Ka kaluar më shumë se një orë nga koha kur gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda do duhej të jepte vendimin për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri por ende nuk ka asnjë njoftim. Ndonëse Gjykata e Krimeve të Rënda është kthyer në skenën ku janë drejtuar të gjithë sytë, verdikti me sa duket është i vështirë për gjykatësit.

Nga momenti në moment trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Ardit Mustafai, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka pritet të japë vendimin për Tahirin, i cili akuzohet për “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.

Por sido që të jetë vendimi, ish-ministri nuk do të shkojë pas hekurave. Nëse Tahiri shpallet i pafajshëm, prokuroria pritet të dërgojë dosjen në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda, ku do të ketë dhe një vendim për ish-ministrin, por deri tek verdikti final ai do të jetë i lirë.

Por edhe nëse Shkalla e Parë vendos ta dënojë ish-ministrin Tahiri me 8 vite burg, ashtu siç edhe paralajmëroi avokati Saimir Vishaj për News24, vendimi do të apelohet nga pala mbrojtëse dhe deri në një vendeim të formës së prerë, ai do të gjykohet i lirë, pasi i tillë është gjykuar deri tani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb