim gjithcka sot? Utopi! Se për çka kemi nevojë për tu shëndetësuar politikisht, për të qenë aty ku na thërret koha dhe misioni? Nuk do dalim nga dera pa e thënë! Por edhe ndonjë mesele do ta rrëfejmë…
A mund të ketë ndonjë mosmirnjohës, sado opozitar, që të mohojë rolin e Partisë Demokratike në historinë e këtij populli, brenda dhe jashtë trojeve të tij? Nuk e besoj! Përderisa, me veshët e mij, kam dëgjuar nga një komunist veteran, nga ata të “thekurit” siç i thërrisnin militantët tanë: “Për nder e bënë këta qënat!”. A ka kompliment më të bukur? Askush nuk mund të mohojë arritjet e PD-së. Ato janë frut i një investimi vetmohues të një ekipi që e kishte të qartë misionin e vet!
Përmbysja e një regjimi diktatorial, si ai i Enver Hoxhës, ishte vepër e lëvizjes studentore, e mbështetur masivisht nga e gjithë shoqëria shqiptare, ishte akti më i lartë në historinë e Shqipërisë moderne pas shpalljes së pavarësisë. Dhe ne, asaj kurajoje dhe qytetarie, do i detyrohemi brez pas brezi. Askush nuk u mburr, askush nuk pretendoi pronësinë e as autorësinë e asaj vepre, por të gjithë ishin krenarë që patën fatin të jetojnë atë epokë dhe të ishin në kahjen e duhur që kërkonte koha, historia. Të përjetshëm do mbeten në kujtesën e kombit martirët, ata, që në mënyrë të pakushtëzuar, dhanë më të shtrenjtën, sublimen, jetën e tyre!
Për herë të parë në jetë ishim të çliruar nga censura, por ajo që dukej se do të vazhdonte edhe më, ishte autocensura…!!! Gadtishmëria për të rrëzuar komunizmin ishte deklamative, por sfida e ndërtimit të demokracisë ishte fushë e panjohur, e hidhnim mendimin por eksperienca ishte zero, të vetmen politikë që dinim ishte një orë e më parë rrëzimi i komunizmit, kultura jonë demokratike ishte ajo që kishim lexuar vjedhurazi por demokracinë e institucionalizuar nuk e njihnim.
Dhe me një gadishmëri e shpejtësi kozmike, nga SHBA arritën ndihmat e para, “Anthologjia e demokracisë”. I lexuam dhe i a shpërndamë shoqërisë së etur, po mësonim një terminologji të re, atë që kishim aspiruar. Ata kishin kuptuar nevojën urgjente, si të flisnim për demokracinë. Grupi ynë i parë parlamentar i vitit 1991, për herë të parë, shpalosi një fjalor që kurrë më parë nuk ishte përdorur në sallën e kuvendit shqiptar. Jehona ishte e paparashikueshme. Faleminderit Amerikë! Nga aty kam zgjedhur e po ju lexoj diçka:
“Demokracia në vetevete nuk garanton asgjë. Ajo paraqet mundësi për të fituar, por edhe rrezik për të dështuar. Sipas shprehjes kumbuese, por edhe të mprehtë të Tomas Xhefersonit, premtimi që bën demokracia është “jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë”. Në këtë mënyrë, demokracia është njëkohësisht premtim dhe sfidë. Ajo është premtim, se duke punuar bashkarisht, qeniet njerëzore mund të vetëqeverisen në mënyrë të atillë që i shërben aspiratave për liri personale, zhvillim ekonomik dhe drejtësi shoqërore. Ajo është sfidë, sepse suksesi i nismës demokratike varet nga vetë shtetasit dhe askush tjetër.
Qeverisja e popullit dhe nga populli do të thotë se shtetasit e një shoqërie demokratike, ndajnë me të, të mirat dhe të këqijat. Duke marë përsipër përgjegjësinë e vetqeverisjes, një brez përpiqet të mbrojë ligjshmërinë e fituar me vështirësi, të lirisë së individit, të të drejtave të njeriut dhe të sundimit të ligjit për brezin tjetër. Në çdo shoqëri dhe në çdo brez, njerëzit duhet ta fillojnë rishtas veprën e demokracisë, duke marë parimet e së kaluarës dhe duke i zbatuar ato në praktikën e një epoke të re dhe të një shoqërie në ndryshim”.
Sot nuk është ditë leksioni, as predikimi, është ditë mesazhi, tubim reflektimi, kthim tek “Shqipëria si Europa”, “Liri Demokraci”. Këto janë atribute burimore të këtij muaji që studentët tanë e shenjtëruan. E krijuam këtë parti në këmbë, është koha ta bëjmë mend për tu ulur, siç thotë populli. Është një thirrje kjo që e kam bërë pa ndërprerë, prej vitesh! (Ndjesë që po i referohem vetes).
Të bësh fajtor sot një njeri të vetëm, për gjithçka po kalojmë, sipas meje, përveç se fetish ndaj tij, nga ana tjetër, është krejt e gabuar dhe aspak e ndershme madje edhe tinzare. Gabimet politike nuk mund të zhvillohen jashtë një klime, pH dhe terroir-i të caktuar, ashtu si flora dhe gjallesat në natyrë. Këtë habitat e krijojnë njerëzit, politikbërësit, nisur nga një gamë shumllojshe interesash, nëse mbizotërojnë ato vetjke, që bien ndesh me filozofinë dhe programin me të cilin ke bindur dhe ke siguruar pritshmëri në popull, atëhere çdo gjë zhbëhet dhe sjell zhgënjim me rrjedhoja të paparashikueshme e shumë më të vështira për ti rikthyer, sesa atëherë kur janë vendosur.
Rruga më e sigurtë e humbjes së pushtetit është sulja drejt tij. Nëse asnjëherë nuk ke patur kurajon për tu prononcuar a për të kundërshtuar kur ke qënë dëshmitar i një gabimi apo dhe shkeljeve të rregullave, sot, dihet pozicionimi, por besueshmëria bie vertik. Të mos prononcohesh kur duhet të lëshosh piskama, të heshtësh kur sheh se demokracia shterron para syve të tu, kur yes-menët bëhen mazhorancë, kur ligji ndryshon sipas dëshirës dhe presionit të shefit apo të pozicionit të një karrikeje, besoj se pasojat nuk jemi ne të parët që i kemi provuar në botë. Nëse nga “krerët”, në kuvendin e Shqipërisë, dëgjojmë të shahet sot nëna, motra, vëllai, armiku tradhëtari, si dje poliagjenti, mendoni se poshtë, në popull, do kalojë në vesh të shurdhër? Jo, nëse mendoni kështu, nuk e njihni realitetin.
Në koridoret e zyrave tona, ashtu si Covid-i sot, kishte hyrë Orwelli dhe sikur na pëshpëriste të gjithëve në vesh: do i shpëtoni dot fermës time?! A shkamë, si dhe kur shkamë, kur e ku u bëmë me faj?
Për disa, fare dhe asnjëhërë. Për disa të tjerë kemi shkarë herët dhe me shpejtësi. Një dhjetorist lapidar emër i shquar, i ndjeri Myftar Gjana, nuk na lejonte që për fajtorët të përgjigjeshim në nr shumës. Dhe kishte të drejtë, unë përfaqsoj veten dhe këtu jap vetëm opinionin tim. Në opozitë gabohet më pak se në qeverisje, këtu filluan dhe gabimet e para.
Veprimatria partiake pothuajse ishte pjesë e pandarë e qeverisjes në kuptimin e llogaridhënies dhe deri këtu nuk kishte asgjë të keqe. Rrugët e pashkeluara na detyronin të mblidheshim të diskutonim për zgjidhjen e problemeve. Ashtu, si pakuptuar, duhet vënë dorë në statutin e partisë. Statuti filloi të ndryshohej sa herë kërkohej centralizim, pushtet në dorën e fortë, ndërkohë që duhej e kundërta. Vendimmarrja, gradualisht, i delegohej “kryesisë së vogël”, termonologji e re, e panjohur (si dikur, lëvizja stakanoviste sovjetike). Pak nga pak, u rralluan dhe u harruan mbledhjet e kryesisë. Jo se nuk kishim probleme për të diskutuar, madje shumë. Por, kur një ditë pyeta, si anëtar kryesie në atë kohë, në ligjëratë të drejtë: “pse s’po mblidhemi?” Sot, mund të mos e besoj përgjigjen që mora: “kemi sigurimin brenda”. Për një moment mbeta i shtangur, por e vazhdova pyetjen: Po a nuk është kjo një arsye ende më e madhe për t’u mbledhur? Përgjigja, në ‘pantomimë’ ishte: kujdes… nuk je në listën e shefit. Ky dialoguesi kishte emër e mbiemër, momenti kishte ditë dhe datë. Ky nuk ishte as shoferi, as portieri, as bodygardi, por karrikja më e lartë partiake, e katapultuar.
Kush kish menduar ndonjëherë se, vetëm pas 3 vitesh pluralizëm dhe dy vitesh në qeverisje, media do të kthehej në monopol të një dore. Kryeartikujt e RD-së do të mbusheshin me tituj si “jagot e demokracisë”, etj, administrata dhe personeli ndihmës do të diskutonin nonstop për administratën e lartë, e do apo s’e do shefi. Dhe akoma më keq, kush kishte menduar se, kur duartrokitjet për liderët tanë partiakë kishin filluar të paksoheshin në sallat e takimeve masive, televizioni merrte masa urgjente duke manipuluar e paraqitur krejt të kundërtën. Montazhi arriti deri atje, sa brenda ditës, duartrokitjet e ovacionet e zërave kundër, në sallë, u kaloheshin lidërve të preferuar partiakë. Pjesmarrësit që kishin qenë në atë sallë shastiseshin tek shihnin arrogancën me të cilën bëhej manipulimi flagrant i ngjarjes, përmbysja e realitetit. Kësisoj, duke u ndjerë të zhgënjyer e të tradhëtuar, gradualisht, ata filluan të tulateshin çdo ditë e më shumë. Nuk mund të them nëse kjo ishte ajo që dëshironte lidershipi monopol i PD-së.(??)
Të kërkosh e të fitosh pluralizmin politik dhe të mos e pranosh atë në parti si pluralizëm mendimi, as si korent, as si fraksion, as si rrymë dhe vetëm pas 30 vitesh ta shpallësh si ndryshim në statut, për të mos thënë ndryshe, përveçse është vetëdemaskim, është qesharake, haptaz një lloj deklarimi se lufta ka qenë për pushtet e jo për demokraci. Nuk kam aspak, asnjë qëllim të bëj profesorin e politikës, aftësira të rralla këto, nuk më përkasin, ama mendimin e demokratit të rreshtit do ta them! Kjo më kujton një histori humori që tregojnë andej nga anët tona, kur gruaja rrihte burrin i cili ankohej për bukën e papjekur dhe maksimumi i kurajos së tij ishte: “Ti bjer sa të duash, por unë, bukë e pjekur, ksaj nuk i them!”
Gjithpërfshirja që çdo ditë e më shumë po dobësohej, injorimi i zërave ndryshe, mënjanimi dhe përjashtimi i personave “të padëshirueshëm” u bënë praktikë e ditës. Orwelli, të cilit nuk i shpëtonte asgjë po thërriste: “bëni kujdes, nuk jeni imunë!, vaksinohuni, vaksina demokraci, ajo e hershmja, klasikja, jep rezultat në përqindjen më të lartë, të siguron transparencë, të kthjellon mendjen, të jep kurajë”. Konspiracioni nga ana tjetër, po infiltronte dhe insistonte: “është çip”, kujdes! Të ishte vërtetë vallë kështu? Të fortët kishin filluar të shfaqeshin, një ‘varietet’ ky “homo destructus” që kish këputur litarin dhe ishte futur me dhunë në livadhin më të shenjtë, tek drejtësia që filloi të asfiksohej. Instrumenti i ndëshkimit, o pushoi së vepruari, ose ndryshoi kahje. Populizmi po fitonte terren. Po Shteti i së Drejtës? Unë nuk njoh shenjtëri dhe garanci më të madhe se e drejta, për një institucion që quhet shtet. Kur qytetarit i privohet mundësia duke zgjatur në pafundësi të drejtën e vet mbi pronat, dëmshpërblimet e burgosjes, etj, për vite e 10 vjeçarë me radhë, ai nuk numëron më vitet, kërkon kompensimin e kohës së humbur, le familjen, ose sëbashku me të, emigron në kërkim të lirisë, për t’iu bashkuar listës së “Agoymerëve”, eksodit famëkeq, të pasosur, për të shpëtuar nga shteti, pushteti, partia, që s’u ndanë përfundimisht, siç ishte premtuar, por kaluan nga njëra dorë e hekurt, në tjetrën. Dhe kujtoja vitet ’70. Për herë të parë në punë, i posadiplomuar, tek shikoja fëmijët e rreckosur, në vendin “e begatë’’ të propagandës, që “festonin” kur hanin, një herë në muaj bukë misri të shoqëruar me bukë gruri, dhurata më e vyer, e sjellë nga baballarët e ‘minierave-burg’, ose në kooperativën, ku dita e punës paguhej 4 lekë të vjetra (sa për të blerë një kuti shkrepse).
E drejta a fiton? A vonon? A shkon tek i zoti? Apo kur i sfilituri, në kërkim të saj, s’e gjen kurrë, le atdheun i shoqëruar me dilemë të dhimshme e të pashlyeshme gjithë jetës së tij…
Po flitet për burra të fortë, ka të tillë? Andej nga anët tona, ka herë që kjo pyetje ka marë përgjigje: të fortit, kah ti shohim…? Sot kemi nevojë për burra, (të na mirkuptojnë gratë, termi është ekuivalent, sepse ktu përfshihen edhe ato), kemi nevojë për ata që bashkojnë. Në histori, në altarin kombëtar janë të memorizuar ata që shembën muret ndarës me themel virtuti, jo me forcë! Të fortët, në këso raste, kanë mbajtë drejt territ të historisë.
Për ne që e kemi përjetuar, kam bindjen se askush nuk ka harruar kur, në zgjedhjet e vitit 1996, policia “e depolitizuar’’ festonte fitoren me të shtëna kallashi në trotuarin e Presidencës. Nuk ishte e vështirë të parashikoje se çdo të ndodhte pas kësaj. Dhe ajo nuk vonoi! Produkti, fruti i hidhur, ishte 1997-ta. No comment!
Shumkush këtu mund të kujtojë 21 prillin 2008, kur PD, në simfoni të plotë me kundërshtarët tanë politikë, bënë ndryshime të thella në kushtetutë. U ndryshua ligji zgjedhor nga mazhoritar me korektim proporcional (votë e drejtpërdrejtë), në proporcional rajonal, me lista të mbyllura, dhe i kthyen kryetarët e partive, po aq të plotfuqishëm, sa dikur kryetarët e kooperativave socialiste. Përfaqsimi, konkurimi, vlerat morale, profesionale, politike, intelektuale u shuan, u hap rrruga e inkriminimit. Në 2007 u premtua publikisht se presidenti nuk do të zgjidhej më me votë të cilësuar (84) vota, por drejtpërdrejt nga populli. Në fakt, u bë krejt e kundërta, zgjedhje me shumicë të thjeshtë, 71 vota. Nga sa di, Mali i zi, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Serbia, Sllovenia, Bullgaria presidentin e zgjedh direkt populli.
Nuk mund, nuk kish se si të mos reagonim dhe të mbanim qëndrim, pushteti po prevalonte shtetin, demokracinë, haptas rreth 30 deputetë ishim të mendimit të mos i votonim ndryshimet. Kështu mbase kontribuonim sadopak si përfaqsues të popullit për vendimin e duhur. Jashtë çdo komenti, pesë deputetë, vetëm, votuam kundër. A mos gabuam? Ne e dinim shumë mirë që ishte më kollajllëk të votonim si besnikë të palëkundur të partisë, por po aq mirë e dinim se po të vepronim ashtu, do bënim dëm. E kujtova këtë histori, thjesht për të përforcuar idenë se përfaqësimi është përgjegjësi e madhe. Asgjë nuk është vakuum, çdo gjë matet me qëndrimet, aktet sepse ato finalizohen në ligje dhe ato materializohen, për mirë ose për keq.
Mendoni se, me shkarje të tilla, të bëra jo krejt padashje dhe pa dijeni, PD-ja do të vazhdonte të ishte tempull për intelektualët, për njerëzit e urtë? Kurrsesi jo! Sepse ata janë një kategori e tillë, që duke qenë vetvetja, tek e fundit, nuk kanë nevojë për organizime partiake e politike dosido. Ata kërkojnë auditore, ku fjalën e tyre ta thonë “troç”, të dëgjohen, të respektohen, të mos paragjykohen, përndryshe, vazhdojnë vetëm dhe krejt vetëm, të bindur se janë më të vyer për qytetarët e vet. Në këtë rast, nuk ka nevojë për atë “politikën e madhe”, sepse politika është një dhe vetëm një, ajo që do populli, ajo e demokracisë, e zhvillimit dhe jo e ndryshimit kuturu. Ndryshimi ndodh çdo sekondë, por është kaotik, spontan, pjesë e sfidës së lirisë. Mjeshtëria politike është zhvillimi i qëndrueshëm dhe zhvillimi ka vetëm një themel, një filozofi: Shteti i së Drejtës! Të tjerat janë populizëm, mashtrim që, ndonse ka një rrënjë gramatikore, është më i keqi kundër tij (popullit). Të dëgjosh pas 31 vjetësh që është imperativ institucionalizimi i fraksioneve, menjëherë lind pyetja: vallë e mësuat tani, apo e dinit më parë? Me të drejtë pyesim: po kush ju ka penguar deri më sot? Dhe përsëri pyesim: mos kushedi, fraksionet janë shtegu i ri për një vend vetes në PD? Por kjo është e dhimshme! Pluralizmin politik të fituar nga studentët, mbështetur nga pjesa më e madhe e popullit, me guxim e kurajo të pashembullt, e paskemi dashtë rrejshëm…!!
Burrat e mëdhenj bashkojnë, ndaj mbahen mend dhe nuk harrohen kurrë. Ata kanë jetuar duke bashkuar në emër të idealeve të mëdha dhe siç kanë bërë në të gjallë të tyre, si atëhere, bëjnë edhe sot. Sepse, kush ka jetuar me këtë ideal, nuk vdes kurrë. Politikanët tanë të hypur në pushtet, çdo ditë harrojnë vlerën më të madhe të politikës, që është resursi më i madh për një vend e për një popull, kur punon për ta, për shtetin e së drejtës dhe asnjë sekondë për pushtetin e karrikembajtësve. Por, kur pushteti bie në dorë të politikanëve të zhveshur totalisht nga vlerat morale dhe skrupujt socialë, dëmi merr përmasa të paparashikueshme, e ata vetë, shkojnë si ‘sëpata pa bisht’.
Një PD ka patur dhe do të ketë! Një simbol ka pasur e një do të ketë! Nëse i kërkon PD-së forca dhe mundësi, ajo i ka dhe do t’i ketë gjithmonë. Është e aftë t’i bëjë nder kombit. Nëse mëndjet e urta, me zemër të madhe, demokratike, i shërojnë e i mbyllin plagët, me forcën e mençurisë e të tolerancës, si edhe ndalojnë hapjen e plagëve të reja, atëhere arrihet çlirimi nga përjashtimi, fillon hapja ndaj gjithpërfshirjes dhe përvetësimi i vlerave morale e shoqërore më të larta, në shërbim të popullit e të vendit.
Një kuvend reflektimi është mëse i nevojshëm. Të jeni të bindur se konstruktiviteti ka gjithmonë kohë dhe hapsirë! Gjuha e politikës sot ka shumë sofizma, ruajini për kulturë personale. Ata, që e posedojnë dhe e kanë kthyer në art, mos të harrojnë se, me litar të gjatë, lidhet edhe shejtani. Sepse kjo gjuha shqipe, pasuria jonë më e madhe, e ka ilaçin dhe përgjigjen për të gjitha. Dhe kujtdo që e përdor jo si duhet, ia përvëlon mendimin në gojë. Jetojmë në epokën që riprodhon shumë pak epokë. Edhe Gorbaçovi, impakti i të cilit në politikën ruse e botërore ka qenë mëse i dukshëm, kur tentoi të bëjë një epokë të dytë, duke kandiduar për president, nga 70 milion votues, mori vetëm 0,2% të tyre. Këmbana bie për ata që kanë veshë…!!
Si? Ata në stadium janë tjetër gjë? JO! S’ka se si! Bashkë kemi qenë në nji rresht, në nji front. Madje disa prej tyre, shumë më pëprara nesh. Gjithçka është njerëzore, toksore. Por nëse humbim frymën, mbarojnë të dyja. E pra, s’ka asgjë për tu habitur! E kemi të vështirë ta shohim portretin tonë përsa jemi në kornizë. Dikë që na shef, i cili ka mirësinë e dashamirësinë të na këshillojë, duhet ta besojmë, se tek ne, që ishim bashkë në Dhjetor 90, prej kaherë janë shfaqur të njejtat sëmundje, që me aq idealizëm luftuam t’i çrrënjosim. E pra, bota e përparuar, ajo që ne e quajmë “Perëndimi”, mund dhe duhej të na shërbente si shembull, ashtu siç është! Nuk ishte nevoja të krijonim ne një “hibrid distortik”.
Në këtë vend, të paktën këtu, në trojet tona, nuk do të kisha dashtë kurrë, edhe një bashkëpatriot të vetëm, protagonist, me rregullu Amerikën. Kur të arrijmë këtë, të nderuar zotërinj, edhe planetit do t’ia ndryshojmë emrin… E di që teorikisht qëndron. Ky popull e ka zgjedhë herët, shumë herët, vetë mikun. Dhe ju e dini fort mirë që ne shqiptarët, zgjedhjen e mikut e kemi një nga kategorite më të larta filozofike të mbijetesës. E ka diktu vetë, edhe duke e pasë shumë larg… “bio” po i thonë. E ku me pasë, ku me mujtë, me gjetë forcë me përballu vullnetin e popullit, sepse na kanë mësuar të parët e të gjithëve, që kanë drejtuar njerëzinë: “VOX POPULI-VOX DEI”.
Sot nuk është koha për mllefe, është e pafalshme dhe e pandershme të targetojmë një fajtor dhe ti faturojmë atij gjithë përgjegjësinë për gjendjen e opozitës. Thjeshtë, kjo është një rrugë e shpejtë, por që nuk prodhon asgjë. Qasja më e mirë është ta kërkojmë shkakun dhe të shpjegojmë gjendjen tek demokracia e munguar në parti. Këtu do kuptojmë vërtet se, po, mund të ketë një përgjegjës kryesor, por jo të vetëm. Dhe historia na kujton: “kur ne bëhemi dele, pse Cezari mos të bëhej ujk? ” Ktu s’ka aspak arsye për habi. Nëse nuk do të ishte kështu, duhet të pranojmë që komunizmi ka kaluar pa dëm tek ne. Më e papranueshmja gjë.
Një pyetje më lind natyrshëm mua, që ngjarjet në PD prej kohësh i ndjek nga nga jashtë. A keni qenë kshtu edhe para zgjedhjeve dhe keni dashtë me fitu? Po, por kjo nuk ndodhi. Kështu u kam thënë edhe atyre përpara jush… S’ka nevojë për analizë, sepse ajo, mbase u bë, por s’na vjen mirë ta themi si u bë.
Xhozef Brodski, poet rus dhe fitues i çmimit “Nobel”, ka shkruar: “Një njeri i lirë nuk fajëson askënd, nëqoftëse dështon”. Kjo vlen edhe për shtetasit e një shoqërie demokratike, të cilët, përfundimisht, duhet të mbajnë përgjegjësi për fatin e shoqërisë, në të cilën kanë dashur vetë të jetojnë. Më në fund, kemi kështu qeverinë që meritojmë.
PD-ja, kur u krijua, ishte veç e mirë, “e virgjër”, bankoprova e zbuloi atë. Qeverisja është ‘mengeneja’(skaneri). Por, nëse ndryshojmë këndvështrimin, ndonëse qeverisja nënkupton drejtpërdrejt qeverinë, pozitën dhe automatikisht përgjegjësinë për të, unë kam bindjen se për qeverisjën, përgjegjësinë më të madhe e ka opozita. Për analogji, ashtu si blloku i motorit, që ka pistonin, i cili bën punën, këmisha që bën drejtimin e tij, është opozita. Shumkush këtu mund të kujtojë 21 prillin 2008, deputet në atë kohë, kur PD në simfoni të plotë me kundërshtarët tanë politikë bënë ndryshime të thella në kushtetutë. U ndryshua ligji zgjedhor nga mazhoritar me korektim proporcional (votë e drejtpërdrejtë) në proporcional rajonal me lista të mbyllura, dhe i kthyen kryetarët e partive po aq të plotfuqishëm sa dikur kryetarët e kooperativave socialiste. Përfaqsimi, konkurimi, vlerat morale, profesionale, politike, intelektuale u shuan, u hap rrruga e inkriminimit. Në 2007 u premtua publikisht se presidentin nuk do zgjidhesh më me votë të cilësuar (84) vota por drejtpërdrejt nga populli, u bë krejt e kundërta, zgjedhje me shumice të thjeshte, 71 vota. Nga sa di, Mali i zi, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Serbia, Sllovenia, Bullgaria presidentin e zgjedh direkt populli.
Nuk mundesh, nuk kish se si të mos reagonim dhe të mbanim qëndrim, pushteti po prevalonte shtetin, demokracinë, haptas rreth 30 deputetë ishim të mendimit të mos i votonim ndryshimet. Kështu mbase kontribuonim sadopak si përfaqsues të popullit për vendimin e duhur. Jashtë cdo komenti, pesë deputetë, vetëm votuam kundër. A mos gabuam? Ne e dinim shumë mirë që ishte më kollajllëk të votonim si besnik të palëkundur të partisë, por po aq mirë e dinim se po të vepronim ashtu, do bënim dëm. E kujtova këtë histori, thjeshtë për të përforcuar idenë se përfaqësimi është përgjegjësi e madhe. Asgjë nuk është vakuum, cdo gjë matet me qëndrimet, aktet sepse ato finalizohen në ligje dhe ato materializohen, për mirë ose për keq.
këmishë e gripuar (nënkupto opozitën),është faktori më i keq dhe dëmi më i madh që i bëhet qeverisjes së vendit.
Ku gabon qeveria ka zhgënjim, gjëja më e zakonshme. Problemi më i madh është kur gabon opozita, dmth, kur vritet shpresa.
Procesi i qeverisjeve në shumë raste është kumulativ, ato, më shumë shtojnë se zgjidhin probleme. Atëhere, kapaciteti mjedismbajtës ngjishet, mbushet kupa dhe rezultati dihet… vonesë, pritje, pasiguri, ankth, varfëri…
Pritja ka shkuar gjatë, të shërohemi dhe ta lemë garën pa fitues në familje e të kryejmë punët që pret njerëzia, ti kthehemi misionit! Ai të çon drejt mandatit!
Përfitoj nga rasti, duke ju falenderuar për ftesën në këtë kuvend, të deklaroj pas tre vjetesh në pension edhe pensionin politik. Nuk do harroj kurrë, në një nga takimet miqësore dhe konfidenciale me Ibrahim Rugovën, kur me të qeshurën e tij karakteristike tha: “O bëni politikë, o shkoni me dhen”. Unë dhen nuk kam, do dëgjoj Volterin, do punoj tokën dhe dhe Monteskjenë, që thotë: “Toka nuk prodhon aq nga pjelloria e saj, se sa nga liria e banorëve të vet”.
Ju uroj të gjithëve sukses të pandalur në misionin e madh të demokracisë!