Në librin e tij “Në Vetërrethim“ të botuar disa vite më parë, Dr. Jorgji Kote, Mjeshtër i Madh, ka pershkruar disa aspekte sa interesante aq dhe intriguese në të kaluarën moniste. Duke qenë për dekada përkthyes i njohur zyrtar dhe shoqërues me shumë grupe turistike dhe delegacione të partive (m – l) si dhe ekspert dhe drejtor në ish Ministrinë e Tregtisë së Jashtme ai ka treguar thjesht dhe me vërtetësi shumë fenomene dhe ngjarje jo shumë të njohura të asaj periudhe. Në këtë rast interesi është i madh mbasi rrëfimet i takojnë një qytetari dhe zyrtari aktiv të përfshirë në ingranazhet e sistemit të kaluar dhe në ngjarjet madhore të asaj periudhe të vështirë. Këto janë pasqyruar dhe në librin në gjuhën angleze të po këtij autori “True Stories from Red Albania (Ndodhi të vërteta nga Shqipëria e Kuqe”) e cila është pritur me jehonë dhe në median dhe publikun e huaj në Austri, Belgjikë, Luksemburg dhe gjetkë.

Redaksia po boton disa prej ngjarjeve më të rëndësishme që lidhen me tregtinë e jashtme, turizmin, lëvizjen marksiste – leniniste, qëndrimet armiqësore ndaj fesë, revolucionarizimin e mëtejshëm të shkollës, vullnetarizmin e detyruar dhe parrullat kryesore të kohës në periudhën 1965 – 1990, të cilat autori i ka jetuar aktivisht qysh në periudhën e shkollës dhe më vonë në shërbimin e jashtëm deri në agimin e demokracisë më 1990.

Sot po e mbyllim këtë rubrikë me parrullat kryesore të periudhës së monizmit.

PARULLAT KRYESORE TË KOHËS
Nuk mund të kuptohet jeta e atëhershme apo të bëhen dhe analiza të ndryshme të qëndrimeve tona të asaj kohe, pa njohur dhe parullat, siç quheshin atëherë, të cilat na shoqëronin kudo, nëpër aktivitete të çdo lloji, përfshi dhe ato sportive, nga mëngjesi në darkë!

Imagjinoni sot kodrat, madje dhe malet, vendet e dukshme anës rrugëve të mbushura plot reklama dhe billborde bashkëkohore, që në atë kohë ishin plot parulla të shkruara me bojë të kuqe dhe me gërma të mëdha.

Sot ne qeshim dhe u referohemi këtyre parrullave me humor, por në atë kohë ato të shfaqeshin kudo, ndonjëherë edhe frikshëm, kur bëhej fjalë për jetën, punën, emrin dhe vetë ekzistencën tonë, duke të “çarmatosur“ nga çdo justifikim apo argument, sipas pyetjes asgjësuese “Po Partia, si na mëson?”. Dhe “fap” dilte slogani, sipas rastit.

Ndodhte ajo që përmend Eugen Ionesku në “Antidotet“ e tij të vitit 1977:“ sistemi i klisheve dhe kristalizimi i tyre nxjerr produkte të gashme si konfeksione. Pakica ushtron mbi ata që mendojnë ndryshe një terror intelektual ndjenjash dhe një shtypje që është pak të thuash e papërballueshme“.

Por, për të qenë të ndershëm, duhet përmendur se pas atyre parrullave kishte dhe plot punë, djersë, sakrifica, rezultate dhe arritje nga qindra mijërat e njerëzve të thjeshtë. Paçka se synimi kryesor i këtyre parrullave ishte të ndihmonin me fabulën e tyre ideologjike për të forcuar e zgjeruar edhe më shumë pushtetin e lidershipit.

Këto parrulla ishin të gjithfarëllojshme: ato përdoreshin e përsëriteshin në festa, përvjetore jubilesh, kongrese, tubime, vizita të personaliteteve të huaja partiake, etj. Duhet pranuar gjithashtu se disa prej tyre ishin gjetje të bukura nga pikpamja e propagandës. Për të qenë më konkretë, por pa pretenduar se i kemi përmendur të gjitha, pasi ato ishin aq shumë, më poshtë po listojmë parrullat kryesore, të grupuara sipas tematikës e me ndonjë sqarim të vogël historik, aty ku është e nevojshme:
Për unitetin e popullit rreth Partisë dhe pushtetit popullor:

– Rroftë uniteti i çeliktë i popullit rreth Partisë!
– Të jetojmë gju më gju me popullin!
– Grusht bashkuar rreth Partisë; sup më sup si malet!
– Si një trup i vetëm rreth Partisë!Popull e parti janë një e të pandarë!
– Populli në këmbë, Partia në ballë!
– Çdon populli, bën Partia dhe çthotë Partia bën populli! ( slogane me lojë fjalësh që tregonin se në fuqi ishte populli dhe se Partia i shërbente atij);
– Parti, nëna jonë, fjala jote, vepra jonë! Parti, Enver, jemi gati kurdoherë”! Ishin parrullat më të shpeshta që hidheshin nëpër mitingje, mbledhje, kongrese, apo kur merreshin premtime të ndryshme.
– T’i përgjigjemi flakë për flakë thirjes së Partisë! Kjo ishte parrulla që pasonte menjëherë çdo nismë revolucionare, e cila u përhap pas vitit 1966.
– ​Vota për Frontin Demokratik është plumb për armikun! Kjo ​parrullë përdorej sa herë kishte zgjedhje për organet e pushtetit, ku vetëm Fronti Demokratik, në atë kohë organizata më e madhe e masave që përfshinte gjithë të tjerat paraqiste ​kandidatura.

Natyrisht ato ishin shoshitur e miratuar më parë ​nga udhëhqja më e lartë e Partisë;
– Pushteti buron nga gryka e pushkës dhe mbrohet me pushkë!
– Rroftë M-L dhe internacionizmi proletar!
– Ushtria, garancia!( u hoq pas shpartallimit të grupit armiqësor në ushtri ​me argumentin se garanci është Partia, ndërsa ​ushtria ​armë e saj)
– Miqësia, garancia!(u hoq kur u prishëm me kinezët, me ​argumentine ​sipërpërmendur !)
– Edhe bar do të hamë, por parimet nuk i shkelim! Një ndër parrullat e ​artikuluara në një rrethanë konkrete historike, siç ishte ndarja me hrushovianët në vitin 1961, por që u shtri dhe ​u sanksionua edhe në Kushtetutën e vitit 1976, duke na ​“ngecur si ferrë e keqe nëpër këmbë” deri në fund të agonisë së ​sistemit autarkik.
​​
Për stilin dhe mënyrën e jetesës socialiste

Këto parrulla lindën dhe shoqëruan gjithë procesin e revolucionarizimit të jetës së vendit pas viteve 60:
​- Në njerën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën!
Ishte slogani dhe lejmotivi kryesor i jetës së asaj kohe. Ajo u simbolizua edhe në këngën e famshme të asaj kohe, kompozuar nga i madhi Prenk Jakova e që këndohej në të gjitha evenimentet politike, kongrese, festa, madje dhe dasma e gëzime. Së bashku me këngën “ Enver Hoxha tungjatjeta” që u krijua nga mesi i viteve 70, ajo mbyllte çdo aktivitet zyrtar masiv, si kongrese, koncerte, etj.

Të mendojmë, të punojmë dhe të jetojmë si revolucionarë ( Në vitet 70, asaj iu shtua dhe fjala “ si në rrethim”)
– Të kalitemi në kudhrën e aksionit!
– Kallot tona, barrikadë kundër imperializmit dhe revizionizmit!
– Të parët në sakrifica, të fundit në pretendime!
– Të spastrojmë skoriet nga ndërgjegja jonë!
– Të vemë interesin e përgjithshëm mbi atë personal!
– Nga aksioni në aksion!

“Lufta e klasave zhvillohet valë valë, ajo herë ngrihet e herë ​ulet, herë ​zbutet dhe herë acarohet, por kurrë nuk shuhet!”

Lidhur me këtë slogan, i cili shkaktoi aq shumë tragjedi njerëzore edhe vetë brenda radhëve të sistemit, tregohej për një analizë vjetore të ish-Degës së Brendshme në Përmet pas vitit 1985. Prokurori i atij rrethi, po krenohej duke thënëpak a shumë:

– “ja, shoku i deleguar, ka lezet këtu në Përmet, nuk kemi asnjë të arrestuar gjatë këtij viti dhe qelitë e burgut janë bosh! Mirëpo ai zhgënjehet plotësisht kur i deleguari, drejtues i lartë i ardhur nga qendra, i kundërpërgjigjet:

– Si ka mundësi, Zoti Prokuror, që burgu është bosh, po lufta e klasave ku është këtu, a zhvillohet ajo? Asnjë s’pipëtiu.Kjo tani të bën të qeshësh, por në atë kohë veç “ armiqve të popullit” sopata dhe shpata e luftës së klasave binin pa mëshirë edhe mbi vetë njerëzit e parties dhe punonjësit e sistemit.

Sot ne qeshim me këto “anekdota” të vërteta, por atëhere “kamzhiku dhe sopata” e luftës së klasave bënte kërdinë, jo vetëm mbi armiqtë e popullit, por dhe mbi njerëzit e besuar të partisë dhe punonjësit e atij sistemi. Nga mesi i viteve 70, për “zbutje të luftës së klasave” bashkë me disa të tjerë, u kritikua ashpër edhe babai im, i cili punonte në Ministrinë e Brendshme. Për pasojë, i vunë përpara alternativën e qarkullimit “për freskim” si hetues në Kukës, ose daljes në pension të parakohshëm, kur ende nuk ishte 50 vjeç. Ai preferoi variantin e dytë, edhe pse me një humbje të madhe nga rroga. E përjetuam keq atë ngjarje, jo vetëm për shkaqe ekonomike, por duke patur parasysh pasionin e tij të madh për punë, në shërbim të halleve dhe problemeve të njerëzve të thjeshtë. Fatmirësisht koha dhe ngjarjet që pasuan tregoi se kishte bërë zgjedhjen e duhur.​

Mbi punën dhe planin

– Realizimi i planit është detyrë, tejkalimi është nder!”
– Ta bëjmë natën ditë dhe hapin kilometër!
– Të mësojmë nga klasa puntore dhe fshararësia kooperativiste!
– Të mos dehemi nga sukseset!Luftë vetëkënaqësisë!
​Për mbrojtjen e Atdheut dhe rrethimin imperialisto –​revisionist

Shqipëria – fanar i kuq i socializmit në Evropë!
– Shqipëria, shkëmb graniti dhe kështjellë e socializmit në brigjet e Adriatikut!
– Mbrojtja e Atdheut, detyrë mbi detyrat”
– Një bie, mijra ngrihen!
– Ushtri e popullit ushtar!
– Armiku na ka në grykë të pushkës, por ne e kemi në grykë të topit!
– Të mbajmë syun në shinjestër dhe gishti në këmbëz të pushkës!
– Të mbajmë brutin thatë!
– Të asgjënsojmë armikun me predhën e parë!
– Kufijtë e Atdheut janë të paprekshëm!
– Të mbajmë barutin thatë!
– Të asgjënsojmë armikun me predhën e parë!
– Kromi dhe nafta çan bllokadën!

– Hedhim valle në gojë të ujkut! Kjo parrullë zuri pothuajse vendin e një simboli në gjuhën politike të atëhershme. Madje, siç pohon edhe ish-Drejtori i Përgjithshëm i RTV-së, Agron Çobani, në Librin e tij “ Ju flet Tirana” ( Botimet “ Toena” viti 2010) në Festivalin e XII të Këngës në RTVSH u paraqit edhe një këngë e titulluar “ Hedhim valle në gojë të ujkut “ e kënduar nga Qemal Kërtusha dhe Liljana Kondakçi; më kujtohet se, ndër të tjera, në atë këngë thuhej shprehimisht se “ ne në gojë të ujkut hedhim valle, lum ti Shqipëri që na ke!”

Për fshatin dhe bujqësinë socialiste:

– Bujqësia – çështje e gjithë popullit

– T’u qepemi kodrave dhe maleve, t’i bëjmë ato pjellore si dhe fushat!Të sigurojmë bukën në vend!

– “Po të isha 20 vjeç, do të shkoja të punoja në fshatin tonë të bukur socialist!”

Pas kësaj thënie të Enver Hoxhës, pas viteve 70, me mijra të rinj “ shkuan “ vullnetarisht për 1 – 3 vjet në fshat. Në fakt kjo “ ftesë” për të shkuar në fshat, sidomos pas letërkëmbimit të tij të përmendur më lart me mësuesen Athina Mile, ishte përgjigja e fortë që u jepej mijra arsimtareve, të cilat emëroheshin menjëherë pas mbarimit të shkollës në fshat dhe zona të largëta; por, edhe pas shumë viteve atje, zor se kujtohej më njeri, po të mos kishe miq të fortë, për t’i kthyer pranë familjeve të tyre. Ismail Kadareja u ka kushtuar një ndër poezitë e tij më të mira këtyre mësueseve. Transerimi i tyre ishte bërë shqetësim i madh për organet e Partisë dhe pushtetit, por pa gjetur dot një zgjidhje afat-gjatë.

Kjo thirje ishte gjithashtu edhe një sfidë ndaj prirjeve liberale të shfaqura që kërkonin më shumë hapësirë edhe për argëtimin e rinisë; ndërkohë që Partia u këkon të shkojnë në fshat dhe atje të ndërtojnë “ folenë” e lumturisë së vërtetë socialiste”. Kishte jo pak raste, kur të rinj të ndryshëm bënin vërejtje dhe ankesa në mbledhje që organizoheshin. Atëhere drejtuesi i mbledhjes, të cilit ose nuk i interesonte ose nuk dinte se çfarë përgjigje të jepte, i pyeste ata për moshën dhe kur mësonte se ishin rreth 20 – 21 vjeç, gjoja i habitur u thoshte: “ si mor, je 21 vjeç dhe qëndron këtu, në mes të Tiranës? Po si na mëson shoku….?! Justifikimit vijues pse ai apo ajo nuk kishte shkuar ende në fshat, drejtuesi i përgjigjej “ a e din ti se udhëheqësi ynë e ka marraz që është 70 vjeç, se po të ishte 20, do të shkonte në fshat dhe ti më ri këtu mes Tiranës?!”

Në të tilla raste që sot duken qesharake, e vetmja rrugëdalje ishte të bëje autokritikë, të pranoje se kishe bërë një lapsus dhe të shprehje gatishmërinë që menjëherë pas shkolle të rregjistroheshe për të shkuar në fshatin tonë të bukur socialist. Në shumicën dërmuese të rasteve, listat hartoheshin gjetiu dhe kur të thonin se do të shkosh në fshat dhe ti pyetje apo dhe ankoheshe se kush të ka caktuar, sepse ti nuk ishe shprehur, sërish ata të bënin pyetjen asgjënsuese:

Pse, ti nuk do të shkosh në fshatin tone të bukur, dmth je kundër direktivës së Partisë?

Jo, por…

Leri, mor justifikimet dhe pranoi se bere lapsus, ndryshe…

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb