Aktorja e regjisorja Ermela Teli ka shfaqur në Tiranë filmin dokumentar “Në parajsën socialiste (nuk bie shi)”. Përmes një rrëfimi audiovizual ajo shqyrton format e përmbajtjet e propagandës komuniste.
Ermela Teli është kthyer në Tiranë shkurtimisht për të shqyrtuar se si propaganda shndërron apo formëson shoqërinë së cilës i drejtohet. Kineastja shfaqi në kuadër të Javës Zvicerane të Kulturës filmin dokumentar “Në parajsën socialiste (nuk bie shi)”.
Përmes një rrëfimi audiovizual ku përfshihen imazhe nga filmat e prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e re” dhe intervistave me studiues të disiplinave të ndryshme artistike, Teli hulumton mënyrat se si propaganda komuniste i dha formë jo vetëm artit, filmit dhe muzikës por edhe përvojave personale e historive familjare.
Duke shfaqur një video familjare në festën e Vitit të Ri. “Imazhet e jetës së lumtur komuniste filluan të zhbëheshin, kur unë pashë babin, në burg. Kuptova se kishte edhe një tjetër realitet”, thuhet në film.
Sekuenca filmike, pjesë fjalimesh nga emra të njohur të artit a kulturës para zyrtarëve të lartë komuniste që ishin njëherësh pjesë e strukturave të censurës, propagandës dhe vendimmarrjes që paracaktonte të ardhmen e individit, në një liri të monitoruar nën kushte diktature po në burgjet e sistemit, bëjnë të qartë ndikimin direkt apo indirekt të ideologjisë në artin që krijohej dje e që shpesh transmetohet edhe sot, duke transmetuar imazhe joreale ose situata të manipuluara të së shkuarës.
Lumturia e imponuar në dukje, për rrjedhojë dhe lumturi e rreme, përbën fillin lidhës, ndërsa parajsa socialiste e përfshirë nga stuhitë merr përpara ç’mbetej nga liria e vetëdija njeriut, si qenie e si qytetar për t’u kthyer në një target ose të propagandës ose të dënimit.