Nga: Erjon Skëndaj*

TIRANË- Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Dhurimit të Gjakut, 8 majit, punonjësit e Ambasadës Amerikane në Tiranë dhuruan gjak për fëmijët talasemikë shqiptarë. Prej dhjetë vitesh Ambasada Amerikane i është bashkuar nismës së lançuar nga Kryqi i Kuq Shqiptar “Dhuroni gjak, shpëtoni një jetë fëmije” përmes dhurimit vullnetar 2 herë në vit. Ndërkohë edhe pse ka patur progres në fushatën sensibilizuese ende numri i dhuruesve të gjakut mbetet i pakët dhe mbulon vetëm 25% të kërkesave të fëmijëve talasemikë.

“Dhuro gjak dhe mund të shpëtosh dhe ti një jetë fëmijë talasemik”. Kjo thirrje që më shumë se një slogan ngjan me një mesazh zemre ka prekur të huajt që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri.
Meredith dhe Pol janë ameikanë dhe çdo vit dhurojnë vullnetarisht gjak për fëmijët talasemikë, gjest ky për të cilin me të drejtë krenohen. Meredith dhe Pol janë punonjës të Ambasadës Amerikane në Tiranë, e cila ka 10 vite që është rreshtuar në krah të Kryqit të Kuq Shqiptar në nismën “Dhuroni gjak shpëtoni një jetë fëmije”.

“Unë dhuroj gjak çdo vit sepse është kënaqësi që të dhurosh dhe nuk të dhemb aspak. Për më tepër unë kam gjak të rrallë 0 negativ që mund ti dhurohet kujtdo që ka nevojë. Po edhe për faktin se përfshirja në këtë nismë humanitare më shkëput nga zyra për pak kohë, gjatë së cilës mund të kontribujë për komunitetin”,- tha Meredith Hiemstra, punonjëse e Ambasadës së SHBA.

“E bëj këtë që kur isha 18 vjeç dhe bë shumë kohë që atëherë. Por dëgjova se gjaku që ne po dhurojmë do të shkojë për trajtimin e fëmijëve talasemikë në Shqipëri çka mendoj se e bën këtë dhurim edhe më të veçantë, është diçka unike”,- tha Paul Bottse, punonjës i ambasadës së SHBA.

“Ky është viti i 10 që Ambasada Amerikane po promovon dhurimin e gjakut dhe ne zakonisht e bëjmë këtë dy herë në vit duke bashkëpunuar ngushtësisht me Kryqin e Kuq Shqiptar dhe bankën e gjakut. Do ti bëja apel bizneseve vendase ti bashkohen nismës dhe të lejojnë punonjësit e tyre të ndihmojnë komunitetin duke dhuruar gjak. Në Shqipëri janë afër 600 fëmijë talasemikë që kanë nevojë jetike për transfuzion të rruazave të kuqe të gjakut një herë në 2 javë”,- tha Peter Lindland shefi i zyrës mjekësore në Ambasadën e SHBA.

Sipas mjekëve të dhurosh gjak nuk ka asnjë pasojë për shëndetin e dhuruesit, përkundrazi dhurimi i gjakut një herë në katër muaj është edhe një mjet i shkëlqyer parandalimi për shëndetin e dhuruesit, të cilit i bëhen falas analizat e vizitat e kontrollit ndërsa gjaku i tij përtërihet plotësisht.
Talasemitë janë një grup sëmundjesh trashëgimetare të karakterizuara nga një defekt gjenetik i sintezës së hemoglobinës dhe transmetohet nga bashkimi i dy individëve mbajtës të talasemisë që nëse vendosin të bëjnë fëmijë në 75 përqind të rasteve sëmundja transmetohet tek foshnja.
Shërimi nga talasemia sot është i mundur nëpërmjet transplantit të palcës së shtyllës kurrizore, por është e domosdoshme të gjendet një dhurues i të njejtit grup me atë të sëmurit talasemik në mënyrë që të evitohet papajtueshmëria.

Mbijetesa e talasemikëve është e lidhur me trasfuzimin periodik e të vazhdueshem të gjakut. Për fat të keq ky i fundit mund të gjendet vetëm nëpërmjet dhurimit. Një i sëmurë talasemik ka nevojë për rreth 50 dhurime në vit, por në total dhurimet vjetore llogariten në afër 7 mijë të tilla dhe mbulojnë vetëm 25% të kërkesave vjetore.

Në Shqipëri mungon një depistim i gjerë i popullatës së rritur për të parandaluar lidhjen në çift të personave bartës të talasemisë, ekzaminim ky që do të parandalonte përhapjen në linjë vertikale të sëmundjes.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: