Rrëfime për vetura, gastarbajterë dhe shndërrimin e kosovarëve në pakicë


1.


Në fillim ishte një veturë e madhe amerikane e parkuar para ndërtesës ku banoja si fëmijë.


Vetura e madhe amerikane ishte e një familjeje të kamur të Turqisë, e shkuar si familje shqiptare në vitet pesëdhjetë në Turqi. Familja vinte ritualisht çdo vit për ta vizituar pjesën e mbetur të familjes në Prishtinë, aty nuk kishte shumë vetura private, as amerikane e as e ndonjë prodhuesi tjetër. Me vete sillnin dhurata për familjarët e mbetur dhe rrëfimet për të gjithë ata kosovarët e tjerë që ishin shpërndarë nëpër Stamboll, Izmir e Bursa. Tregonin për dasma e vdekje, suksese të ish-bahçexhinjve të shndërruar në afaristë dhe dështimet në afarizëm të atyre që ishin shkolluar dhe që nuk mund të integroheshin në shtetin e ri. Rrëfimet përdornin mbiemrat me të cilët ishin nisur në Turqi, dhe ndonjëherë për të krijuar lidhmëni me të tashmen përdornin edhe mbiemrat e adoptuar në Turqi.

Kishte shumë rrëfime, sepse kishte shumë shqiptarë të Kosovës në Turqi. Çdokënd që njihja në qytet kishte dikë në Turqi, ndonjë vajzë halle a djalë daje, jo rrallë edhe ndonjë motër e vëlla.

Në gjeografi, më vonë do të mësoja, qyteti më i madh shqiptar ishte Stambolli.

2.

Pastaj ishin veturat e para të mëdha gjermane, “Opela” dhe “Forda” me vend bagazhi të mjaftueshëm për të sjellë mrekullitë e mrekullisë ekonomike gjermane, përfshirë edhe televizorët e parë me ngjyra dhe kasetofonët e mëdhenj së bashku me kasetat e këngëve të Dervish Shaqës.

Veturat tregonin epërsinë e emigrimit. Ato voziteshin nga djemtë e fshatrave të Suharekës e të Prizrenit, të Pejës e Gjakovës, që kishin shkuar si “gastarbajterë” dhe pas një viti a dy ktheheshin me vetura të mëdha e dhurata për shtëpitë që i kishin lënë përkohësisht. Djemtë e fshatrave rrinin ditët e lejuara të pushimit për t’u ngopur diell e rrëfime, aq rrëfime sa për t’i mbajtur e rirrëfyer në dhomat e banimit kolektiv së bashku me djemtë e fshatrave të tjera, deri në herën e ardhshme. Herën e ardhshme mund të kishte një dasmë, ndonjëherë edhe të veten, a syneti, ndonjëherë edhe të fëmijëve të vet.

Kishte edhe vetura “Mercedes”. Kur arritën ato shkaktuan një lloj konfuzioni: “Mercedesi” ishte veturë sinonim për pushtetin, tash shndërrohej në imazh konkurrence mes pushtetit dhe suksesit të “gastarbajterëve”.

Pas një dhjetëvjetëshi, “Opelave” dhe “Fordave” gjermanë iu bashkuan “Mazdat”, “Toyotat” dhe “Audit” me targa zvicerane. Djemtë e Gjilanit, Ferizajt dhe të Vitisë vinin me dhurata, ndonjëherë edhe për një fundjavë të zgjatur, aq të zgjatur sa të marrin më vete rrëfimet e vendlindjes dhe buzëqeshjen e ndonjë familjeje që ua kishte premtuar vajzën për fejesë.

3.

Pastaj erdhi pushtimi i Serbisë dhe pamë çdo vit gjithnjë e më pak vetura.

Kishte më shumë autobusë. Do të çonin djem e vajza, familje të tëra të atyre që kishin mbetur të papunë dhe shkonin për të kërkuar azil. Trokisnin në Zvicër e Gjermani, Suedi dhe Norvegji dhe çdo vend tjetër të imagjinueshëm, përfshirë edhe Islandën.

Pastaj erdhi lufta dhe shkoi kush si mundi, duke kaluar kufijtë në këmbë, duke arritur aty në kolona të dëbuarish, duke hipur në autobusë e trena.

Dhe pas luftës erdhi çlirimi, mundësia po ashtu për të ardhur sërish me veturë. Verë pas vere i shohim targat nga më të ndryshmet të shteteve të Evropës. Vetëm se tash nuk vijnë më djemtë e rinj për të mbledhur rrëfime që do t’i bartnin deri në herën e ardhshme. Tash vijnë familjet e tëra, me fëmijë që gjithnjë e më pak dëgjojnë rrëfime; shpesh sepse nuk dinë të flasin aq shqip, shpesh sepse rrëfimet që i dëgjojnë janë të një bote krejtësisht tjetër, arkaike, të një shekulli të kaluar.

Dhe, pas veturave erdhën avionët, ata që mbushen prej qershorit deri në fund të gushtit me foshnja shqiptare – që kanë pasaporta suedeze, norvegjeze dhe amerikane, e qajnë më shumë sesa foshnjat norvegjeze, suedeze dhe amerikane; mbushen me fëmijë të cilëve nënat u flasin me njohuri të pamjaftueshme në gjuhën e pasaportës e ata ua kthejnë me thekse vendore, suedeze, norvegjeze dhe amerikane.

Që të gjithë vijnë duke lënë ofertat e mira dhe të lira turistike për në Antalia dhe Santo Domingo a Ishujt Kanarine. Vijnë për të vetmen gjë që mund t’u ofrojmë, pak kujtesë. Vijnë për të dëgjuar çfarë kanë qenë vetë duke na parë neve dhe duke u larguar me ndjenjën e përzier: se janë shumë më mirë sesa ne, por do të ishin më mirë po të ishin më afër nesh.

4.

Ata ndien obligim për të qenë në krah të Kosovës në momentet dramatike. Ndanë para për ta mbajtur gjallë arsimin shqip në kohën kur Serbia e mbylli. Ndanë para për të financuar kryengritjen e armatosur, që të gjithë të bindur se pushkët do të përdoreshin kundër Serbisë, jo edhe ndaj shqiptarëve të tjerë. Demonstruan qyteteve të Evropës për të treguar se sa shumë janë – një Kosovë e tërë jashtë atdheut. Dhe, me themelimin e Lobit shqiptaro-amerikan, ndikuan në një formë të paprecedentë historike që çështja e Kosovës të ishte e dëgjuar në çdo zyrë me ndikim në Washington.

Sot janë që të gjithë amerikanë e zviceranë, suedezë e britanikë, dhe gjermanë e norvegjezë të mirë. Janë pjesë të rrëfimeve të familjeve të mbetura: çdo njëri prej nesh ka dikë në ato shtete, dhe nga rrëfimet tona kuptojmë sa shumë familjarë tanë kemi jashtë. Ndonjëherë aq, sa të fillojmë të ndiejmë se jemi apo po bëhemi pakicë.

5.

Do të shkojnë edhe më shumë prej nesh.

Kosova gjeneron gjithnjë e më shumë korrupsion, abuzim feudal dhe mungesë politikash zhvillimore. Çdo raport i Komisionit Evropian tregon pak a shumë të njëjtën gjë: shteti është i kapur, shfrytëzon fondet publike për vete dhe në dëm të shtytjes së ekonomisë private, ka më pak vende pune dhe eksport, ka më shumë borxh publik.

Një formë e këtillë e funksionimit shtetëror nënkupton që modeli ekonomik vazhdon ta trajtojë diasporën si gjeneratorin kryesor ekonomik. Ajo do të dërgojë para, të cilat hyjnë në qarkullim financiar që krijon – nëpërmjet tatimeve – mundësinë e krijimit të parasë publike. Meqë nuk ka rritje të prodhimit privat në Kosovë – me ç’gjë do të financohej buxheti i shtetit – kosovari duhet të shkojë të rrisë prodhimin privat në Gjermani dhe Zvicër, Suedi e Austri.

Dhe do të shkojnë. Po të kishin lehtësi, do të shkonin ata që përbëjnë edhe shumicën në shoqëri, edhe potencën e saj, pjesa më vitale e saj, rinia. Por do ta bëjnë, do të shkojnë patën apo jo mundësi, me apo pa viza.

Do të largohen, duke e shndërruar ndjenjën tonë të pakicës në realitet statistikor.

Atëherë do të mbetemi vetëm ne, rojtarët e kujtesës për të gjithë ata tanët që do të vijnë verë pas vere, Krishtlindje pas Krishtlindjeje, Pashkë pas Pashke e Bajram pas Bajrami; për të gjithë ata që do të vijnë për të vetmen gjë që ne kemi e ata nuk e kanë, kujtesën që po ua ruajmë. / Koha.net

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb