TIRANË

Kreu i PD-së Lulzim Basha përsërit pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar se PD do të futet në zgjedhje vetëm kur të garantohen kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, që është edhe një nga propozimet e tij të miratuara sot.

Ai tha se Këshilli Kombëtar ka sanksionuar hapat për betejën politike në vijim. Basha tha se jemi i vetmi vend në Ballkan ku qeveria është kapur duke vjedhur votat me krimin e organizuar.

“Jemi i vetmi vend në Ballkan për të cilin një nga parlamentet e vendeve anëtare i ka rekomanduar Brukselit heqjen e lëvizjes së lirë. Jemi i vetmi vend në Ballkan ku brenda 6 viteve, 500 mijë banorë janë larguar nga vendi për shkak të pamundësisë ekonomike, për shkak të mungesës së shpresës dhe mundësive, për shkak të represionit dhe brutalitetit të një regjimi të ardhur në pushtet me ndihmën e krimit të organizuar”, deklaroi ai.

Kreu i PD theksoi se ‘misioni ynë është i qartë’. “Këshilli Kombëtar në mbështetje dhe të vendimeve të mëparshme dhe në përgjigje të aspiratës mbarëqytetare për ndryshim sot ka sanksionuar hapat për betejën tonë politike e cila ka objektiva të qarta. Të çrrënjosim krimin, korrupsionin. Të çlirojmë ekonominë nga krimi dhe oligarkia që pamundësojnë mirëqenien, pamundësojnë vendet e punës, pamundësojnë zhvillimin ekonomik. T’u shërbejmë qytetarëve shqiptarë duke iu rikthyer jo vetëm shpresën por edhe mundësitë në vendin e tyre, në qytetet e tyre, fshatrat e tyre  e shtëpitë e tyre dhe kjo ndodh vetëm duke rikthyer themelin e bashkëjetesës demokratike që është vota e lirë dhe e ndershme. Vendimi është i qartë, PD do të futet në zgjedhje vetëm kur të garantohen kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, deklaroi Basha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb