Organizatorët e protestave në kryeqytetin e Sudanit, Kartum, thanë se “duan të çmontojnë plotësisht” shtetin që ka krijuar udhëheqësi tashmë i përmbysur, Omar al-Bashir.


Një zëdhënës i tyre tha se autoritetet e regjimit të kaluar duhet të vihen në gjyq.


Bashir u përmbys nga ushtria javën e kaluar, pas 30 vjetësh në pushtet, ndërsa këshilli i formuar ushtarak tha se zgjedhjet do të mbahen brenda dy vjetësh.


Por, protestuesit mbeten në kampe jashtë selisë së ushtrisë në Kartum, duke kërkuar formimin e menjëherëshëm të administratës civile.

Sipas disa njoftimeve, të hënën ka pasur përpjekje për t’i shpërndarë protestuesit, por ata i kanë bashkuar duart, ndërsa trupat janë zmbrapsur nga konfrontimi, shkruan Rel.

Turmat brohoritën “liri” dhe “revolucion”, ndërsa i bënë thirrje ushtrisë për mbrojtje, citon BBC dëshmitarët.

Protestuesit thonë se vazhdojnë të mbeten në rrugët e Kartumit, nga frika se udhëheqësit e grushtshtetit ushtarak janë shumë të afërt me presidentin e përmbysur, Bashir.

Bashir është subjekt i dy urdhërarrestimeve ndërkombëtare, të lëshuara nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime.

Ai akuzohet për organizimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit në rajonin Darfur të Sudanit, në periudhën 2003-2008.

Bashir, i cili tani është në paraburgim, i mohon këto akuza.

Rënia e tij pasoi disa muaj trazira që filluan në dhjetor, për shkak të rritjes së çmimeve.

Së paku 38 vetë u vranë në protesta.