Të lindësh si Meghan Markle dhe Kate Middleton do të jetë e mundur edhe në Itali. Teknika e hipnozës mjekësore, aq e popullarizuar do të mbërrijë në spitalin Mauritian në Torino në vjeshtë.


Një alternativë për epiduralin që do të lejojë, pa përdorimin e ilaçeves, një qasje të ëmbël për lindjen e fëmijëve. “Hipnoza mjekësore nuk ka asnjë lidhje me shfaqje të caktuara që na janë dhënë nga televizioni – paralajmërojnë nga kujdesi shëndetësor – është një metodë e bazuar në frymëmarrje dhe relaksim që ndihmon gruan për të arritur vetëkontroll më të madh”.


E ashtuquajtura “hipnolindje” është bërë mjaft e përhapur në Britani, aq sa duket se kanë përfituar nga ajo edhe në Shtëpinë Mbretërore Angleze. Sidoqoftë, teknika nuk prodhon një ekstazë të vërtetë, por “nuk është gjë tjetër veçse menaxhimi i vetëdijshëm dhe vullnetar i burimeve që i përkasin mendjes dhe trupit tonë”, siç shpjegojnë nga spitali.


Prandaj është e nevojshme që nënat e ardhshme të aftësohen mirë për të arritur një gjendje qetësie dhe vetë-kontrolli. Gratë mund të praktikohen me një grup mamish në javët e fundit të shtatzënisë, për t’u përballur më mirë me ngjarjen e lumtur.

Hipnoza mjekësore gjithashtu do të ketë efekte pozitive tek të porsalindurit: “qetësia e nënës rrit rrjedhjen e gjakut në placentë dhe oksigjenimin e fetusit” shpjegojnë mjekët e Torinos.

Por hipnoza nuk funksionon për të gjithë. Sipas studimeve të fundit, 60% e grave përgjigjen pozitivisht, 20% janë madje të afta të arrijnë një gjendje hipnozë aq të thellë sa të mund t’i nënshtrohen operacionit pa anestezi dhe më në fund një 20% e mbetur nuk është në asnjë mënyrë pranuese e teknikës. Kjo e fundit kështu do të duhet të heqë dorë nga lindja në stilin “princëror”.

(m.k/BalkanWeb)