Vllaznia mori një fitore bindëse në javën e 34-t të Superiores, ku shkodranët mposhtën në shifrat 3-0 Dinamon, falë golave të Qatos, Dodajt dhe Balajt. Në këtë mënyrë, ekipi i Brdariç mori 3 pikë shumë të rëndësishme që e mbajtën një javë më parë në garën për të siguruar vendin e dytë.
Kjo fitore ndaj bluve theu edhe një “tabu” për kuqeblutë këtë sezon. Kjo, pasi ishte hera e parë gjatë këtij edicioni që Vllaznia arriti të merrte një fitore përballë Dinamos. Në katër përballjet e tjera të zhvilluara mes dy skuadrave, si në kampionat dhe Kupë, Vllaznia nuk kishte fituar asnjëherë.
Në kampionat numëroheshin dy fitore 2-1 dhe 2-3 të Dinamos përballë kuqebluve. E po ashtu një barazim 0-0 në kampionat dhe po shifra të bardha edhe në gjysmëfinalen e Kupës. Fatet e dy skuadrave do të “kryqëzohen” minimalisht edhe njëherë këtë edicion, ku në datën 23 prill do të zhvillohet ndeshja e kthimit të gjysmëfinaleve të Kupës.
Duke mos përjashtuar edhe një përballje të mundshme mes dy skuadrave në “Final 4”. Me këtë sukses ndaj Dinamos, Vllaznia tashmë këtë edicion i ka mposhtur minimalisht një herë gjithë kundërshtarët e elitës në Superiore.