Pavel Nedved beson se Ajaksi është një skuadër që nuk duhet marrë kurrsesi me lehtësi, pasi mund të bëjë dëm sikundër tregoi dhe ndaj Realit të Madridit. “Nuk jam as i kënaqur nga shorti por nuk jam as i pakënaqur, besoj se do të jenë dy ndeshje të bukura. Ajaksi ka treguar se e meriton të jetë në këtë situatë, kanë eliminuar Realin e Madridit dhe kjo nuk është shaka. Duhet të jemi të fokusuar”.

Në mediat spanjolle është aluduar për një dënim të Kristiano Ronaldos për shkak të gjestit të “huevos” të bërë në fund të ndeshjes kundër Atletikos, por Nedved është i qetë. “Nuk i druhem skualifikimit të Ronaldos, gjesti ka mbetur në fushë dhe në emocionet e pas ndeshjes mund të tolerohet. Pati një shfryrje pasi u ofendua gjithë kohën nga tifozët e Atletikos. Nuk mendoj se do të ketë sanksione”.

Dy fjalë dhe për çështjen e trajnerit, me Alegrin që përflitet se do të thotë lamtumirën në fund të sezonit. “Presidenti dhe trajneri do të takohen në qershor dhe do të flasin për të ardhmen. Ajo çfarë Alegri po bën është e jashtëzakonshme, në kampionat nuk kishte ndodhur më parë të kishim 18 pikë diferencë nga vendi i dytë, nuk mund t’i kërkojmë më shumë.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb