Kur e ndajnë vetëm pak ditë nga ekstradimi në Shqipëri, Izet Haxhiaj zgjedh avokatin që do e mbrojë për dosjen ‘Hajdari’. Gazetarja Klodiana Lala ka konfirmuar për ‘BalkanWeb’ se familjarët e tij kanë firmosur prokurë për avokatin Fran Dashi, i cili menjëherë pasi Haxhia të mbërrijë në Shqipëri do bëjë kërkese për rihapjen e dosjes në fjalë.

Ish-truproja i Sali Berishës, Haxhia akuzohet për vrasjen e ish-deputetit të PD-së Azem Hajdari. Izet Haxhia është dënuar nga gjykata shqiptare me 25 vite burg lidhur me vrasjen e Hajdarit në 1998-ën, akuzë të cilën ai nuk e ka pranuar asnjëherë. Ndërkohë ekstradimi drejt Shqipërisë u vendos nga gjykata turke pak muaj më parë.

Avokati Fran Dashi
Avokati Fran Dashi

Kujtojmë se më 24 prill, Izet Haxhia u vetëdorëzua në policinë turke, veprim që e bëri të ditur përmes një statusi në ‘Facebook’. Ai tha se ishte dorëzuar, meqë autoritetet shqiptare nuk e kishin kërkuar.

Por pavarësisht faktit se ai u dorëzua, Haxhia në një lidhje telefonike për ‘News24’ u shpreh skeptik për pritshmëritë nga procesi gjyqësor, ndërsa theksoi se nuk kishte besim tek drejtësia shqiptare. “Dua të kthehem në Shqipëri. Drejtësi nuk ka për të bërë asnjëherë në Shqipëri. Nuk mund të rri këtu si një njeri pa Atdhe, pa asnjë dokument, duke pritur të më arrestojnë kur t’u teket këtyre sipas marrëveshjeve ndërshtetërorë të dy qeverive për interesa të tyre. Më mirë të dorëzohem vetë se të më arrestojnë. Kam dy orë që jam dorëzuar, pres të dal në gjykatë për vendimin. Pritet ardhja ekipit të Fatmir Xhafës, për marrjen e hetimit në dorëzim. Nuk kam asnjë lloj pritshmërie nga drejtësia në Shqipëri”, tha ai 3 ditë më parë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb