Presidenti i Francës Emmanuel Macron përjashtoi çdo mundësi për dorëheqje, pavarësisht situatës aktuale politike. “Unë do të jem president deri në sekondën e fundit”, tha ai.
Macron tha se nuk mund të besonte që Fronti Kombëtar i Marine Le Pen të bashkonte votat me të majtët për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë.
Ndërsa disa parti po rrisin presionin e tyre ndaj Presidentit Macron për të lënë detyrën, si një rrugë për të dalë nga “një krizë e thellë politike”, Emmanuel Macron ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes.
“Unë do të jem në detyrë deri në sekondën e fundit,” tha ai për CNEWS të martën nga Arabia Saudite.
Fronti Kombëtar dhe Bashkimi i së Majtës duket se janë të bashkuar kundër Michel Barnier, por Macron u bëri thirrje liderëve politikë të “tregojnë përgjegjësi dhe qëndrueshmëri”.
Kriza politike prej buxhetit
Qeveria e qendrës së djathtë të Francës rrezikon të rrëzohet nga opozita në një mosmarrëveshje mbi buxhetin e vitit të ardhshëm. Aleanca e majtë në Asamblenë Kombëtare ka paraqitur një mocion mosbesimi ndaj kabinetit të kryeministrit Michel Barnier.
Një votim për këtë çështje mund të bëhet në parlament që të mërkurën.
Qeveria e Barnier nuk ka një shumicë absolute në Asamblenë Kombëtare.
Fillimisht, qeveria u tolerua nga nacionalistët e djathtë të udhëhequr nga Marine Le Pen.
Megjithatë, nacionalistët e krahut të djathtë tani po kërcënojnë të tërheqin besimin e tyre në qeveri, pavarësisht lëshimeve të përsëritura të Barnier.
Le Pen njoftoi mocionin e saj të mosbesimit dhe tha se ”partia do të mbështeste gjithashtu mocionin e aleancës së krahut të majtë”.
Nëse nacionalistët e krahut të djathtë dhe aleanca e majtë e komunistëve, socialistëve, të majtëve dhe të gjelbërve do të bashkoheshin në fakt për votat e mosbesimit, ata mund të rrëzonin qeverinë.
Një kërkim i ndërlikuar për një qeveri të re do të pasonte.
Zgjedhjet e reja parlamentare nuk do të mund të shpallen para verës.
(BalkanWeb)