TIRANË

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj tha se vijon puna dhe kontrollet intensive në Hipotekën e Durrësit, ku së fundi njoftoi edhe largimin e gjashtë punonjësve të tjerë për shkelje ligjore.

Kjo masë vjen menjëherë pas shkarkimit të kreut të kësaj hipoteke, i cili u kap me zë dhe figurë në një bisedë me qytetarët duke mos iu shërbyer për hallet dhe shqetësimet që kishin adresuar tek kjo zyrë.

FJALA E PLOTË:

Zyrat vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ashtu sikurse edhe të gjitha institucionet dhe zyrat e tjera shtetërore ku ofrohen shërbime për qytetarët kanë qenë dhe do të vijojnë të mbeten në qendër të vëmendjes dhe kontrollit përsa i përket mënyrës së zbatimit të ligjshmërisë dhe ofrimin e shërbimeve publike. Nga ana tjetër ne jemi të vendosur që t’i shkojmë deri në fund çdo denoncimi, që bëhet si në platformën e bashkëqeverisjes shqipëriaqëduam.al apo edhe nga media, duke hetuar në mënyrë të detajuar çdo praktikë të dyshimtë dhe duke marrë masat përkatëse për çdo punonjës që dyshohet të ketë kryer veprime korruptiuve apo abuzim me detyrën.

Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës, ka qenë në fokus të disa kontrolleve të ndryshme administrative, nisur nga denoncime që kanë ardhur më herët pranë Platformës së Bashkëqeverisjes, si dhe falë denoncimeve të mediave. Në muajin Janar, falë denoncimit të një media, për shkelje të rënd në detyrë, përfshirë edhe shkeljen e etikës dhe komunikimit me publikun është shkarkuar nga detyra, ashtu siç dhe ju jeni në dijeni, Regjistruesin e Zyrës Vendore Durrës si dhe disa punonjës të Sektorëve të Regjistrimit dhe Hartografisë. Po në janar të vitit 2019, të bëra publike dhe në konferencën për shtyp, në përfundim të kontrollit ushtruar nga inspektimi i brendshëm janë marrë gjithashtu dhe 14 masa të tjera ku 12 prej tyre kanë qenë largim nga puna e punonjësve të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës.

Në vijim të angazhimit tonë për të reformuar rrënjësisht këtë zyrë, bazuar dhe në informacionet e mëtejshme mbi praktika abuzive dhe shkelje në dëm të cilësisë së ofrimit të shërbimit ndaj qytetarëve, Task Forca Antikorrupsion ka ushtruar një kontroll tjetër administrativ pranë Zyrës së Durrësit. Nga kontrolli rezultoi se: Nga praktikat e monitoruara rezultojnë aplikime të trajtuara jashtë afateve të parashikuara në aktet nënligjore “Për afatet e trajtimit dhe përpunimit të kërkesave nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme”. Sistemi on-line i menaxhimit të aplikimeve nuk pasqyron situatën reale të praktikave të trajtuara ose jashtë afatit, për faktin se është gjendur se sistemi nuk është administruar dhe përdorur në të gjitha fazat e tij nga specialistët e kësaj Zyre.

Nuk është vepruar në përputhje me kërkesat e rregullave “Për arkivimin e dokumentave tekniko-ligjore në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme“, duke bërë kështu dhe referenca dhe praktika të shërbimeve të ofruara në një masë të konsiderueshme duke mos u arkivuar dhe duke sjellë pasoja në vërtetimin e origjinës së pasurisë si dhe duke krijuar hapësira për veprime të cilat mund të fshehin figura të veprave penale.

Aktet e verifikimit nuk janë të bazuara në ligj dhe aktet nënligjore në fushën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, pasi kërkohet plotësimi i një dokumentacioni i cili nuk është i nevojshëm të paraqitet nga qytetari për përfundimin e procedurës së regjistrimit ku hnë mënyrë abuzive në këtë zyrë është kërkuar nga qytetarët, Bazuar në gjetjet e këtij kontrolli, nga Task Forca Antikorrupsion janë rekomanduar gjithashtu një sërë masash të tjetra disiplinore, duke ju shtuar 15 masave disiplinore të marra më herët.

Dhe pikërisht: – Largim nga puna për 6 specialistë, të kësaj Zyre, Sektori i Regjistrimit dhe Hartografisë; – Vërejtje me shkrim për 10 specialistë të tjerë, juristë dhe hartograf, të Sektorit të Regjistrimit dhe Hartografisë. Dhe duke çuar në total numrin e masave disiplinore për punonjësit e kësaj zyre në 31 masa. Ekipi i ri i stafit të zyrës së Durrësit, në bashkëpunim edhe me Zyrat Qendrore të këtij institucioni janë duke marrë masat e duhura për të ndryshuar në mënyrë rrënjësore situatën në këtë zyrë dhe duke krijuar kushtet e përshtatshme për një shërbim sa më cilësor, të drejtë dhe transparent për të gjithë qytetarët.

Në të njëjtën kohë, në rolin e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion më duhet të nënvizoj punën e mirë të bërë nga strukturat e Policisë së Shtetit në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera ligjzbatuese në vend. Gjatë javës së kaluar nga Policia e Shtetit janë evidentuar dhe referuar në Prokurori materialet për 9 raste të veprave penale, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve dhe i personave që ushtrojnë funksione publike” si dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Janë proceduar penalisht: 27 autorë, të cilët janë ndaluar dhe arrestuar 2 prej tyre u është caktuar masa e sigurisë Detyrim paraqitje 8 autorëve dhe ndiqen në gjykim të lirë 15 autorë. Në përfundim të këtij raportimi javor më duhet të nënvizoj mesazhin e qartë për të gjithë: Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ashtu sikurse edhe të gjitha institucionet apo zyrat e administratës që ofrojnë shërbime ndaj qytetarëve, kanë vetëm një detyrë, të veprojnë në respekt të ligjit dhe duke iu shërbyer cilësisht dhe në mënyrë t4ansparente qytetarëve. Nuk do të ketë asnjë tolerancë dhe asnjë kthim prapa për këdo që shkel ligjin

(N.M/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: